[There are no radio stations in the database]

MES DY ZËRAVE

Shumë të rinj e të reja janë sprovuar me dëgjimin e muzikës, derisa është bërë pjesë e jetës së tyre.

E sheh se si në mëngjes dhe mbrëmje i reciton vargjet e këngës, e imiton dhe e citon, i lëviz gishtat dhe gjymtyrët nën reagimin e muzikës, e kërcen andej-këndej.

Kur Allahu më udhëzoi, atëherë e kuptova se sa të privuar janë këta njerëz, sepse dëgjimi i muzikës i pengon të dëgjojnë Fjalën e Allahut, Kuranin. Muzika është zëri i shejtanit dhe instrumenti i tij, siç thotë Allahu: Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (El Isra, 64)

Në anën tjetër, Kurani është Fjala e Allahut. Dallim shumë i madh mes dy zërave: zërit që lexon Fjalën e Allahut dhe zërit që reciton tingujt e shejtanit. E dhimbshme është se si janë privuar nga kënaqësia e dëgjimit, leximit dhe ndikimit të Kuranit.

Lexoje përshkrimin më në detaje të gjendjes së tyre: “Ka disa njerëz që sajojnë tregime të kota, për të shmangur (të tjerët) nga rruga e Allahut me paditurinë e tyre e për t’u tallur me të. Njerëz të tillë i pret dënimi poshtërues. Kur ndonjërit prej tyre i lexohen shpalljet Tona, ai e kthen shpinën me mendjemadhësi, sikur nuk i ka dëgjuar, sikur i janë shurdhuar veshët. Andaj, jepu lajmin e dënimit të dhembshëm.” (Lukman, 6-7)

Kur e lexoj Kuranin, më kaplon një frikë e madhe, sepse ndiej në brendësi se jam duke e lexuar Fjalën e Allahut. Fjalë për fjalë është e vërtetë, çdo ndodhi dhe histori që rrëfehet është e saktë, Libër në të cilin nuk ka dyshime dhe nuk lë hapësirë për diskutime. Gjatë leximit e përjetoj mënyrën e përkryer dhe sqarimin e bukur të shprehjeve, të rrëfimeve për popujt dhe ndodhitë e mëhershme, të urdhrave e ndalesave me gjithë fshehtësitë dhe madhështinë e ligjvënies, me përshkrimin e Allahut, me emrat e bukur dhe cilësitë e Tij të larta.

Nganjëherë shpërngulem në leximin e ajeteve, ku përshkruhet kozmosi i gjerë, e ma shfaq madhështinë e Allahut në krijesat e Tij dhe shenjat që të gjithat aludojnë se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet, nganjëherë shtegtoj në ajetet ku përshkruhet Xheneti dhe kënaqësitë që i përjetojnë banorët e tij, e në ato momente i ngre duart nga qielli dhe e lus Allahun që të jem prej banorëve të Xhenetit. Në anën tjetër i lexoj ajetet që tregojnë gjendjen e banorëve të Zjarrit, të cilët bërtasin dhe i luten Allahut t’i nxjerrë prej Zjarrit e të kthehen në dynja për të bërë vetëm një punë të mirë për hir të Allahut, e në ato momente e falënderoj Allahun për udhëzimin tim dhe i lutem të më shpëtojë me mëshirën e Tij.

Sa herë që e lexoj Kuranin, ndiej se imani, bindja dhe rehatia ime shpirtërore më shtohet. Eh, sa dallim i madh mes muzikës, që jetën e përkufizon me epshin, pasionin dhe dashurinë në haram, dhe Kuranit, që ta shton imanin e ta kënaq shpirtin.

Çfarë dijeje, çfarë bindjeje dhe çfarë rehatie në zemër u sjell muzika atyre që e dëgjojnë muzikën? Përkundrazi, marrin gjynahe dhe vuajtje në të dyja botët.

Të mos harroj të përmend edhe faktin se, për leximin e Kurani shpërblehesh, për çdo germë shpërblehesh me një sevap, e çdo sevap shpërblehet dhjetëfish, ashtu siç na lajmëroi Pejgamberi ﷺ .

Dr. Muhamed ed Duvejshi

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

(Pjesë nga libri: “E TILLË ISHTE JETA IME (Memoaret e një vajze)” – i përkthyer në gjuhën shqipe)


[There are no radio stations in the database]