Mijëra palestinezë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë e Profetit Ibrahim

Mijëra palestinezë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë e Profetit Ibrahim në qytetin El-Khalil (Hebron) të Bregut Perëndimor të okupuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Besimtarët u mblodhën me rastin e festës muslimane të Kurban Bajramit ndërsa namazi u fal nën masa të rrepta të sigurisë nga forcat izraelite.

Hifzi Abu Senine, një zyrtar fetar në xhami tha se autoritetet izraelite kishin hapur të gjitha pjesët e xhamisë për adhurim nën masa të rrepta sigurie.

Ai dënoi praktikat e autoriteteve izraelite, për shkak se xhamia është plotësisht e hapur për muslimanët vetëm dhjetë ditë në vit për festat e rëndësishme.

Abu Senine theksoi se xhamia i përket plotësisht fondacioneve islame dhe se hebrenjtë nuk kanë kurrfarë të drejta.

Në haremin e xhamisë, më saktë në shpellat poshtë xhaminë, ndodhen varret e Profetit Ibrahim dhe gruas së tij Sarës, djalit Is’hakut, nipit Jakubit dhe djalit të tij Jusufit dhe bashkëshorteve të tyre. Ndërkaq edhe hebrenjtë nga viti 1994, por vetëm në kohë të caktuar vijnë për të vizituar varrin e Profetit Ibrahim.

Më 25 shkurt 1994, ekstremisti hebre Baruch Goldstien i vuri flakën xhamisë, duke vrarë 29 palestinezë dhe plagosi 125 të tjerë.

Pas kësaj, autoritetet izraelite, për arsye sigurie, muslimanëve u lanë pjesën ku gjenden varret e Profetit Is’hak ndërsa pjesët e tjera liruan për hebrenjtë. Një pjesë u kthye në sinagogë. Pjesët që u ndanë mund të vizitohen në mënyrë me ndërrime nga muslimanët dhe hebrenjtë, por vetëm në kohë të caktuara.