MINIQI – ”Emancipimi” i femrave të shek.XXI!

Është interesant fakti se sa më shumë që po shtohet tek ne numri i butikeve, aq më shumë po shtohet zhveshja tek gjinia femërore, unë çuditem me të vërtet, dhe bëj pyetje, a janë këto butike të veshjes apo të zhveshjes?! 

Është pak e çuditshme, por e vërtetë, hapet një butik diku në qytet, shkon femra në një formë të veshjes, hyn brenda e veshur dhe del gjysmë e zhveshur, kjo për mua është e pakapshme, por unë sinqerisht ju pyes edhe diçka, a keni pa ndonjëherë ndonjë njeri të uritur, i cili ka shku në një restaurant për të ngrënë dhe pasi është ushqy, ka dal nga restauranti edhe më i uritur se që ka qenë, a keni pa kështu diku në botë?!

Jo asnjëherë, as që keni me pa ndonjëherë, këtë mund ta hasni vetëm tek moda e re e femrave tona “shqiptare dhe muslimane” të kësaj kohe të ligë, të cilat shkojnë të veshura në butike dhe dalin gjysmë të zhveshura!

Unë nuk e di çfarë roli tjetër meriton ta luaj restauranti për vetëm se t’u ofrojë njerëzve shërbim në ushqim, pra, një nga shërbimet kryesore, dhe e pakapshme është për mua që ta luaj rolin e kundërt, pra, edhe butiku, a nuk e luan rolin e shitjes së garderobave që mbulojnë dhe zbukurojnë trupin ashtu si i ka hije njeriut mashkull apo femër, apo e ka rolin e kundërt?! 

Siç po shihet fatkeqsisht është e kundërta, aty ofrohen gjysmë-zhveshje për femra të veshura, pra, këto butike meritojnë që në ball t’u shkruhet: “Ofrojmë gjysmë-zhveshje për femra të veshura!” 

Atyre ju dhemb kjo fjalë, sepse mundohen të shkretit ta mbulojnë të vërtetën për interesat e tyre, e ne me ndihmën e Allahut të vërtetës do t’i bëjmë vend dhe hyzmet, do ta qesim në shesh, ju pëlqej apo s’ju pëlqej, ne për hir të së vërtetës jetojmë dhe vdesim dhe e lusim Allahun të na bëj të mundshme që të vdesim për hir të së vërtetës, hiq s’na dhimbset kjo jetë kur e japim për të vërtetën, e tash një të vërtetë ua themi të gjithë atyre që kontribuojnë në përhapje të amoralitetit, apo elementeve që qojnë në pus të pa fund, pra, në amoralitet, e në veçanti ky mesazh le t’u dedikohet pronarëve të butikeve që shesin “veshje” të çoroditura, pa fije morali, komplet me karakter amoral, pra, fjala e Allahut, Krijues:

“Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet amoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë botë dhe në botën tjetër”. (Kur’an, kaptina nr.24, ajeti nr.19).

Cili do të jetë halli juaj në këtë rast?!

Sa çudi, nëse me asgjë si popull nuk shquhemi në botë, me këtë gjithsesi, po po mos u çuditni, është një realitet i hidhur, nëse kemi drejt të shprehemi figurativisht; një kafshatë që të mbetë në fyt, kjo është koha e ligë, ora e ligë, çastet e liga, ditët dhe netët e liga, pse e gjithë kjo?! Sepse është ligë, plakë dhe dobësu mentaliteti, morali dhe intelektualiteti, në radhë të parë i vet femrave, atyre ju ka humbë rruga në oborr, gjithmonë duke bë përjashtime, kur them “femrat”, kam për qëllim “më të emancipuarat”, të cilat po dominuan në rrugët publike të qytetit, të fusin në dyshim, a thua vallë, ku jam unë, në plazh apo në qytet, a thua vallë, janë këto femrat, motrat dhe bijat tona që i thonë vetes “shqiptare dhe muslimane”, a thua vallë, përparim na qenka ulja e moralit të femrës dhe investimi në amoralitetin e saj?! Kush është ai largpamës që nuk i sillen vërdallë në kokë këto pyetje dhe që nuk i nxjerr këto zbërthime nga ky realitet që po e shohim?!

Eh sa paraja shpenzohet, sa djersët derdhen dhe sa investimet bëhen për t’ia zhvesh një popullit moralin që e ka, po që se e ka moralin të qëndisur fort, nëse jo me ia zhvesh, së paku me ia deviju dhe dobësu, dhe në anën tjetër me ia hijeshu të keqën që e ka ndaluar Allahu, Krijuesi jonë, pra, amoralitetin, i cili me hapa jo të ngadalshëm po përhapet nëpër shumë shoqëri, besa edhe tek ne, edhe atë me të madhe, të gjithë në këmbë për eliminimin e vlerave morale të popullit tonë që i kemi trashëguar që sa e sa shekuj, sepse tash duan “vlera” tjera, “jetë” tjetër dhe “kulturë” tjetër, e që në fakt i bie, tash më nuk duan të jenë origjinali dhe vetvetja, vetëm se fals mbi fals dhe imitues të verbër të të huajve, në çdo lëvizje të vogël dhe të madhe, e në veçanti në identitetin e “veshjes”, në fakt zhveshjes!

Unë pyes, kur ka qenë miniqi (minifundi) pjesë e identitetit të popullit tonë, bijave tona, a ka qenë gjithmonë, para luftës së viteve 99, a ka pas një numër kaq të madh të femrave me minifunde sikur që kemi sot, a?! 

– A nuk i kemi pas gjyshet dhe stër-gjyshet, e te poshtë me radhë, që të gjitha të mbuluara dhe të veshura si i ka hije një gruas shqiptare dhe muslimane?!

– Pastaj veshja e mirëfillt së bashku me shami, ka qenë dhe mbetet edhe sot si veshje tradicionale e valltareve të ansamblit Shota, apo jo?!

– Pastaj populli jonë gjithmonë ka pas nëna që kanë lind burra të mëdhenj, që e dhanë jetën për lirinë e Kosovës, por jo për “lirinë e amoralitetit”, që të gjitha të mbuluara kanë qenë, apo jo?!

Shembuj nga jeta dhe dëshmi të shumta kemi që tregojnë se miniqi kurrë tek shqiptarët s’ka pas vend, kurrë hiq, femrat me miniq kanë qenë të rralla, edhe ato që kanë qenë janë konsideruar dhe njoftë si femra të pamoralshme, e kanë pas vendin e vet dhe ato fare s’janë llogaritur si pjesë e shoqërisë së civilizuar, ato s’kanë pas asnjë ndjenjë qoftë fetare apo kombëtare, femra injorante dhe pa asnjë vlerë, s’ju ka interesuar përparimi dhe zhvillimi intelektual, kanë qenë më të ulëta se shtazët, kanë qenë siç thotë populli: “Bira e fundit e kavallit!” 

Ndërsa ti, e beson Allahun për Zot, i takon fesë islame, e pranon Muhamedin alejhi selam për pejgamber, e flet gjuhën shqipe dhe je shqiptare, synon të ecësh përpara intelektualisht, të jesh shembull në shoqëri dhe popull, atëherë dije se nuk të ka hije të zhvishesh aq shumë, sepse ajo që zhvishet në minifund nuk meriton me hy në maratonën (garën) e intelektualeve të botës, nuk meriton.

Kam dëshirë të ma përshkruash ndjenjën e të ecurit në rrugë gjysmë e zhveshur, unë nuk e di si është, përderisa gjinia mashkullore, falënderimi i takon Zotit, në këtë s’kanë problem, vështirë të shohësh meshkuj gjysmë të zhveshur, e aq më pak që pjesët e turpshme t’i zbulojnë publikisht, andaj, kjo vlen për ju: “A nuk e din ai (ajo) se Allahu e sheh?!” (Kur’an, kaptina nr.96, ajeti nr.14). Të sheh Zoti yt, dhe ti e din se Ai nuk pajtohet me atë lloj të “veshjes” zhveshjes, dhe ec “e qetë”, si mundet ashtu?!

Ty të mos mashtroj cytja e djallit të mallkuar, i cili është armiku yt i përbetuar, të betohem në Krijuesin tënd që është i Gjallë dhe s’vdes kurrë, se shejtani mundohet gjithmonë me ta “hijeshu” minifundin, jo pse i ka ardhë koha, miniqit kurrë nuk i vjen koha, sepse s’ka krijuar Allahu kohë që të kalohet në amoralitet, jo dhe jo, por shejtani të cyt për në lakuriqësi, mos e dëgjo, e as mos u mashtro pas modave të reja, të cilat të servohen nga popujt dhe shoqëritë evropiane, nga mediumet tona dhe të huaja, nga kultura të ndryshme që fare s’përputhen me vlerat e tua kombëtare dhe fetare, bile është i çuditshëm fakti se edhe ndërkombëtarët kur e kanë pa llojin tuaj të “veshjes” janë habitë, sepse femrat normale në Europë nuk i sheh në rrugë me minifunde, ato me minifunde kanë një tretman të vaçantë, vetëm tek ne po synohet që të “normalizohet veshja me minifund”, vetëm tek ne!

Mos i imito femrat e huaja, ji vetvetja dhe origjinali, mos u bëj fals, e sheh një femër me minifund, ti faktikisht ke pa nivelin e ulët të saj, mos i lakmo asaj që Allahu e ka ndalu, s’ka kënaqësi dhe emancipim aty, askush prej njerëzve që ka ndjenja fetare dhe kombëtare, që ka moral dhe nderë, nuk të lavdëron, të gjithë ata që e kanë frikë Zotin kur të shohin në rrugë e ulin shikimin prej teje, a e din pse?! Sepse Allahu i porositë, mos çuditë, ja shihe: “Thuaju besimtarëve t’i ulin shikimet e tyre (prej të ndaluarës)”. (Kur’an, kaptina nr.24, ajeti nr.30). Pra, trupi yt i zbuluar bëhet i ndaluar, të vie “mirë”?!

Vetëm ata me moral të dobët habiten pas teje, rrugaqat e banditat, hajnat e tradhëtarët, ata, të cilëve u mungon dija, tradita e besimi, që janë të ndytë në mendje, në shpirt e në zemër, në gojë e në qëllime, luajt e egër t’u kanë vërsul ty, dhe s’kanë qëllim tjetër vetëm se me t’i shkatërru të gjitha vlerat dhe me të bë mall të lirë, me të shfrytëzu sa herë që ju konvenon, sepse ti vet ashtu duke i ekspozuar pjesët më të turpshme, më të ndishme dhe më intime të trupit publikisht, ke pranu që të bëhesh tryezë, lodër dhe kafshatë në duart e njerëzve më të fëlliqur dhe më keqadashës, ndërsa Zoti yt të porositë ndryshe, Ai të thotë: “Mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e vërteta që të është shpallur”. (Kur’an, kaptina nr.5, ajeti nr.48). 

Ani pse ty të duket që ke përparu, dhe se epshet po “i kënaq”, dhe se ke bë pare dhe me ato pare “e ke rregullu” jetën materiale, dhe se “meshkujt” po t’i rrahin krahët, e ndoshta edhe mediumet vrapojnë pas teje dhe të marrin gjithmonë në konsideratë dhe në top-temë, megjithatë, ti ashtu je e padëshiruar te Allahu, pastaj edhe te melaiket e Tij në qiej, dhe te njerëzit e mirë në tokë nuk e ke “like”, por e ke “dislike të madh”, dhe fundi pritet të të vie i ithët, andaj, mos lejo, por pendohu te Allahu dhe kërkoj falje, Ai të pret që t’i kthehesh e përulur, e penduar dhe e përlotur, me zemër dhe mendje të pastër, pa marrë parasysh sasinë dhe shëmtinë e gjynaheve, Ai e pret kthimin tënd, dhe për kthimin tënd do të ketë shpërblim shumëfish, do t’ju pastrohet dhe freskohet shpirti i ndytë nga epshet e kësaj bote, kthehu pra, çka po pret?! Allahu thotë: “Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’ua shlyejë gabimet e t’ju shpie në Xhenete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj”. (Kur’an, kaptina nr.66, ajeti nr.8).

Ne gjithmonë pyesim për ta nda të vërtetën prej të kotës, të pastërtën prej të ndytës, të drejtën prej të padrejtës, pse ky stil i ri i “veshjes”, mos na e ka kushtëzu Europa që nëse duam të hyjmë në BE, duhet bijat tona t’i zhveshim gjysmë-lakuriqe, dhe ashtu “përmbushim një standard drejt BE-së”, a ekziston “standardi i gjysmë-zhveshjes”, diku në botë, a?! 

Jo, normal që jo, po çka u bë me motrat dhe bijat tona në këto ditë, a ka përgjigje lakuriqësia e femrave, le të na përgjigjen ato vet pasi që “e paskan gjetur rrugën e lumturisë”?! E ashtu si kërkon Allahu që ato të vishen nuk është diçka e pamundshme dhe e vështirë, përderisa Allahu po thotë: “Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju”. (Kur’an, kaptina nr.2, ajeti nr.185). 

Ne e dimë se ato duan të jenë qendër e vëmendjes nëpër rrugët publike, që kur të dalin ato, shikimet të kthehen kah trupat e tyre, disa prej tyre kanë qëllime provokative, hajt veç t’ua kalli sytë meshkujve të ligë, e disa prej tyre janë në gjendje që edhe ta shesin nderin e tyre pa fije turpi e frike ndaj Zotit, po sikur ta kishin pas frikë Allahun vetëm 1%, frikë të sinqertë dhe sikur ta kishin pas parasysh çka pason pas asaj “kënaqësie” të rrejshme, vetëm 1%, dënim i dhembshëm natyrisht, edhe atë në Xhehenem, as mendja s’do të ju shkonte që pas gjumit të natës, kur të zgjohen, drejt e miniqin në trup dhe “bismilah”, jo more, po ato as bismilah ndoshta nuk bëjnë, ku vishet miniqi me bismilah, neve na ka mësu Muhamedi alejhi selam, pejgamberi jonë i dashur që edhe teshat kur t’i veshim, t’i veshim me bismilah, me emrin e Zotit, a thua këto “të emancipuarat”, a vishen “zhvishen” me emrin e Allahut?! 

Kështu kur mungon ndërgjegjja e pastër, besimi i mirëfillt dhe vlerat tradicionale e fetare, përkundrazi, ky lloj i këtyre femrave të çoroditura, sikur t’i kishin parasysh këto do t’i ecnin përpara rrugës së ndershme martesore, dhe në anën tjetër do t’i luftonin të gjitha elementet që të qojnë në amoralitetin shkatërrues! 

Mos na keqkuptoni, ta dini se ne s’kemi asgjë diçka kundër femrave me minifunde, e as që jemi duke i ofenduar, ne e luftojmë amoralitetin e femrave, e jo femrat, sepse tash kanë me na akuzu neve, kinse “ne gjininë femërore e shkelim dhe ia humbin dinjitetin”, ndërsa ne vetëm i zbërthejmë fjalët e Zotit, ata harrojnë se ta luftosh dhe ta eliminosh veshjen në minifund, do të thotë luftim dhe eliminim i një force drejt amoralitetit, e luftimi i amoralitetit është shpëtimi i shoqërisë në të dy botët, kjo nuk është radikalizëm, por thirrje në moral dhe nderë, aty ku ngritet femra shqiptare. 

Dhe ne ju mbulojmë menjëherë me argumente, s’ju japim rast që të vërtetës “t’i gjeni të meta, e të ju del rendi juve me përmirësu atë”, jo dhe jo, argumenti se shpëtimi i rinisë gjendet në vlerat morale, e jo në amoralitet është dëshmuar edhe gjatë gjithë historisë, gjithmonë ato shoqëri që janë ndytë me amoralitet kanë pësu shumë keq, përderisa boshti kryesor i shoqërisë, e që është rinia, i është ndytë në amoralitet, atë shoqëri e ka marrë pusi, e ka marrë uji i turbullt i dal nga shtrati, dhe më në fund do ta merr edhe Xhehenemi.

Mrekulli mbi mrekulli, një nga to, kur Muhamedi alejhi selam e përjetoi Isranë dhe Miraxhin, lexojeni historinë e saj, një nga argumentet e Zotit që pa atje, ishte edhe ajo se ai pa një shoqëri, të përbërë prej meshkujve dhe femrave, që të gjithë lakuriq, të cilët ndëshkoheshin rëndë, aq rëndë saqë u hynte zjarri (flaka) nga organi gjenital dhe ju dilte nga goja, dhe u tundshin ashtu posht e përpjet, kur Muhamedi alejhi selam i pa këta, i pyeti melaiket e tij shoqëruese se kush janë këta, e ata i thanë: “Sa u përket njerëzve dhe femrave të zhveshura që mundohen në furrën e përflakur me flakë të zjarrit; këto janë laviret dhe pushtët”. (Hadithi nr.870, thënie profetike e marrë nga libri i haditheve “Rijadus-Salihin). 

Deri tek ky ndëshkim i ashpër shkohet dalëngadalë, shikoni sa drejtë dhe bukur i përshkruan fazat drejt amoralitetit dijetari i mirënjohur, Ibn Kajimi (Zoti e mëshiroftë): “Shikimi është baza e çdo ngjarjeje që godet njeriun. Të shikuarit lind ndjenjën, pastaj ndjenja lind të menduarit, pastaj të menduarit lind epshin, pastaj epshi lind dëshirën dhe pastaj forcohet ajo dëshirë dhe bëhet këmbëngulje e si rezultat i saj do të ndodhë ajo vepër, nëse nuk ka ndonjë ndalesë që e ndalon atë”. 

E zhytja në amoralitet na qon në Xhehenem, mos pritni në Xhenet, atë e ka krijuar i Pastërti, dhe e ka bë të pastërt dhe ka vend në të vetëm për të pastërtit, për të ndytët e pamë se ku, por edhe një gjë, para dënimit të Zotit në botën tjetër pason dhe dënimi në këtë botë, sot është bë top-temë çështja e AIDS-it, e çka është AIDS-i?! 

Mulla Jakup Asipit (Zoti e mëshiroftë) thoshte: “AIDS-i është ushtar i Allahut në tokë, ai është ushtar me pendrek, por njerëzit s’po e shohin, vetëm po japin statistika se edhe kaq vite kaq milionë kanë me vdekë nga AIDS-i!” 

E pse kështu?! 

Mulla Jakupi përgjigjej: “Sepse e kanë braktisë rrugën e Allahut dhe kanë fillu me u marrë me rrugët e dreqit, e rrugët e dreqit janë të bllokuara, si bllokohen ata?! Ja kështu: “S’ka ilaq!” 

Pra, s’ju del ilaqi, zhyten në amoralitet dhe Zoti dërgon dënime mbi ta një pas një, dhe të mjerët ata, që të gjithë vuajnë pasoja nga të cilat është vështirë të dilet, sepse dënimit të Allahut s’mund t’i bëhet ball, e disa mundohen nëpërmjet disa mjeteve kontraceptive të parandalojnë paraqitjen e AIDS-it, kjo i bie: “Ne mund të vazhdojmë me amoralitet, por në marrëdhëniet intime jashtë martesore të kemi kujdes, të përdorim mjete kontraceptive, sepse ashtu mbrohemi nga sëmundjet gjenitale (dënimi i Allahut)!”

Pra, ti zhytu në haram e kundërshtoje Allahun, rrasu mirë në amoralitet dhe “kënaqi” qefet e tua, por përdore këtë se “kështu mund t’i shmagesh dënimit të Zotit”, sa çudi! 

Kjo s’mund të ndodhë kurrë, nuk mund të shpëtojmë nga dënimi i Zotit me hile, mësuesi dhe pejgamberi jonë i dashur Muhamedi alejhi selam na ka thënë: “Nuk është përhapur amoraliteti në ndonjë popull derisa ta shfaqin hapur, e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja (sëmundjet ngjitëse) dhe sëmundje të tjera, të cilat nuk kanë ekzistuar tek të parët e tyre”. (Hadith, thënie profetike, transmetuar nga El Hakimi dhe Ibën Maxhe).

Pra, s’ke ku shkon, vetëm do t’i bësh dëm vetes dhe shoqërisë, Islami nuk e lufton AIDS-in, apo ndonjë sëmundje tjetër gjenitale, por e lufton burimin e sëmundjeve amorale, pra, amoralitetin, kur të parandalohet ai, parandalohet edhe dënimi i Allahut (sëmundjet shkatërruese) dhe vie mëshira e Allahut dhe pastaj jetojmë si duhet të qetë.

Shikoje sa bukur dhe sa arsyeshëm na thërret Zoti t’i shmangemi tërësisht amoralitetit dhe rrugëve që na qojnë në amoralitetin shkatërrues, vetëm e vetëm që morali jonë të shpëton, se po fluturoj morali, fluturojmë edhe ne, edhe njerëzia jonë, pastaj shndërrohemi në jo-njeri dhe jo-popull, Allahu po thotë: “Mos iu afroni amoralitetit, se me të vërtetë ajo është një punë e ndytë dhe rrugë shumë e keqe”. (Kur’an, kaptina nr.17, ajeti nr.32). 

Dhe të gjithë dijetarët Islam janë të mendimit se që të gjitha elementet, si zhveshja, e tutje me radhë, të cilat qojnë kah amoraliteti, janë prej mëkateve më të mëdha. 

Ndërsa ata që marrin guxim me na akuzu pas gjithë asaj pune që është bë në luftim të amoralitetit, duke e fut në atë zingjir edhe këtë shkrim, harrojnë se Allahu në Kur’an për sistemin jetik të femrës flet në 444 ajete, prej 6219 ajeteve gjithësej, 444 i merr vetëm pozita e femrës, që të gjitha i japin mësime dhe vlera morale femrës, por ata as katër prej tyre nuk i dinë dhe na akuzojnë neve paushall, ani le të vazhdojnë, ta shohim në fund kush do të triumfojë, Allahu na ka premtu se do të jetë me ne për aq kohë sa ne do të jemi krah i fortë i fesë së Tij, e armiqët e Tij Ai ka për t’i fundos një ditë dhe amoralitetit dhe atyre qe ia bëjnë hyzmetin amoralitetit do t’u skadoj afati dhe të mjerët ata të mjerët, për fundin që po i pret nëse nuk pendohen!

Allahu thotë: “Ata do të thonë: O Zoti ynë, neve na mposhti e keqja (tekat dhe epshi) jonë dhe ishim një popull i humbur”. (Kur’an, kaptina 23, ajeti nr.106).

Është shumë e natyrshme që të dobëtit t’i flasësh për fuqi, i dhemb, të voglit t’i flasësh për madhëri, i dhemb, të dështuarit t’i flasësh për fitore, i dhemb, të uriturit dhe të eturit t’i flasësh për ushqim e pije, i dhemb, të urrejturit t’i flasësh për dashuri, i dhemb, të përçarit t’i flasësh për bashkim i dhemb, ashtu si ju dhemb këtyre, ju dhemb edhe të pandershmëve dhe të pamoralshmëve që ne të flasim për nderë dhe moral, po po, është e vërtetë, të gjithë atyre që investojnë në amoralitetin e femrës, qoftë me anë të “veshjes”, në fakt zhveshjes, qoftë nëpërmjet industrive të ndryshme filmike, artistike, koncerteve dhe ahengjeve muzikore ku promovohen antivlera, qoftë nëpërmjet mediumeve televizive, të shkruara apo të dëgjuara, nëpër shumë rrugë dhe mënyra, sepse ato janë shumë, rrugët e dreqit s’kanë fund, me të vërtetë këtyre ju dhemb thirrja jonë në besim, thirrja jonë në dituri e punë, moral e nderë dhe në veshje të mirëfilltë, ju dhemb, por ne prapë i thërrasim tek fjala e Allahut, nëse nuk duan të vijnë, janë të lirë të zgjedhin rrugë tjetër, por le ta dinë se amoraliteti nuk sjell lumturi, atyre ju duket se me anë të amoralitetit e kanë gjetur “kënaqësinë” e kësaj jete, se jeta pa të s’ka kuptim e shije dhe s’jetohet, se kush i shmanget epsheve të këtij shekulli është i prapambetur, e të tjera, por të shkretit dhe të mjeruarit nuk e dinë se të shmangurit prej rrugës së Zotit dhe dhënia pas epsheve e qefeve të ndaluara është barazi me dëshprim, dështim e shkatërrim, dhe ne sjellim argumentin bindës nga Kur’ani, ajet shumë i qartë dhe i kuptueshëm, lexojeni me sytë e zemrës, shikojeni ç’thotë Krijuesi juaj:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (Allahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. Po kështu Ne e shpërblejmë edhe atë që zhytet në mëkate dhe nuk i beson argumentet e Zotit të vet, po dënimi në botën tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm”. (Kur’an, kaptina nr.20, ajeti nr.124-127).

Ne mund të zezës t’i themi bardhësi dhe errësirës t’i themi dritë, por a ia qëllojmë?! Motra ime nëse je bij e arsyes, të mjafton një argument, po nëse je bij e epshit dhe fatkeqsisht ke rrëshqit në ujin e ndotur të amoralitetit, na vjen keq, po edhe 1001 argumente me t’i sjell se ti gjysmë e zhveshur je gjysmë mendje, nuk të mjaftojnë dhe s’të kryejnë punë, çka i duhet rrugës së asfaltuar shiu, aty s’mbinë asgjë, mos prit ftrute nga toka e papjellshme, nga toka e gurëzuar dhe nga toka e thatë, pra, dil nga tuneli i errët i amoralitetit në rrafshin e ndriquar të moralit që fjala e Allahut të depërtoj në zemrën tënde dhe t’ia hjek ndryshkun e fëlliqësirave e të të bëhet zemra pranverë e vërtetë, ndërsa gjynahet e kaluara t’i fal Allahu, por nëse sprovohesh pastaj me njerëzit e së kaluarës, mos u mërzit, edhe lulen më të bukur e sulmojnë bletët, pra, ti kur t’i kthehesh Allahut me komplet qenien tënde, edhe nëse nuk e fiton simpatinë e njerëzve apo ata të sulmojnë, qoftë me fjalë apo etiketime, mos u mërzit, është Allahu, Ai të del Zot.

Në shikim të parë veshja në trupin tënd tregon për ty shumë sende, një prej tyre, çmimin dhe vlerën e trupit tënd, a e vlerëson të shtrenjt apo të lirë, me vlerë apo pa vlerë, me nderë apo pa nderë, apo jo?!

Dhe dije se ke përgjegjësi para Zotit për trupin tënd, edhe pse e ke harru këtë përgjegjësi, ne po ta përkujtojmë, tutju Allahut se bota ekzistonte edhe kur nuk ekzistoje ti dhe do të ekzistojë edhe pas vdekjes tënde, me ardhjen tënde në këtë botë nuk ka ndodhë ku me ditë se çka, bota prapë mbetet e rrumbullakët, nuk mundesh ashtu gjysmë e zhveshur t’i arrish majet e larta të kësaj bote, është fjala jo për majet e maleve dhe kodrave natyrore, por për malet dhe kodrat e dijes dhe shkencës.

Mos mendo se gjysmë e zhveshur në rrugët publike nuk jep asnjë mesazh, ti jep një mesazh që po të kishte erë, ai që do t’u afronte afër teje do të ju sëmureshin mushkëritë nga ajo erë e rëndë, të erdhi mirë apo jo, ti ashtu shkel mbi gjakun e dëshmorëve, të cilët dhanë jetën për liri, e ti e keqpërdor këtë liri, kalon në ekstremitet, dhe provokon një numër të madh të njerëzve, mos lejo ashtu, por kthehu te Allahu, se përndryshe të mallkon Zoti i gjithësisë, të mallkojnë melaiket e Tij të ndershme dhe të mallkojnë edhe njerëzit e mirë, e nëse bëhesh robëresh e vërtetë e Zotit, do ta fitosh kënaqësinë, pajtueshmërinë dhe dashurinë e Allahut, të mjafton Ai për çdo gjë, Ai është më i Forti, më i Pasuri dhe më i Dituri, njëherë e përgjithmonë thuaji lamtumirë veshjeve provokative, sepse ashtu deri tash ke provokuar hidhërimin e Zotit, e çka të duhet jeta nëse Zoti s’është i kënaqur me ty, çka?!

A jetohet vetëm për duartrokitjet e njerëzve, vetëm për “like-t” e njerëzve, vetëm për brohoritjet e njerëzve, vetëm për simpatinë e njerëzve, vetëm për qefet e egos, a jetohet?!

Ku je ti me botën, a vetëm për këtë u krijove, po mendon se i gjithë ky univers që është në shërbimin tënd 24 orë u krijua që të jetosh si robëreshë e epsheve duke e kundërshtuar Zotin dhe duke u bë mendjemadhe?!

Kur mendon t’i rregullosh raportet me Zotin, para se të takohesh me Të, apo pas takimit me Të (në brendësi të tokës, në varrin e errët)?!

Këto janë disa nga “arsyet” që ky lloj i femrave përgjigjen dhe deklarohen në mbrojtje të miniqit të tyre:

– KJO ËSHTË E DREJTA IME!

Po, e drejtë e jotja, sikur të ishe ti “krijuese” e trupit tënd, por për fat ti je vetëm një shfrytëzuese, asgjë më tepër, pronari absolut i trupit tënd është Allahu, Ai e ka kriju, shihe çka thotë Ai në librin e Tij: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer (formën më të bukur)”. (Kur’an, kaptina nr.95, ajeti nr.4). Kush ka të drejtë në një send më shumë, a shfrytëzuesi i atij sendi, apo prodhuesi?! Bëhu e sinqertë, shembull, ti e ke prodhu një send dhe ia ke huazu dikujt, a ke të drejt ta porositësh atë që ta ruaj, apo në momentin që e merr sendin tënd që ia ke dhënë në shfrytëzim ka të drejtë të manipuloj si të dëshiroj me të?! Normalisht se jo, e drejta absolute dhe e përgjithshme mbetet tek ti, pra, Allahut i takon, Krijuesit dhe Furnizuesit tënd që të të sjellë norma dhe rregulla të veshjes, sepse Atë e ke Krijues, Furnizues, Mbikqyrës, etj. Pra, kur jemi tek veshja, edhe pse ti ia bën hyzmetin trupit tënd, prapë se prapë është dikush tjetër që e drejta e Tij duhet të dominoj mbi trupin tënd, e Ai është Allahu. Ai të krijoi nga një pikë uji, pastaj fazë pas faze, të krijoi e të përsosi, t’i rregulloj standardet dhe kushtet e jetesës, t’i bëri të gatshme, me një fjalë, ta rregulloj terenin për një jetë stabile, të solli në jetë dhe të pajisi me të mira të pafund dhe të panumërta, nuk ka laps dhe letër që mund t’i shkruaj dhe mbajë të mirat e Zotit, dhe kohë pas kohe me mëshirën e Tij të dërgoi argumente dhe fakte, që ti të mbledhësh mend një ditë. Ai të mësoi si të hash, si të pish, si të luash, si të flesh, si të punosh, si të mësosh, si të adhurosh, si të durosh, si të synosh, si të duash e shpresosh, por edhe si të veshësh, dise sende t’i bëri instiktivisht të kalueshme dhe të zhvillueshme, por mos harro, se e drejta e Allahut është edhe tek veshja jote, dhe si Ai që ia din vlerën trupit tënd, as ti që e shfrytëzon nuk ia din, andaj, të mos duket absurde kur të dëgjosh se ti duhet të vishesh si kërkon Krijuesi yt, e jo si ke qef ti!

Allahu, Krijuesi dhe Furnizuesi yt po thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren (të bëjnë zgjidhje tjetër). Kush e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (Kur’an, kaptina nr.33, ajeti nr.36).

Ti kalon shpejt, nga një pikë uji, njeri, e në fund prapë në barkun e tokës, një ushqim insektesh, por përgjegjësia të mbetet tek Zoti yt. Andaj, mos u mashtro të thuash se është e drejta ime e veshjes dhe unë kam të drejtë të vishem si të ma ka ëndja! Nëse Allahu ta ka ndaluar miniqin dhe të ka porositë që të mbulohesh, dije, kjo është për të mirën tënde dhe këtë e ke nderë prej Zotit, Atë duhet ta dëgjosh, përndryshe je e destinuar për shkatërrim, andaj, nuk thuhet rastësisht se për një sëmundje të caktuar duhet pasuar hapat dhe udhëzimet e mjekut, përndryshe fluturon shëndeti, andaj, kush e njeh trupin tënd më mirë se Allahu, a nuk meriton të dëgjohet?! Pse shteti e përkrahë të keqen dhe ty të jep “liri” në këtë gjë, prapë në fuqi mbetet ligji i Allahut, e ti vishu sipas të drejtës së Allahut, e jo si ke qef ti, përndryshe vetëm vetveten e dëmton, Zoti yt po të thotë: “O besimtarë, respektojeni Allahun! (Kur’an, kaptina nr.4, ajeti nr.59).

Nuk je “zot” i vetvetes që të manipulosh si të duash me veten, mbi një send të prodhuar më së shumti ka të drejtë prodhuesi, e ti je krijesë, Krijues e ke Allahun, a po mendon se Ai “të mëson dhe udhëzon keq”?! Qefi është qef, ne po e dijmë, po së paku respektoje edhe në veshje, do ta kesh dëshmi ditën e gjykimit se ti Zotin e ke dashtë, përndryshe nëse Allahu i thotë minifundit “JO’’, ndërsa ti “më e mençur” i thua “PO’’, atëherë çka po pret, raporte të mira?! Jo kurrë, as me Zotin, pastaj as me familje e as me shoqëri të mirë, nëse ata analizojnë si duhet, andaj, lejo që Allahu ta shtrijë pushtetin e Tij edhe mbi veshjen tënde, ja shihe se si Ai urdhëron në librin e Tij: “O pejgamber, thuaju grave dhe vajzave të tua, si dhe grave të besimtarëve, që të lëshojnë mbulesën e tyre (të kokës) përreth trupit. Kjo është mënyra më e përshtatshme që ato të njihen e të mos ngacmohen nga të tjerët”. (Kur’an, kaptina nr.33, ajeti nr.59). Pra, e ke urdhër hyjnor nga Allahu, mbulesa s’është dëshirë dhe ide e pejgamberëve, e as e hoxhallarëve, e asnjë muslimani, mbulesa sipas rregullave islame është dëshirë dhe urdhër i Zotit dhe i askujt tjetër, a e sheh, i Gjithëdituri po thotë se e mbuluar si duhet nuk ngacmohesh e ofendohesh nga të tjerët, a nuk është ashtu, janë dy femra duke ecur në rrugë pranë disa meshkujve të ligë, njëra në minifund dhe tjetra me mbulesë, çka thua, a do ta ngacmojnë atë me minifund, apo këtë me shami, cilën?!

– S’GUXON ASKUSH ME MU PËRZI, JU SHIKONI PUNËT E JUAJA!

Të gjithë ne që të themi ty se ti “e veshur” me minifund nuk je në rregull, dije se ne ta duam të mirën, ti s’po na kupton, por herët apo vonë do të na kuptosh, ne nuk kemi ndonjë interes të kësaj bote nëse të këshillojmë për t’u vesh si duhet, thjesht ta duam të mirën, atë që ia duam vetes e duam edhe për ty, sepse këtë e kemi parim fetar, pastaj ne kryejmë një obligim fetar, ngase ne para të keqës e kemi të ndaluar me hesht, obligohemi të keqën ta ndalim me dorë, nëse s’kemi mundësi, ta luftojmë dhe ndalim me gjuhë, e nëse as ashtu s’mundemi, së paku ta urrejmë me zemër, por kjo është dëshmi e besimit të dobët. Dije oj motra ime se Islami jonë nuk është aq i ngushtë siç na e paraqesin injorantët, është me të vërtetë sistem i jetës, i ardhur për të mirën tonë, një nga parimet e tij të shkëlqyeshme që ndikon fuqishëm dhe pozitivisht në rendin shoqëror është edhe parimi i urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja, nëse Allahu një send e ka cilësu të mirë dhe na ka thirrë në të, ne shkojmë pas dhe i thërrasim edhe të tjerët, por nëse e ka cilësu të keqe, të dëmshme dhe jo progresive, siç është amoraliteti, na ka thirrë të ndalemi para tij, bile as të mos i afrohemi, sepse një hap drejt amoralitetit, një hap drejt Xhehenemit, ju erdhi mirë apo s’ju erdhi, kjo është e vërteta, ne ndalemi pranë asaj të keqe dhe nuk i afrohemi, pastaj edhe të tjerëve ua tërheqim vërejtjen. 

Andaj, ti po pranon të jetosh e zhytur në amoralitet, gjysmë e zhveshur, dhe s’po të vjen fare mirë kur dikush po të këshillon për të mirë, apo po të ndalon nga e keqja, besoj që tash e kuptove pse muslimanët sipas teje “përzihen” në punët e të tjerëve, jo, ata i shikojnë punët e veta, s’kanë kohë me u marrë me punët e huaja, por e kanë parim fetar komunikimin e fjalës së Allahut, unë ta thash një të vërtetë, ta dërgova një mesazh, ta përçova fjalën e Krijuesit, a e merr ti apo jo, mua s’më intereson shumë, unë dua që ta pranosh sepse ashtu shpëton dhe has në lumturi të vërtetë, por nëse e refuzon, dënohesh ti dhe unë s’dha përgjegjësi, ne dhunën kurrë nuk e përdorim si mjet, ne thërrasim në Islam, nëse besoni keni me arritë fitore, po që se mohuat, dijeni se u shkatërruat dhe ja parimi jonë: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” (Kur’an, kaptina nr.16, ajeti nr.125).

– AH JETË O JETË, MINIQI ËSHTË EMANCIPIMI I NEVE FEMRAVE, MBULESËS I KA SKADU AFATI!

Mos është emancopëtim?! Para meje kanë fol dhe kanë shkru shumë në lidhje me këtë temë, edhe pas meje me siguri dikush do të shkruaj apo flasë, prapë se prapë vetëm të zotët e mendjes marrin mësim, pse ne jemi në një kohë moderne, ne prapë kemi nevojë për Allahun, apo jo?! Jeta ka kuptim dhe lezet kur jetohet sipas dëshirës së Allahut, përndryshe nëse jetojmë si shtazët, atëherë si mund të thoni: “ah jetë o jetë”, çfarë jete është jashtë dashurisë së Zotit, jetë duke i pasuar epshet dhe duke e harruar Allahun?! Zhveshja ka qenë gjithmonë dëshmi e prapambeturisë, me pas qenë emancipim dhe sukses i vërtetë, lopa do të fitonte në garat e lakuriqësisë! A nuk keni turp nga Allahu, si mund t’i skadoj afati ligjit të Krijuesit, Atij që është pa fillim dhe pa mbarim?! Nëse thua se “vapa e madhe po ma imponon miniqin”, unë ta sjelli një argument, kur u pyet një studente njëherë nga një gazetar për mbulesën e saj, se si ajo në atë vapë të ditës kishte mundësi ta mbante, ajo ju përgjigj me fjalën e Allahut, i Cili ka thënë: Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” (Kur’an, kaptina nr.9, ajeti nr.81).

Për fund, ktheju Allahut, jepja besën Zotit sinqerisht se miniqin s’do ta veshësh më, dhe do t’i qasesh jetës ndryshe, mu ashtu si kërkon Allahu, sepse vetëm ashtu do ta gjesh krenarinë dhe lumturinë e vërtetë, andaj, fillo nga sot me emrin e Tij. E na bëni hallall edhe kësaj here se prapë e kemi zgjatë pak, Zoti ju shpërbleftë dhe ju nderoftë, shpresoj t’ia kemi qëllu, qëllimi ka qenë i mirë, Selam Alejkum!

Autor: Labinot Kunushevci

 
Redaktor fetar: Hoxhë Fadil Musliu