Merkel: Turqia një vend me rëndësi strategjike

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Turqia nuk është vetëm një partnere dhe aleate e NATO-s por edhe një vend me rëndësi strategjike, si vendi i dytë më i populluar në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë një fjalimi në Parlamentin federal, Merkel vuri në dukje se në Samitin e Liderëve të BE-së do të diskutohen marrëdhëniet e BE-së me Turqinë dhe situata në lindje të Mesdheut.

Merkel tha se ashtu sikurse në Afrikën e Veriut, në Siri dhe Ukrainë edhe përreth Evropës ka shumë mosmarrëveshje. “Në të njëjtën kohë e dimë se zhvillimi dhe mirëqenia e BE-së është e mundur vetëm me marrëdhënie të mira edhe me fqinjët tanë jashtë BE-së. Kjo është e vlefshme kryesisht për anëtaren e NATO-s Turqinë e cila ka marrëdhënie me shumë drejtime”, tha Merkel.

Ajo informoi se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka përgatitur një raport lidhur me këto marrëdhënie me shumë drejtime.

Në vlerësimin e saj lidhur me zhvillimet në lindje të Mesdheut, Merkel tha se “Para së gjithash, është një lajm i mirë që Turqia ka dhënë sinjale për uljen e tensioneve në rajonin e Mesdheut Lindor dhe për rivendosjen e dialogut me Greqinë pas aktiviteteve provokuese që ndodhën në muajt e fundit në ujërat e Qipros dhe të Greqisë. Edhe bisedimet e formatit 5+1 lidhur me të ardhmen e Qipros do të vazhdojnë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara”.

Merkel rikujtoi se më parë në Samitin e Liderëve është marrë vendimi për të ofruar alternativa në çështjen e bashkëpunimit të përbashkët nëse Turqia ul tensionet. “Tani në këtë samit do të bisedojmë se si do të shkojmë në këtë rrugë. Këto nuk do të jenë bisedime të lehta. Por, shpresoj se do të arrijmë në një përfundim. Turqia nuk është vetëm një partnere dhe aleate e NATO-s, ajo është një fqinje e drejtpërdrejt e BE-së dhe me një rëndësi strategjike, si vendi i dytë më i populluar në kufijtë e jashtëm të BE-së”, tha ajo.

“Ne gjermanët kemi marrëdhënie të afërta shumë të veçanta me Turqinë”, theksoi Merkel e cila tha se prej shumë vitesh në Gjermani jetojnë shumë turq.

Duke bërë të ditur se edhe palët e tjera duhet të shikojnë politikën e brendshme të Turqisë, Merkel shtoi se dëshirojnë që Turqia t’u përmbahet standardeve të shtetit ligjor dhe se largimi nga Marrëveshja e Stambollit është një sinjal për të ardhur keq.

“Heshtja në marrëdhënie nuk funksionon. Për këtë arsye do të bisedojmë rifillimin e dialogut në nivel të lartë mes Turqisë dhe BE-së. Kemi interesa të përbashkëta. Në këtë janë të përfshira edhe vështirësitë që sjell emigracioni. Këtë mund ta zgjidhim me Turqinë”, tha Merkel.

Ajo vuri në dukje se në kuadër të kësaj duhet të zhvillohet marrëveshja BE-Turqi e arritur 5 vite më parë.

Dihet që ka kritika kundër marrëveshjes, por me këtë marrëveshje është parandaluar trafikimi i qenieve njerëzore dhe se ndihmat e dhëna këtu kanë mbërritur drejtpërdrejt tek personat në nevojë.

Prodhimi i vaksinës në Evropë

Në fjalën e saj Merkel theksoi se në Evropë ka nevojë për prodhim të pavarur të vaksinave kundër koronavirusit të ri (COVID-19). “Është e rëndësishme që prodhimi të sigurohet në territorin e Evropës. Anglia prodhon për Britaninë e Madhe, SHBA-ja nuk eksporton vaksina. Për këtë arsye në planin afatgjatë prodhimi në Evropë është i rëndësishëm”, shtoi Merkel.

Duke bërë thirrje për furnizim me vaksinat e nevojshme për botën, Merkel tha se “Nëse nuk ka sukses në këtë, atëherë do të përballemi gjithmonë me mutacione të reja të virusit”.