Rtv Pendimi

Milazim Krasniqi: Ne, shqiptarët, viktima të gjuhës!

“Ekskomunikimi – Histori e Fshehur” është libri më i ri i shkrimtarit dhe publicistit prof. dr. Milazim Krasniqi. Një sprovë kjo shumë e guximshme e autorit pasi që përpiqet të zbardhë një histori prej njëzet e pesë shekujsh lidhur me format e komunikimit te ilirët dhe rolin e medies shqipe në përgjithësi. Sipas tij, historia e ilirëve dhe e shqiptarëve deri vonë, është një histori e pllakosur nga amnezioni, nga fshirja e gjurmëve kulturore, me anë të një serie të kulturocideve: “Është një periudhë e gjatë kohore, shumica e secilës ka mungesë drastike të të dhënave, sidomos periudha antike e Ilirisë, pra periudha e hershme e mesjetës e shqiptarëve karakterizohet nga mungesa totale e shkrimeve në gjuhën ilire ose shqipe.”, thekson autori.

“Ekskomunikimi - Histori e Fshehur”

Publicisti Krasniqi shprehet se me këtë libër është munduar që të ndërthurë aspektet e historisë politike me ato të historisë së komunikimit brenda një periudhe të gjatë kohore.

Për të folur më shumë rreth këtij libri, portali‘tesheshi.com’ zhvilloi një bisedë të shkurtër dhe modeste me vetë autorin, prof. dr. Milazim Krasniqi.

Bisedoi: Shkëlzen Rrecaj

Krasniqi, urime për botimin e këtij libri! Keni zgjedhur një titull mjaft interesant, por a mund të na tregoni se cila është materia e këtij libri?

“Ekskomunikimi – histori e fshehur” është një përpjekje imja që të shikohet nga perspektiva historike çështja e formave të komunikimit dhe të medies që prej ilirëve e deri në ditët tona.

S’do mend se kemi të bëjmë me një periudhë e gjatë kohore, periudhë që karakterizohet me mungesë drastike të të dhënave, sidomos të periudhës antike të Ilirisë, pra periudhës së hershme e mesjetës e shqiptarëve. Kjo e vështirëson shumë këtë fushë dhe mu për ketë arsye shumica e studiuesve i janë shmangur studimeve të kësaj periudhe. Ndërsa ne sot kemi boshllëk të madh në studimet e kësaj periudhe, gjë që reflektohet keq në formimin akademik po dhe në identitetin e shqiptarëve të sotëm.

Përpjekja ime, në fakt, është që përmes metodës kritike të njoh aspektet e kësaj periudhe, historinë politike dhe historinë e komunikimit. Unë besoj se nuk i kam zgjidhur të gjitha problemet dhe dilemat, të cilat as që i pretendoj se mund t’i zgjidh, por mendoj se së paku këto teza do të zgjojnë një interesim për studiuesit e ardhshëm. Në këtë pikëpamje, unë kam marrë mundimin për ta riinterpretuar historinë e të kaluarës sonë, pasi që fund të fundit shumica e ngjarjeve që e karakterizojnë këtë libër janë të njohura për historinë tonë, por janë interpretuar me metoda të tjera dhe rrjedhimisht kanë dalë rezultate të tjera. Riinterpretimi i këtyre ngjarjeve, episodeve, personazheve, në fakt më ka sjell në disa përfundime që janë të ndryshme nga ato të shumicës së historianëve shqiptarë të cilët janë marrë me çështjet e Ilirisë dhe të shqiptarëve. Fjala vjen shumë prej arkeologëve dhe historianëve shqiptarë, si p.sh. Zef Mirdita, Skënder Anamali e shumë të tjerë janë të mendimit që romanizimi nuk ka ndikuar në asimilimin e ilirëve. Ndërsa mua më ka rezultuar se shumica e ilirëve janë romanizuar dhe gjunjëzimi më tragjik i ilirëve ka ndodhur pikërisht në periudhën e sundimit romak.

Po ashtu shumë prej këtyre historianëve kanë thënë se periudha më fatale ka qenë periudha e sundimit osman, ndërsa mua më ka rezultuar se është krejtësisht e kundërt dhe se periudhë fatale për ne shqiptarët ka qenë sundimi romak, bizantin dhe veçmas ai serb i Mesjetës, të cilët kanë bërë një proces të tmerrshëm të asimilimit edhe i shndërrimit të arbërve ose të shqiptarëve në sllavë, proces ky që është ndërprerë përfundimisht me ardhjen e osmanëve në Ballkan. Pra krejt ky spektër i riinterpretimit që u kam bërë këtyre periudhave në të vërtetë hap një dimenzion tjetër në lidhje me të kaluarën tonë dhe në fakt e ndryshojnë pamjen për miqtë dhe armiqtë, për ata që na kanë ndihmuar dhe për ata që na kanë dëmtuar. Kështu që këto konstatime sado që janë në formë iniciale, ato mund të shërbejnë për projekte serioze në këtë drejtim.

Nga leximi që i bëra librit, pashë se ju jeni munduar ta pasqyronin rolin e medies në formimin e kombit shqiptar dhe në kulturën tonë në përgjithësi?

Po, është e vërtetë. Jam munduar që të vë në spikamë çështjen e rilindjes kombëtare dhe rëndësinë që e kanë pasur themelimi i medieve në këtë proces shtetformues dhe në kulturën tonë kombëtare. Është paraqitur një gjeografi e këtyre medieve si në diasporë, ashtu dhe nëpër gjithë botën, programet e tyre, etj. Pastaj është trajtuar çështja e medieve në gjuhën shqipe në ish-Jugosllavi dhe i kam nxjerr disa rezultate që besoj më parë kanë qenë të fshehura, për shkak se duke jetuar gati 100 vjet nën ish-Jugosllavi, histografia shqiptare i ka fshehur shumicën e fakteve për gjenocidin që ka bërë Serbia në Luftërat Ballkanike, në pushtimin e parë të Kosovës dhe e tërë kjo për pasojë ka patur edhe ndalimin e komunikimit në gjuhën shqipe e kështu me radhë.

Në anën tjetër po ashtu janë pasqyruar edhe problemet e reja që kanë dalë në komunikimin e medieve në Kosovën e lirë, pas vitit 1999, ku tashmë është instaluar një status neokolonial i Kosovës nga faktori ndërkombëtar, i cili përmes sponsorizimit të tyre kontrollon mediet në forma perfide. Pra, kemi të bëjmë me një tregim pa fund lidhur me mediet, komunikimin dhe historinë e shqiptarëve e që është një histori e cila në pjesën më të madhe të saj është fshehur nga publiku dhe i është dhënë vetëm ajo pjesë për të cilën ka qenë e interesuar që ta prezantojnë si të tillë politika dhe historiografia sllave e që në të vërtetë e ka deformuar në masë të madhe botëkuptimin e shqiptarëve për veten e tyre.

Çfarë fsheh ky titull?

Titulli “Eskomunikimi – Histori e Fshehur” mendoj se është një gjetje e duhur i cili ravijëzon problemin kyç të historisë së ilirëve dhe shqiptarëve, pasi që historiografia jonë në masë të madhe e ka fshehur faktin se ilirët në periudhën romake kanë qenë populli i diskriminuar dhe i ekskomunikuar. E vërteta është se ata nuk kanë patur të drejtat më elementare, madje as të drejtën e ekzistencës fizike nëse nuk kanë pranuar që të shndërrohen në atë që atëherë njihej si civitas, pra qytetarë romakë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në periudhën bizantine dhe periudhën serbe, ku arbërit kanë qenë të obliguar të deklarohen ose si helenë ose si sllavë dhe kjo në të vërtetë ka prodhuar një asimilim masiv të ilirëve dhe shqiptarëve në romakë, helenë dhe sllavë. Pra ideja është që të zbulohet pikërisht pasoja e këtij statusi të një populli të ekskomunikuar, të përjashtuar e të diskriminuar dhe ne sot i jetojmë këto pasoja. Pasardhësit e ilirëve prej një populli të shtrirë në gjithë Gadishullin Ballkanik, kanë mbetur sot një komb i vogël në këtë hapësirë dhe kjo ka ardhur si pasojë direkte e presioneve e diskriminimeve dhe mbi të gjitha ekskomunikimit që kanë zbatuar pushtuesit e vjetër, në veçanti ata romakë, bizantinë dhe sllavë.

TË NGJAJSHME