Rtv Pendimi

Mikrobet mund të ndikojnë në diabet

Hulumtimi i kryer në Qendrën e Diabetit Joslin ka zbuluar se disa viruse kanë gjenetikë të ngjashme me hormonet njerëzore. Ekipi i zbuloi katër viruse që reaguan me qelizat në mënyrë të ngjashme me insulinën.

Studiuesit nga Qendra e Diabetit Joslin në Boston i kanë zbuluar katër viruse të gjetura zakonisht në peshq me aftësinë për të krijuar hormone të ngjashme me insulinën. Zbulimi i këtyre llojeve të insulinës virale mund të sugjerojë që mikroorganizmat kanë ndikim në zhvillimin e diabetit, si dhe në çrregullime të tjera, si sëmundjet autoimune dhe disa kancere, transmeton koha.net.

Siç tha dr. Emrah Altindis, hulumtues në Joslin dhe autori kryesor i punimit shkencor: “Hulumtimi ynë mund të ndihmojë në hapjen e një fushe të re që mund ta quajmë endokrinologji mikrobiale”.

Ekipi e përdori bioinformatikën, studimin e bazave të mëdha të të dhënave kërkimore që përmbajnë sekuenca virale gjenomike, për të kërkuar struktura gjenetike të ngjashme me hormonet njerëzore dhe proteinat rregullatore. Hulumtimi, i publikuar në revistën PNAS, pastaj i përdori versionet e sintetizuara të peptideve virale të ngjashme me insulinën (VILP) që i zbuluan, dhe e testoi ndikimin e tyre në qelizat e miut dhe të njeriut.

Eksperimentet zbuluan se VILP-et vërtet vepronin si hormone, dhe u lidhën me receptorët e insulinës njerëzore, si dhe receptorët e një hormoni të ngjashëm të njohur si faktori një i rritjes i ngjashëm me insulinën (IGF-1). Studimi konfirmon se këto “VILP-e janë anëtare të superfamiljes së insulinës dhe i pari i karakterizoi hormonet virale”.

Derisa viruset e zbuluara normalisht nuk i infektojnë njerëzit, akti i thjeshtë i konsumimit të peshkut mund t’i ekspozojë njerëzit ndaj këtyre viruseve. Shkencëtarët do të duhej të bënin më shumë testime për të parë nëse viruset mund t’i infektojnë qelizat ose të absorbohen përmes zorrëve.

Hapi i ardhshëm për kërkuesit do të jetë kthimi në bazat e të dhënave, për të parë nëse mund të zbulojnë viruse të tjera që mund të prodhojnë hormone të ngjashme me njerëzit.

“Ky zbulim është maja e ajsbergut”, thotë C. Ronald Kahn, zyrtari kryesor akademik i qendrës dhe autori i lartë i punimit, në një njoftim për shtyp. “Mendohet se ekzistojnë më shumë se 300.000 viruse që mund të infektojnë ose të barten në gjitarë, dhe vetëm 7.500 ose më shumë prej tyre, ose rreth 2.5%, janë sekuencionuar. Prandaj në të ardhmen presim të gjejmë shumë më shumë hormone virale, përfshirë insulinën më virale”.

Me këtë njohuri të re, shkencëtarët mund të fillojnë të bëjnë pyetje rreth diabetit dhe kancerit të cilat kurrë nuk dinin t’i bënin. Zhvillimet e ardhshme të katalizuara nga ky hulumtim mund të kenë implikime të thella për të kuptuarit dhe trajtuarit e sëmundjes.

TË NGJAJSHME