Mjalti, antibiotiku natyral

“Dhe Zoti yt e frymëzoi bletën: – Ndërto shtëpi nëpër male, nëpër pemë dhe nëpër kulmet që njerëzit ndërtojnë. Pastaj ha nga të gjitha llojet e frutave dhe ndiq rrugët e nënshtruara prej Zotit tënd. Nga barqet e tyre (femrat) del një lëng, ngjyra e të cilit është e ndryshme dhe në të cilin ka shërim për njerëzit. Këto janë shenja për popullin që mendon thellë.” (Kur’an 16:68-69)

Në një hadith të transmetuar nga Ibn Abbasi, Profeti a.s. ka thënë: – Shërimi gjendet në tre gjëra, hedhjen e kupave, pirjen e mjaltit dhe vulosjen me hekur të nxehtë (kauterizimin), por unë ua kam ndaluar Umetit tim hekurin e nxehtë.

Ajo çfarë nënkuptohet me frymëzim të bletës është udhëzimi që Allahu i ka dhënë asaj. Ajo është e udhëzuar të ndërtojë shtëpi në male, në pemë dhe në koshere të ndërtuara nga njeriu. Kosherja e bletës është një strukturë e fortë e ndërtuar nga dhomëza të vogla gjashtëkëndore të ngjitura me njëra-tjetrën duke mos lënë asnjë hapësirë në mes. Më pas Allahu e urdhëroi bletën të shëtisë dhe të ushqehet nga të gjitha lulet dhe frutat që Zoti ka krijuar për të. Pastaj ajo kthehet në kosheren e saj pa u ngatërruar aspak dhe shkon drejt te dhomëza e saj ku gjenden vezët dhe mjalti që duhet ruajtur. Ajo përgatit dyllin me anë të krahëve dhe e nxjerr nektarin nga barku në hoje për të prodhuar mjaltin dhe të nesërmen del përsëri për kullotë.

Mjalti është përdorur nga njeriu prej shekujsh. Ai është i pëlqyer si nga fëmijët edhe nga të rriturit. Mjalti është nga ato ushqime të lëngshme, i cili mund të përdoret edhe si kozmetik ose antimikrobik. Nëse shikon nëpër dyqane kozmetike do të gjesh prodhime me bazë mjalti që përdoren si pomada natyrale për të mbajtur lëkurën të shëndetshme. E veçanta për mjaltin është se megjithëse është një ushqim i ëmbël, ai me kalimin e kohës nuk prishet e as nuk thartohet. Nëse e mban në temperaturë dhome ai mund të rezistojë pa e gjetur asgjë. Për të dhënë një provë konkrete mbi këtë mund të përmendim si shembull enët me mjaltë të gjetura në varret e faraonëve. Në njërën nga këto enë të gjetura në piramidat e Egjiptit dhe që mendohet të jetë rreth 3000 vjeçare, kishte një sasi mjalti i cili mund të konsumohej edhe sot e kësaj dite.

Rëndësia historike dhe përdorimet qindravjeçare të mjaltit së bashku me veçoritë e tij, kanë tërhequr vëmendjen e shumë shkencëtarëve gjatë shekujve. Ata kanë studiuar veçoritë kimike dhe mekanizmat biokimike pas të cilave qëndrojnë vetitë e tij kuruese. Kërkimet e fundit kanë treguar se mjalti ka veti të mira antimikrobike dhe antibiotike.

Mjalti që del nga barku i bletëve është me ngjyra të ndryshme si i bardhë, i verdhë i kuq ose i një ngjyre tjetër në varësi të lules dhe në të ka shërim për njeriun. Kjo do të thotë se disa sëmundje të njeriut mund të shërohen me mjaltë. Disa dijetarë duke u bazuar në ajetin kuranor kanë thënë se mjalti është i dobishëm për çdo sëmundje. Disa të tjerë kanë thënë se është vetëm për disa sëmundje si gripi apo “e ftohura”.

Në një hadith Profetik thuhet se një burrë erdhi te Profeti a.s. dhe i tha: – Vëllai im është sëmurë me diarre. Ai u përgjigj: – Jepini të pijë mjaltë. Burri shkoi, i dha vëllait mjaltë dhe u kthye duke thënë: – O i Dërguari i Allahut, unë i dhashë mjaltë, por ai u bë më keq. Profeti a.s. i tha: – Jepi përsëri të pijë mjaltë. Burri shkoi përsëri dhe u kthye duke thënë: – O i Dërguari i Allahut, unë i dhashë mjaltë, por ai u bë më keq. Profeti a.s. tha: – Allahu thotë vetëm të drejtën, ndërsa stomaku i vëllait tënd po gënjen, shko dhe jepi përsëri mjaltë. Kështu burri shkoi për herën e tretë, i dha përsëri mjaltë dhe vëllai u shërua.

Në një hadith tjetër transmetohet nga Aisheja r.a. se Profeti a.s. i pëlqente gjërat e ëmbla dhe mjaltin.
Midis faktorëve që i japin atij këto veçori të dobishme për shëndetin mund të përmendim, aciditetin e lartë (pH 3.5-4), përmbajtjen e ulët të ujit (më pak se 17% me sasi të lartë sheqeri), prania e peroksidit të hidrogjenit, prania e disa përbërjeve organike si fenolet dhe metilglioksalet të cilat variojnë nga lloji i lules prej të cilës është prodhuar mjalti.

Kërkime të tjera nga Susan M. Meschwitz të Universitetit Salve Regina tregojnë që mjalti pengon komunikimin kimik të baktereve me njëri-tjetrin duke mundësuar kështu uljen e virulencës, ngjitshmërisë dhe rezistencës antibiotike.

Për të kuptuar se si vepron secila nga këto veçori të mjaltit, në fillim duhet të kuptojmë se si prodhohet ai nga bleta dhe cila është përmbajtja e tij.

Bletët mbledhin nektarin e luleve, i cili është një përzierje e disa sheqernave, proteinave dhe lëndëve të tjera organike në një solucion me bazë uji. Nga më shumë se 100 përbërësit e mjaltit, disa nga këto janë lëndë organike volatile, siç janë fenolet të cilët i japin aromën mjaltit. Shumica e llojeve të mjaltit përmbajnë të njëjtin lloj fenoli, por në përqindje të ndryshme. Përderisa përbërja e nektarit që mbledhin bletët varet nga lloji i kullotës së lules, atëherë do të kemi shumë lloje mjalti në varësi të lules. Gjenden më shumë se 300 lloje të ndryshëm mjalti në Amerikë dhe më shumë se 3000 lloje në të gjithë botën. Sidoqoftë, përbërësit më të shpeshtë që dominojnë çdo lloj mjalti janë glukoza dhe fruktoza që gjenden në nektarin e të gjitha luleve.

Procesi nga mbledhja e nektarit deri te prodhimi final i mjaltit varet nga puna e palodhshme e bletëve. Ai fillon menjëherë në stomakun e bletëve punëtore sapo ato thithin nektarin nga lulet. Aty sakaroza, që është sheqeri i tavolinës, ndahet nga enzimat tretëse në dy përbërësit e tij që janë glukoza dhe fruktoza. Kjo rrit viskozitetin e nektarit ndërsa procesi i ndarjes vazhdon më tej. Bletët punëtore, sapo arrijnë në zgjua, e nxjerrin nektarin nga stomaku së bashku me pështymën e tyre. Këtu nektari merret nga bletë të tjera të cilat vazhdojnë procesin me anë të enzimave specifike që i japin formën përfundimtare mjaltit së bashku me vetitë e tij mjekësore.

Ndërkohë që shpërbërja e sakarozës ka arritur nivelin e kërkuar, nektari i përpunuar vendoset në hoje për të filluar fazën pasardhëse që është ulja e përmbajtjes së ujit të nektarit. Kjo ndikon në formimin e aftësive kuruese të mjaltit. Nektari në formën origjinale kur është mbledhur nga bleta nëpër lule përmban rreth 70% ujë dhe pas përpunimit reduktohet në 17% në mjaltin përfundimtar. Ky proces i jep atij konsistencën e trashë dhe viskoze. Bletët e realizojnë këtë tharje të nektarit duke i rrahur flatrat e tyre me një shpejtësi marramendëse (rreth 200 herë/sekondë ose 12000 herë/minutë) duke qëndruar mbi hojen gjashtëkëndore të zgjoit. Ky veprim kyç jep si rezultat avullimin e ujit nga nektari dhe mund të zgjasë deri në 3 ditë.
Reduktimi i përmbajtjes së ujit është një hap tepër i rëndësishëm në marrjen e karakteristikave të veçanta të mjaltit. Kjo sjell parandalimin e rritjes së baktereve apo myqeve duke e bërë atë rezistent ndaj prishjes. Aktiviteti ujor matet me një shkallë nga 0 në 1 dhe aktiviteti ujor i mjaltit është rreth 0.6 të kësaj shkalle. Si për çudi, myku dhe bakteret kërkojnë një aktivitet ujor rreth 0.75 për t’u shtuar dhe për të formuar kolonitë e tyre. Të njëjtat efekte antibakteriale mjalti mund t’i shfaqë edhe kur aplikohet direkt në një plagë të hapur duke parandaluar rritjen bakteriale mbi dhe përreth plagës.

Siç e përmendëm më lart, një nga faktorët që i japin mjaltit vetitë antibakteriale është edhe aciditeti i lartë i tij. Aciditeti i mjaltit varion midis vlerave të pH 3.5 dhe 4, gjë e cila e bën atë më acid se uthulla e mollës (pH rreth 4.5). Ky aciditet i mjaltit realizohet nga disa përbërje organike acide dhe varet nga lloji i lules së kullotës së bletës. Ndër këto lëndë mund të përmendim acidin formik, acidin citrik, acidin butirik, fenolet dhe acidin glukonik. Këto prodhohen nga veprimi i disa enzimave të pështymës së bletës mbi glukozën e mjaltit. Bakteret dhe myqet preferojnë një ambient neutral për të mbijetuar kështu që aciditeti i lartë së bashku me përmbajtjen e ulët të ujit përforcojnë efektet e tij antibiotike, duke siguruar një mjedis të vështirë për rritjen bakterore.
Peroksidi i hidrogjenit është një solucion i njohur për përdorimin e tij si pastrues plagësh dhe për veprimin antibakterial. Por shumica e njerëzve nuk e dinë se mjalti përmban peroksid hidrogjeni, i cili prodhohet si produkt anësor gjatë prodhimit të acidit glukonik nga veprimi enzimatik i glukozë oksidazës mbi glukozën.

Sipas kërkimeve dhe studimeve intensive mbi vetitë mjekësore dhe kuruese të mjaltit, ka rezultuar se të gjitha lëndët e përmendura më lart ndikojnë në pengimin e shumimit bakterial dhe atij mykotik. Nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen mund të zbulohen veti të reja të mjaltit që nuk njihen sot. Të gjithë këto përbërës varen nga lulja në të cilën bleta ka marrë nektarin sepse kjo i jep aromën, shijen dhe pamjen karakteristike çdo lloji të mjaltit. Meqë një produkt natyral si mjalti ka kaq dobi për shëndetin e njeriut, mund të themi se ai është një mrekulli nga Allahu për njeriun, i cili kërkon një vëmendje të madhe si nga mjekët edhe nga njerëzit e thjeshtë. Sidoqoftë, njerëz keqdashës të cilët mendojnë vetëm fitimin e të ardhurave nga mjalti kanë ndërhyrë në prodhimin e tij duke ia prishur vetitë e tij kuruese, por kjo temë është jashtë diskutimit tonë.

Pjesa e ajetit kuranor që thotë “ka shenja për njerëzit që mendojnë”, ka kuptimin se Allahu ka frymëzuar një insekt të vogël të udhëtojë nëpër fusha të gjera dhe male të larta, të hajë nga çdo lule dhe frut dhe prej këtu të bëjë mjaltë dhe dyllë të cilët janë nga ushqimet më të mira për shëndetin e njeriut. Ai që mendon sadopak do ta kuptojë se kjo mirësi nuk është nga bleta, por nga Krijuesi i bletës që e ka udhëzuar atë. Me të vërtetë Ai është i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri.

Shkruan: Fethi Yaman