Mëllaga, lulja që lufton HIV/AIDS

Është zbuluar se ekstraktet e bimës së mëllagës, e njohur gjerësisht si lulja e “ballkonit”, janë në gjendje të çaktivizojnë virusin e mungesës së imunitetit te njerëzit, i njohur ndryshe si HIV-1. Ky është një zbulim i ri në trajtimin e AIDS-it

Një nga lulet më të zakonshme që qëndron në ballkonet tona mund të ishte një “armë” efikase kundër virusit HIV të tipit 1 apo virusit që shkakton mungesën e imunitetit te njerëzit dhe në pjesën më të madhe të rasteve evoluon deri në AIDS. 
Hulumtuesit gjermanë të Helmholtz Zentrum München janë ata që zbuluan kapacitetet e ekstraktit të kësaj luleje (latinisht Pelargonium sidoides). Studimi i tyre tashmë është publikuar në revistën e njohur PLoS One. Koordinatori i këtij studimi, Markus Helfer, bashkë me profesoreshën Ruth Brak-Verner ((Brack-Werner) i Institutit të Virologjisë, dhe prof. Philippe Schmitt-Kopplin nga Njësia e Kërkimeve Analitike Biogeokimike (BGC) u kanë bërë teste të shumta ekstrakteve të rrënjëve të mëllagës apo të Pelargonium sidoides (PS), duke treguar se këto ekstrakte sulmojnë grimcat e virusit HIV-1 dhe parandalojnë riprodhimin e tyre. 
Por, jo vetëm kaq: këto ekstrakte janë në gjendje të mbrojnë gjakun dhe qelizat imunitare nga infeksioni. Analizat kimike të kryera në laborator kanë treguar që efekti antiviral i ekstrakteve të PS ndodh me ndërmjetësimin e polifenoleve. Këto substanca, të izoluara nga ekstrakti bruto, kanë rezultuar të jenë më pak toksike dhe shumë efikase në veprimin antiviral. 
Mëllaga tashmë është e njohur në Gjermani për përdorimin e saj në mjekësinë bimore. Konkretisht ekstraktet e saj përdoren për të reduktuar simptomat e bronkitit kronik. 
“Ekstraktet e mëllagës janë një opsion shumë premtues për shpikjen e parë të ilaçit të vlefshëm kundër HIV-1. Këto ekstrakte sulmojnë HIV-1 me një lloj aksioni që është i ndryshëm nga të gjitha ilaçet e tjera që përdoren në praktikën klinike kundër HIV-1”, shpjegon mjeku Brak Verner. 
“Kështu që një ilaç bimor i bazuar te mëllaga mund të jetë një plotësues i vlefshëm për terapinë e krijuar kundër HIV. Përveç kësaj, ekstraktet e PS janë “kandidate” interesante për të zgjeruar mundësitë terapeutike për HIV-1 në kontekstin e burimeve të kufizuara, pasi ato janë të lehta për t’u prodhuar dhe nuk kërkojnë ngrirje. Rezultatet e studimit tonë dhe siguria e provuar e ekstrakteve të PS inkurajojnë testin e radhës që do të kryhet te të infektuarit me HIV”, shton më tej Brak Verner. 
Barbaroza ose mëllaga mund të jetë më shumë se një lule zbukuruese. Pra ajo renditet tashmë si kura e vërtetë kundër një sëmundjeje në rritje, ku sipas OBSH-së ndikon te mbi 35 milionë njerëz në botë. Ndërkohë është e panevojshme të thuhet se nëse nuk ndërmerren veprime në kohë për të eliminuar ose për të bllokuar HIV-1, ky virus shkatërron sistemin imunitar duke shkaktuar AIDS, që deri më tani është vdekjeprurës i padiskutueshëm. 
Studiuesit gjermanë theksojnë se kalimi i hapit nga laboratori te qeniet njerëzore duhet të bëhet sa më parë të jetë e mundur, sepse janë me miliona ata që presin një përgjigje nga ky kërkim. Jeta e tyre është në rrezik, kështu që është më se e kuptueshme që ata nuk mund të presin shumë gjatë. 
“Nëse te të infektuarit me HIV-1 do të ndërhyhet sa më shpejt (nëpërmjet kësaj kure që ne propozojmë) atëherë ata do t’i shpëtojnë AIDS-it që shkaktohet pikërisht nga HIV-1 dhe padyshim vdekjes së sigurt”, përfundojnë studiuesit gjermanë.