Rtv Pendimi

MILINGONA DHE MJALTI – DYNJAJA DHE NE

Ra mbi tokë një pikë mjaltë dhe erdhi një milingonë e vogël, e cila iu afrua pikës së mjaltit dhe shijoi nga ajo. Më pas tentoi të largohet, mirëpo si duket shija e mjaltit i la mbresa të mëdha, kështu që u kthye dhe përsëri provoi nga mjalti. Vendosi të largohet, mirëpo si duket nuk mundej të ngopet nga ajo që e mori nga mjalti. U nis prapë të merr diçka nga ajo, mirëpo kësaj radhe milingona vendosi të futet brenda pikës së mjaltit, e të kënaqet shumë e më shumë.
Milingona u fut brenda pikës së mjaltit dhe filloi të kënaqet brenda saj duke e shijuar ëmbëlsinë e mjaltit, mirëpo papritmas kur dëshiroi të largohet nga ajo, nuk mundi të dalë. Mjalti ia kishte pas lidhur duart dhe këmbët e saj dhe iu kishin ngjitur për toke dhe nuk mundej të lëvizë. Mbeti në këtë gjendje derisa ngordhi. Mjalti ishte shkaku i shkatërrimit të saj dhe moskënaqja e saj me atë qe e hëngri dhe dëshira e saj për më tepër ishte arsyeja e përfundimit të saj të dhembshëm.
Nëse ajo ishte e kënaqur me pak nga mjalti, do të kënaqej dhe do të shpëtonte, mirëpo ajo e refuzoi këtë, ajo donte më tepër dhe më tepër.
Kështu është dynjaja dhe po ashtu edhe ne. Ne nëse jemi të kënaqur me atë të lejuarën nga dynjaja dhe i shfrytëzojmë begatitë brenda kufijve të cilët i ligjëroi Allahu për ne, pa mos u futur thellë në të dhe pa mos na larguar nga përgatitja për ahiretin, njeriu do t’i fitonte begatitë e dynjasë dhe ahiretit.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

TË NGJAJSHME