75720b0f11b734057e082368d7c02cdf-1130x635

Mjekë të huaj punojnë në Kosovë pa licenca

Edhe pse e ndaluar me ligj, në Kosovë ka mjekë të huaj që ushtrojnë veprimtaritë e tyre pa u lajmëruar dhe pa u licencuar nga institucioni përkatës.

Për këtë shkelje, Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka shqiptuar në vitin 2022 së paku 26 gjoba.

Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë thuhet se “Inspektorati Shëndetësor ka hasur në raste të ofrimit të shërbimit shëndetësor nga mjekë jokosovarë pa vendim për angazhim të përkohshëm nga Bordi Qendror për Regjistrim dhe Licencim nga Ministria e Shëndetësisë”.

Sipas Ligjit për dhënien e lejes për punë dhe punësimin e shtetasve të huaj në Kosovë, secili person që hyn në Kosovë për punë, duhet ta ketë lejen e qëndrimit dhe atë të punës.

Reklama

Një Udhëzim Administrativ për licencimin e përkohshëm të profesionistëve shëndetësorë, i nxjerrë në tetor të vitit të kaluar, i obligon institucionet shëndetësore, publike dhe private, që të paraqesin kërkesë për leje apo licencim, në rast se angazhojnë profesionistë të huaj shëndetësorë.

Leja dhe licencimi bëhet nga Bordi për Regjistrim dhe Licencim i Ministrisë së Shëndetësisë dhe monitorohet nga Inspektorati Shëndetësor.

Në bazë të Udhëzimit Administrativ, institucionet shëndetësore që kanë të punësuar profesionistë të huaj shëndetësorë pa leje, gjobiten me 5.000 deri në 8.000 euro. Mjeku ose ndonjë profesionist tjetër shëndetësor i huaj, që punon pa leje pune, mund të gjobitet me 500 deri në 1.500 euro.

Nga Inspektorati Shëndetësor tregojnë për REL-in se rastet zbulohen zakonisht gjatë bisedave me pacientë, të cilët i përshkruajnë mjekët dhe i japin emrat e tyre, por ata emra nuk figurojnë në librin e shënimeve të institucionit shëndetësor. Mjekët nga shteti i Turqisë përmenden në mënyrë të veçantë.

Nga Oda e Mjekëve të Kosovës shprehin shqetësim për mënyrën sesi funksionojnë dhe licencohen mjekët ndërkombëtarë në Kosovë.

Kryetari i kësaj ode, Pleurat Sejdiu, thotë se mjekët e huaj, të cilët kryejnë shërbime në Kosovë, sipas ligjit, duhet të anëtarësohen fillimisht në këtë odë, por, sipas tij, ata nuk e bëjnë një gjë të tillë.

“Jemi të vetmit në Evropë dhe më gjerë, ku licencimin e tyre [mjekëve të huaj] e bën Ministria e Shëndetësisë dhe jo Oda. Nuk kemi të dhëna rreth aktivitetit të tyre. Me Ligjin e shëndetësisë, ata duhet të anëtarësohen në Odë, por me Udhëzimin Administrativ ky obligim është hequr”, thotë Sejdiu për Radion Evropa e Lirë.

“Inspektorati Shëndetësor, në këtë aspekt, nuk bashkëpunon me ne”, shton ai.

REL-i kontaktoi tri spitale private në Kosovë, për të cilat është në dijeni se herë pas here angazhojnë mjekë të huaj për të dhënë shërbime, por nga asnjëri prej tyre nuk pranuan të flasin për këtë temë.

Bujar Vitija, kryeredaktor i gazetës “Shneta” që raporton për sektorin e shëndetësisë në Kosovë, thotë se mjekët e huaj që ofrojnë shërbime në Kosovë, në shumë raste, bëjnë shkelje ligjore duke mos i plotësuar të gjitha kriteret për licencim, ose duke mos u licencuar fare në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në disa raste, këta mjekë vijnë për të rekrutuar pacientë për t’i trajtuar në vendet e tyre”, thotë ai, pa specifikuar më shumë.

“Disa prej kritereve që nuk i plotësojnë, janë: mosnjohja e gjuhës shqipe, mosanëtarësimi në Odën e Mjekëve, mosregjistrimi për licencim në Ministrinë e Shëndetësisë…”, shton Vitija.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet t’i rrisë kapacitetet e Inspektoratit Shëndetësor dhe të kërkojë më shumë përgjegjësi në monitorimin dhe mbikëqyrjen e këtyre rasteve.

“Ata [mjekët e huaj] vijnë si turistë në Kosovë, zhvatin pacientët kosovarë dhe në shumë raste kalojnë pa u vërejtur fare nga Inspektorati Shëndetësor”, thotë Vitija.

Në Inspektoratin Shëndetësor punojnë gjithsejtë 13 zyrtarë: kryeinspektori, asistenti ekzekutiv, zyrtari i arkivit dhe dhjetë inspektorë shëndetësorë.

Kosova, viteve të fundit, është duke u përballur me mungesë mjekësh dhe infermierësh, pasi një numër i tyre ka migruar kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministria e Shëndetësisë e Kosovës u ka bërë thirrje profesionistëve të fushave të ndryshme mjekësore në mesin e mërgatës shqiptare, që të angazhohen dhe punojnë në institucionet shëndetësore publike të Kosovës.