Ministri i energjisë: Me blerjen e flotës së anijeve, Katari do të jetë fuqi globale e gazit

Ministri i Energjisë i Katarit, Saad Sherida al-Kaabi, ka bërë të ditur se vendi i tij dëshiron të bëhet një fuqi globale e gazit duke investuar në “qindra anije” që të mund të transportojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG), transmeton Anadolu Agency (AA).

Për të përditshmen gjermane ‘Bild’, ministri al-Kaabi, i cili po ashtu është shef ekzekutiv i kompanisë ‘QatarEnergy’, tha se Katari është në procesin e ndërtimit të “flotës më të madhe të anijeve në botë” për të eksportuar LNG-në.

Al-Kaabi njoftoi se në flotën e anijeve, e cila aktualisht po ndërtohet në Kinë dhe Korenë e Jugut, u investua në një shumë ekuivalente prej 20 miliardë eurosh. Ai shtoi se do të ketë “qindra anije” që do ta bëjnë Katarin një fuqi globale.

Më herët gjatë ditës, al-Kaabi nënshkroi një kontratë me Gjermaninë, sipas të cilës në vendin evropian duke filluar nga viti 2026 do të transportohen 2 milionë tonë LNG për çdo vit.

“Kjo është marrëveshja e parë që kemi bërë ndonjëherë në Gjermani. Siç e dini, nuk ka terminal (LNG) në Gjermani. Një i ri po ndërtohet. Nëse shikoni konsumin total, kjo korrespondon me rreth 3 për qind të konsumit gjerman të gazit”, tha ai.

‘QatarEnergy’ dhe kompanitë gjermane të shërbimeve thuhet se ishin përshirë në negociata të vështira për një marrëveshje të LNG-së për pjesën më të madhe të këtij viti, derisa Berlini kërkon të zëvendësojë Rusinë, e cila është furnizuesi më i madh i gazit në Gjermani.

Gjermania, e cila kryesisht varet nga gazi natyror për ekonominë e saj, shpreson të zëvendësojë të gjitha importet ruse të energjisë që nga mesi i vitit 2024.