Merkel: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë përmbushur kushtet për të nisur negociatat

Pas takimit me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët, Merkel dhe Rama u fokusuan në çështjet që lidhen me Procesin e Berlinit, ecurinë e integrimit evropian dhe procesin e bashkëpunimit rajonal.

Rama deklaroi se arritja më e madhe e Procesit të Berlinit është vendosja e një fryme bashkëpunimi. Ai tha se ky është një proces i cili është një vizion largpamës, jo thjesht për të kaluar një fazë disavjeçare, por sipas tij për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku.

“Përtej të gjitha rezultateve konkrete në aspektin e fushave që mbulon Procesi i Berlinit, besoj që arritja më e madhe e këtij procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi e sensit të të ardhmes së përbashkët”, tha Rama.

Rama theksoi se nisma “Ballkani i hapur” është asgjë më shumë sesa mjeti i rajonit për të zbatuar Procesin e Berlinit.

Kryeministri shqiptar tha se sot Ballkani Perëndimor është një vend shumë më i mirë se sa ishte përpara se Merkel të niste Procesin e Berlinit.

“Angela Merkel do t’i mungojë këtij rajoni. Sot është një moment kur të gjithë ne jemi të vetëdijshëm, qoftë për çfarë kancelarja ka bërë, qoftë për boshllëkun që ajo lë. Pa kancelaren Merkel, Ballkani nuk do ishte njësoj siç është sot, as Evropa nuk do të ishte siç është sot”, tha Rama.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut besoj se i kanë përmbushur kushtet për të nisur negociatat”

Kancelarja Merkel, nga ana e saj, tha se mund të zgjerojnë më tej bashkëpunimin me Shqipërinë.

“Si Shqipëria ashtu edhe Maqedonia e Veriut besoj se i kanë përmbushur kushtet e caktuara për të nisur negociatat e anëtarësimit. Për fat të keq kjo nuk u realizua gjatë presidencës të Këshillit nga Gjermania për shkak të vetos së Bullgarisë, por ne kemi premtuar gjithashtu se do të jemi pranë këtij procesi pasi në të është investuar vërtet shumë energji”, tha Merkel duke folur mbi procesin e integrimit evropian.

Ajo theksoi se Procesi i Berlinit nuk është zëvendësim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE). Sipas saj, negociatat e anëtarësimit të secilit prej vendeve do të zhvillohen dhe vendet kanë statuse të ndryshme në lidhje me ecurinë e integrimit në BE.

“Është diçka tjetër procesi i bashkëpunimit në nivel rajonal, ide e cila është pranuar nga BE-ja apo nga këndvështrimi gjerman. Unë këtë e përshëndes dhe shpresoj shumë që të vijohet në këtë drejtim”, u shpreh Merkel.

Kancelarja Merkel gjatë vizitës në Shqipëri është takuar edhe me krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar në lidhje me çështjet e bashkëpunimit rajonal.

Ndërkohë në fillim të vizitës, Rama dhe Merkel realizuan një takim kokë më kokë dhe një takim bilateral mes dy delegacioneve, duke diskutuar mbi çështjet e politikës ekonomike dhe marrëdhëniet dypalëshe Shqipëri-Gjermani, por edhe çështje që lidhen me procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.