Tash e pesëmbëdhjetë vite pothuaj nuk mbeti qeveri pa rënë para përfundimit të mandatit të saj. Po kështu dhe parlamenti.
Rënia, zakonisht, është arsyetuar me mosfunksionim të tyre si organe shtetërore. Është thënë, sikur edhe tash, se po rrëzohen qeveria dhe parlamenti, për shkak se për projektet shtetërore ka nevojë përbërje të reja ose ndryshim të strukturës përfaqësuese në shtet. Megjithatë, kjo doli të mos jetë e suksesshme. Edhe kësaj radhe, këto organe po rrëzohen për shkak të mosfunksionimit. Shtrohet pyetja: a deri në pafundësi duhet që qeveritë tona të rrëzohen? A thua misionet tona janë të pamundura aq sa çdoherë duhet rënë një qeveri për të ardhur tjetra, e cila do të rrëzohet po kështu, e kështu, mjerisht, po vazhdojmë.
A mendohet ndonjëherë për popull? Tërë këto shuma parash, që derdhen për zgjedhje, sikur të investoheshin në ndonjë projekt kapital, shteti do të përfitonte shumë. Janë paralajmëruar edhe “pastrimet” e listave për deputetë. Kjo tingëllon se deputetët e deridjeshëm paskan qenë të padenjë. Nëse është puna kështu dhe mendoj se ashtu është, atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi pse ata kanë qenë aty. Nuk eksperimentohet me popull. Fati i tij nuk guxon të bjerë në duart e njerëzve të padenjë. Apo kjo na bën të mendojmë se ndoshta edhe populli ende nuk i ka hapur mirë sytë sa duhet, e shumë lehtë po mashtrohet e po manipulohet, andaj dhe mu për këtë e ka një pjesë të madhe të përgjegjësisë.
Por, kam një bindje se, megjithëkëtë, ka një hair në këtë punë. Në zgjedhjet e fundit lokale u dëshmua se populli mund të stopojë dështakët dhe keqpërdoruesit. Ka ardhur koha që këtë ta bëjë në një nivel më të lartë. Pothuajse nuk ka asnjë institucion i Kosovës që nuk është përfolur për emra të mëdhenj të udhëheqësisë së tyre për punë jo të ndershme.
E kemi rastin të formojmë institucionet tona në mënyrë të ndershme. E di që neglizhimi i reformës zgjedhore është bërë për të vazhduar me avazin e vjetër të vjedhjes së votave dhe mashtrimeve, por, siç u dëshmua në zgjedhjet e fundit, ato nuk mund të bëjnë punë nëse populli dëshiron ndryshimet.
Dhe padyshim se populli jo vetëm që i dëshiron ndryshimet, por edhe i kërkon ato. E nisur nga kjo unë ua përkujtoj se jeta është e shkurtër, ndërsa mandatet e posteve të ndryshme janë edhe më jetëshkurtëra. Kujtoni mandatin që patët se çfarë bëtë apo nuk bëtë. Kujtoni dhe mendohuni sepse duhet të punohet edhe për dynja e edhe për ahiret. Gjithçka kalon, sikurse edhe mandatet e juaja, madje me shpejtë sesa që e keni paramenduar, dhe çka mbetet? Mbetet vetëm vepra e mirë, puna e bërë për Zotin dhe interesin e popullit.
Unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve se përgjegjësia për votën nuk është vetëm qytetare, por edhe fetare. Do të pyeteni në Ditën e Llogarisë për votën tuaj. Do të ankohen njerëzit para Gjykatësit Suprem, Krijuesit Fuqiplotë, se janë emëruar nga vota juaj që ua keni dhënë mashtruesve. Imponojeni kërkesën tuaj si qytetarë dhe besimtarë nëpërmjet votës suaj. Zgjidhni njerëzit që kanë dinjitet. E di se ka kohë ende për zgjedhje, por po dua t’iu kërkojë vigjilencën tuaj që tani. Fushatat fillojnë. Premtimet e kota me përfitime personale do të jenë pjesë e fushatave. Interesi juaj në raport me interesin e popullit nuk është asgjë, ndaj edhe nuk duhet t’iu mashtrojë.