Rtv Pendimi

Mesazhi “Allahu Ekber”

Fjalia, të cilën e shqiptojmë më tepër në formë adhurimi, është “Allahu Ekber”. Nëse në të pesë kohët e namazit, bashkë me farzet falen edhe sunetet e vaxhibet, gjithsej bëhen dyzet rekat. Për rrjedhojë, numri i tekbirëve (Allahu Ekber) që shqiptohet gjatë gjithë këtyre namazeve, është 221. Nëse shtojmë edhe ato që përmenden gjatë ezanëve dhe ikameteve, bëhen 261. Ndërsa gjatë Muajit të Ramazanit, së bashku me namazet e teravive bëhen 371. A e kuptojmë se vetëm gjatë namazeve shqiptohen kaq shumë tekbirë dhe a kemi menduar në lidhje me urtësinë e kësaj? Çfarë mesazhi japim kur thërrasim pesë herë në ditë nga vendet më të larta (minaret) dhe me zërin më të bukur fjalën dhe deklaratën “Allahu Ekber”? Padyshim se përdorimi i shprehjes “Allahu Ekber/Allahu është më i Madhi”, më shpesh në krahasim me shumë emra të tjerë që e shprehin madhështinë e Allahut të Madhëruar, e ka një urtësi.

“Allahu Ekber”, është përkujtimi dhe deklarimi në çdo kohë dhe me zë të lartë se sundimi, fuqia dhe pushteti absolut i takojnë vetëm Allahut. Ky deklarim është si një shuplakë që bie mbi surratin e njerëzve që i atribuojnë vetes së tyre fuqi dhe pushtet të jashtëzakonshëm, si Nemrudi dhe Faraoni. Në mënyrë indirekte, atyre u thuhet: “Kush jeni ju? Mos e teproni! Madhështia e vërtetë i takon Allahut. Ajo që ju takon juve, është të ulni kokën dhe të tregoheni të përulur përballë madhështisë së Tij”. Sa bukur janë shprehur të parët tanë përpara sulltanit: “Mos u mburr sulltani im, Allahu është më i madh se ti!”

Ata që thonë “Allahu Ekber”, nuk njohin tjetërkënd më të madh; rukunë dhe sexhden, e bëjnë vetëm para Tij. Ata që përkulen para Tij, nuk është e mundur të përkulen para dikujt tjetër. Nëse rukuja dhe sexhdja bëhet pengesë për përkuljen ndaj të tjerëve, ajo është rukuja dhe sexhdja e vërtetë. Përsëritja e vazhdueshme dhe me zë të lartë e shprehjes “Allahu Ekber”, ka dobi të mëdha. Kur biri i njeriut arrin njëfarë force dhe pushteti, fi- llon ta teprojë dhe t’i përçmojë ata që ka poshtë vetes. Ai e harron se fuqia dhe mundësitë që ka, i janë dhënë si sprovë nga Allahu i Madhëruar. Për këtë arsye, ai guxon të thotë si Karuni; “Kjo më është dhënë vetëm për shkak të diturisë sime.” (Kasas, 78) Kurse Faraoni u mashtrua me pushtetin e vet dhe tha: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (Nazi’at, 24) Ndërsa Nemrudi, për shkak të arrogancës që i kishte dhënë pushteti, hyri në debat me pejgamberin Ibrahim (a.s.), në lidhje me Allahun. Teprimi dhe arroganca kur arrihet pushteti dhe fuqia, është një dobësi e përgjithshme e birit të njeriut. “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.” (Alak, 6-7) Prandaj, për ta parandaluar këtë arrogancë, duhet deklaruar shpesh dhe me zë të lartë “Allahu Ekber”. Nëse ata që shtypin të dobëtit, duke u mashtruar pas mundësive e fuqive të përkohshme që zotërojnë dhe ata që bëhen si Faraoni dhe Nemrudi, do t’i kishin venë veshin këtij zëri, as të tjerëve nuk do t’i kishin bërë padrejtësi dhe as vetë nuk do të shkatërroheshin për shkak të arrogancës së tyre.

Madhështia i takon Allahut, kurse njeriut, të jetë robi i Tij. Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar, urdhëron: “Lavdia konsiderohet veshja ime e poshtme, ndërsa madhështia veshja e sipërme. Nëse dikush sillet sikur zotëron një nga këto të dyja, do ta dënoj atë.” (Muslim, Birr, 136. Shih. Ebu Daud, Libas 26; Ibni Maxhe, Zuhd 16.) Këtu është përdorur një përngjasim shumë i bukur. Me këto fjalë, Zoti ynë thekson se lavdia dhe madhështia janë si një veshje që mbështjell trupin dhe këto i takojnë vetëm Atij; kush kujton se i zotëron këto cilësi, i ka bërë ortak Allahut dhe kush guxon të matet me Të, Ai do ta shkatërrojë. Ekzistojnë edhe shumë hadithe të tjerë në lidhje me faktin se njerëzit, të cilët janë krijesa të dobëta dhe të pafuqishme, do të shkatërrohen si në këtë botë edhe në botën tjetër për shkak të arrogancës dhe krekosjes së tyre. Le t’i përmendim disa prej tyre:

“Nuk mund të hyjë në xhenet, kush bart në zemër qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie.” (Muslim, Iman, 147.) “A t’ju them se kush janë banorët e xhehenemit? Janë njerëzit zemërgurë, të pacipë, koprracë dhe ata që ecin duke u mburrur.” (Buhari, Ejman, 9; Muslim, Xhenet, 47.) “Në Ditën e Kiametit, Allahu nuk ka për t’ia parë fytyrën atij që tërheq zvarrë rrobën e tij duke u mburrur.” (Buhari, Libas, 1; Muslim, Libas, 42.) Mendjemadhësia tek njeriu, formohet shkallë shkallë. Me shtimin e fuqisë dhe mundësive, të servilëve dhe sahanlëpirësve njeriu fillon të bëhet si faraon pa e kuptuar fare. Këtë fakt, Pejgamberi (a.s.), e ka theksuar me këto fjalë: “Duke u mburrur vazhdimisht, njeriu futet në kategorinë e tiranëve. Kështu që edhe atij i jepet dënimi i tiranëve.” (Tirmidhi, Birr, 61.) Njeriut i shkon përulësia. Përulësi do të thotë të pranosh të vërtetën dhe të ulësh kokën. Ndërsa mendjemadhësia është e kundërta e kësaj. Nëse dikush pyet: “Përse për njeriun mburrja është e keqe, ndërsa për Allahun është e mirë?”, atij i jepet kjo përgjigje: Të gjitha cilësitë me të cilat mund të mburresh, burojnë nga Allahu. Për rrjedhojë, Ai ka të drejtë të mburret. Përveç kësaj, Allahu i Madhëruar është i pastër nga të metat dhe gabimet. Ai nuk u nënshtrohet urdhrave e ndalesave dhe nuk gjykohet për atë që bën. Ndërsa njeriu nuk është kështu. Aftësitë që zotëron, nuk burojnë prej tij, por janë mirësi që ia ka dhënë Allahu. Nuk mund të krekosesh me aftësi të cilat të janë lënë amanet. Askush nuk ka të drejtë dhe autoritet të garojë me Zotin. Mbi të gjitha, njeriu nuk është i pastër nga të metat dhe në çdo moment mund të gabojë. Në fund të fundit, madhështia dhe perfeksioni në mënyrë absolute, i takojnë vetëm Allahut. “Allahu Ekber” dhe “Elhamdulilah”, janë shprehja me gjuhë e kësaj pozite hyjnore.

Përulja, është simboli i robërisë ndaj Allahut. Ndërsa Pejgamberi ynë (a.s.), është shembulli më ideal i robë- risë ndaj Allahut. Ai, më parë është rob, pastaj është pejgamber. Jeta e tij është modesti nga fillimi deri në fund. Edhe një shërbyes mund ta kapte përdore dhe ta çonte atje ku dëshironte. Ai u jepte selam fëmijëve dhe i hipte ata në pjesën e pasme të samarit. I merrte në shpinë nipërit dhe i shërbente familjes së vet. Kafshatën që binte në tokë e merrte dhe e hante. Punoi si çoban dhe u përgjigjej edhe ftesave më modeste të skllevërve. Gjithashtu, ai ka thënë: “Kush tregohet modest për hir të Allahut, Ai e ngre atë”. Madje, ai nuk e pëlqente as kur dikush ngrihej në këmbë për të. Atyre që gjithmonë u tingëllon në vesh shprehja “Allahu Ekber”, janë të vetëdijshëm për robërinë e tyre në çdo moment dhe nuk kërkojnë zota të tjerë. Ata nuk njohin të mëdhenj të tjerë pranë Allahut. Ata nuk përulen para të tjerëve, sepse strehohen tek madhështia e Tij. Ata marrin forcë prej forcës së Allahut dhe nuk e ulin kokën para tiranisë e tiranit.

Izzeddin bin Abdusselam, shkoi në Egjipt dhe u takua me mbretin Nexhmeddin. Mbreti ishte njeri shumë i ashpër. Njerëzit kishin frikë prej tij dhe askush nuk mund t’i thoshte diçka lehtësisht. Gjatë një mbledhjeje, Abdusselami iu drejtua në emër mbretit dhe e paralajmëroi atë në lidhje me disa të këqija. Kur u pyet se si guxoi ta bënte këtë, ai u përgjigj: “M’u kujtua madhështia e Allahut dhe mbreti përnjë- herë m’u duk i dobët si një mace.” Ata që thonë “Allahu Ekber”, nuk kanë frikë nga askush tjetër. Kur magjistarët e Faraonit ranë në sexhde përballë mrekullisë së Musait (a.s.), Faraoni i poshtëruar, i kërcënoi ata se do t’u priste duart e këmbët dhe do t’i varte në degët e hurmave. Magjistarët që u frikë- suan prej fuqisë së Allahut dhe jo të Faraonit, mbajtën qëndrim ndaj tij dhe i thanë: “Ne kurrë nuk do të të japim përparësi ty ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!” (Ta-Ha, 72) Pejgamberi ynë (a.s.), duke iu bindur urdhrit të Allahut “(Vetëm)Zotin tënd madhëroje” (Muddeththir, 3), nuk iu përul asnjë fuqie tjetër dhe duke u mbështetur në fuqinë hyjnore, arriti të realizojë revolucionin më madhështor të historisë. “Allahu Ekber”, ka qenë gjithmonë arma më e fuqishme që të shtypurit kanë përdorur ndaj tiranëve arrogantë e mendjemëdhenj. Luftëtarët që rezistojnë përballë tiranëve, marrin energji duke thënë njëzëri “Allahu Ekber” dhe me këtë energji vazhdojnë të luftojnë. Lufta që po zhvillohet sot në Palestinë dhe Siri, është prova më e gjallë e këtij fakti, sepse rezistenca e tyre ndaj forcave të mëdha armike, nuk mund të shpjegohet ndryshe. Shkurtimisht, “Allahu Ekber”, është deklarimi në çdo moment dhe me zë të lartë para gjithë botës, se pushteti, fuqia absolute dhe sundimi i vërtetë, i takojnë vetëm Allahut të Madhëruar. Ajo është një shuplakë që bie mbi fytyrat e atyre që mburren për shkak të pasurisë, pozitës e postit. Ajo i tregon gjithkujt vendin që i takon. Ajo sfidon idhujtarinë. Ajo është forca e besimtarëve dhe tmerri i mohuesve. E gjithë çështja është të jesh i vetëdijshëm ndaj kësaj force. Po ashtu, shprehjen “Allahu Ekber/ Allahu është më i Madhi”, të cilën gjuhët tona e shqiptojnë me qindra herë, duhet ta dëgjojnë edhe veshët tanë. Por ky dëgjim, nuk duhet të jetë si çdo dëgjim tjetër. Ajo duhet të dëgjohet e perceptuar si një frymë gjallëruese. Dhe pikërisht atëherë, do ta kemi kuptuar mirë edhe mesazhin “Allahu Ekber”.

© Opoja.net

TË NGJAJSHME