MESHKUJT DHE FEMRAT

Ajo që ju shqetëson më shumë, juve të rinjve dhe të rejave është sigurisht instinkti seksual, të cilin Allahu e ka vendosur në trupin e njeriut me qëllimin e riprodhimit të llojit njerëzor. Unë nuk dëshiroj ta trajtoj këtë dukuri në mënyrë të zgjeruar, mirëpo dëshiroj të paralajmëroj fuqishëm gabimet gjatë bashkëveprimit me këtë forcë të fshehur, që i ngjan më shumë benzinës. Ajo mbetet forcë e dobishme, nëse e përdorim në mënyrën e duhur, mirëpo nëse e vendosim afër zjarrit, atëherë shndërrohet në një fuqi shkatërruese, që e djeg tërësisht të gjallin.

 Një dijetar e ka krahasuar energjinë seksuale me një shkëmb të madh rrëzë një mali të lartë, që është duke qëndruar me shekuj në këtë pozicion. Nëse vjen dikush dhe e lëviz shkëmbi fillon të rrotullohet e rrotullohet me shpejtësi dhe nuk ka mundësi më asnjë forcë njerëzore që ta ndalojë. Ajo që e lëviz epshin te djemtë dhe vajzat është e kufizuar nga një sërë shkaqesh, ku ndër më kryesoret janë:

•           të menduarit për çështjet seksuale dhe përdorimi i fantazive lidhur me to. Për këtë shkak boshllëku dhe preokupimi me vetveten është njëra prej arsyeve shumë të forta, që e aktivizon instinktin seksual;

•           shikimi i skenave të turpshme, ku meshkujt shikojnë femrat lakuriq dhe anasjelltas; këtu hyn edhe përzierja dhe qëndrimi në një vend i të dy gjinive;

•           frekuentimi i takimeve dhe vendeve që të nxisin seksualisht;

•           shoqërimi me njerëz të pamoralshëm dhe të shthurur, që nuk kanë asnjë ambicie dhe aspiratë ndaj ndonjë çështjeje të rëndësishme dhe madhore.

 Çfarë mund të përfitojnë të rinjtë dhe të rejat nga kjo që thamë më lart?

1.         Kushdo prej jush le të preokupohet me gjëra të dobishme dhe me vlerë, duke i harxhuar energjitë e tij për to. Marrja me ushtrime sportive ndikon pozitivisht në zvogëlimin e këtij instinkti dhe është shumë e dobishme për dobësimin e presionit të epshit seksual.

2.         Martesa e hershme është mburojë (virtyt, mirësi) e madhe për atë që ka mundësi ta bëjë dhe me lejen e Allahut kjo përbën një kala të fortifikuar. Prandaj të rinjtë dhe të rejat duhet të planifikojnë seriozisht lidhur me këtë dhe njëkohësisht shoqëria duhet t’i lehtësojë rrethanat, që t’ua bëjë të rinjve sa më të lehtë një gjë të tillë.

3.         Forcimi i aspektit shpirtëror për këdo nga ju konsiderohet si diçka esenciale lidhur me këtë problematikë. I Dërguari i Allahut i këshilloi të rinjtë që të agjërojnë. Përballja kryesore me rrjedhën e vrullshme të epshit duhet të bëhet me fuqizimin e forcës shpirtërore, duke e bërë atë sa më të fortë, gjithëpërfshirëse dhe të përqendruar në praktikimin e urdhrave të fesë.

4.         Shoqërimi me njerëz të devotshëm, të mirë, me zemra të pastra dhe aspirata të larta.

5.         Braktisja e takimeve dhe e vendeve në të cilat flitet për seksin.

6.         Ulja e shikimit dhe mospërzierja me gjininë e kundërt, sipas mundësisë dhe rrethanave.

7.         Çdokush prej jush le të mendojë 100 herë para se të bëjë hapin e gabuar, i cili në jetën e tij lë mbresën më të shëmtuar, ndërsa në veten e tij lë kujtimin më të keq.

Në vazhdim nuk synoj të flas këtu për gjërat që i bëjnë meshkujt dhe femrat qenie të ndryshme, mirëpo ideja ime është të nxjerr në pah diçka më të rëndësishme, atë se dallimi i tyre në natyrshmëri dhe anatomi për pasojë mbart edhe dallime në detyra dhe përgjegjësi. Përbërja e anatomisë trupore, psikike dhe sentimentale e femrave dallon plotësisht nga e meshkujve. Për këtë arsye, femra është zgjedhur të luajë një rol të kundërt nga partneri i saj –mashkulli-.

Femra ngel shtatzënë dhe më pas lind. Ajo konsiderohet përgjegjësja kryesore e rritjes së brezave. Ajo që ngjall interesimin dhe tërheq vëmendjen e saj nuk është pikërisht ajo që mbizotëron ndjeshmërinë e burrave.

Në mësimet tona fetare dhe në doket e zakonet që njerëzit i kanë pranuar si të drejta, ajo që kërkohet nga femra është në kontradiktë me atë që lipset prej mashkullit në aspektin shoqëror, në rrafshin e punës dhe të profesionit. Me fjalë të tjera, aspiratat e femrës për të ardhmen duhet të jenë ato të gruas dhe jo ato të burrit. Kjo nënkupton që synimi parësor i femrës duhet të jetë angazhimi në ndërtimin e familjes fetare, të lumtur dhe të bashkuar. Ajo duhet ta përgatisë veten në aspektin edukativ dhe kulturor për këtë objektiv të ndershëm dhe kjo është parësore për të. Së dyti, studimi i saj në universitet të jetë në përputhje me atë që përmendëm deri tani, d.m.th. që lënda për të cilën përgatitet duhet të jetë diçka prej së cilës do të përfitojnë gjinia femërore, për shembull edukimi apo mjekimi, dhe që puna pas diplomimit të jetë e përshtatshme me pozicionin e saj si zonjë shtëpie. Nisur nga ky fakt deklarojmë, se nuk është e udhës që femra të zgjedhë për të studiuar teknologjinë e prodhimit, mekanikën apo energjetikën, njëlloj siç nuk është e përshtatshme të studiojë veterinarinë apo bujqësinë. Në përgjithësi, këshilla ime kryesore për bijat e mia është të orvaten që të studiojnë shkencat prej të cilave përfitojnë në aspektin kulturor, edukativ dhe material, edhe në qoftë se rrethanat, siç janë detyrimet familjare nuk ua lejojnë punësimin. Unë ju them që të keni kujdes nga ato objektiva që ndikojnë në vonimin e martesës, me qëllim që të mos pendoheni atëherë kur nuk bën dobi pendimi.

1.         Mos tento të futesh në garë me meshkujt, ngaqë ti je krijuar për të luajtur një rol tjetër nga ç’janë krijuar ata. Ti duhet të marrësh mësim nga pozita tragjike në të cilën gjendet femra në shumicën e vendeve të Lindjes dhe të Perëndimit.

2.         Mundësitë në jetë janë të shumta, prandaj prej teje kërkohet që interesimi për martesë, për krijimin e familjes muslimane dhe edukimin e mirëfilltë të fëmijëve të jetë preokupimi yt kryesor.

3.         Feminiteti është arma më e sofistikuar me të cilën femra duhet të luftojë, prandaj mos hiq dorë nga kjo armë me qëndrime dhe veprime jo të duhura për ty.

4.         Pozita në shoqëri nuk qëndron te madhështia e specializimit dhe e profesionit, por tek ajo se sa janë ato (specializimi dhe profesioni) të përshtatshme për ty dhe sa i zotëron me sukses.

Nga arabishtja: Agron Terziqi