Rreth 37 mijë persona, përfshirë gra dhe fëmijë, janë zhvendosur për shkak të përleshjeve midis ushtrisë dhe forcave lokale të mbrojtjes popullore në Mianmar, deklaroi sot Florencia Soto Nino, zëdhënësja e kreut të OKB-së, Antonio Guterres, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nino në një konferencë për media tha se OKB-ja është thellësisht e shqetësuar për përshkallëzimin e luftimeve midis ushtrisë dhe forcave lokale në shtetin veriperëndimor Chin si dhe rajonet Magway dhe Sagaing.
Sipas saj, përleshjet të cilat shpërthyen pasi ushtria mori kontrollin e administratës më 1 shkurt, rezultuan në dëmtimin e vendbanimeve dhe zhvendosjen e njerëzve. Zëdhënësja e OKB-së, Nino shtoi se vendasit, përfshirë gra dhe fëmijë si dhe punonjës të ndihmës humanitare, u larguan nga rajoni për në Indinë si rezultat i përshkallëzimit.
Ajo u bëri thirrje palëve në konflikt që të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit ndërkombëtar dhe normave të të drejtave civile në drejtim të mbrojtjes së civilëve dhe punonjësve të ndihmës humanitare.