Rtv Pendimi
Dija & Daveti Ilaçe për zemrën / Rukja Mirësjellja - Edukata fetare Probleme shpirtërore & shoqërore

MJETET QË NDIHMOJNË NË LARGIMIN E MËRZISË (1)

Ngushëllimi i të thyerve shpirtërisht dhe largimi i mërzisë së tyre nuk përkufizohet vetëm në të folur, po ato mund të bëhen edhe me pasuri, nganjëherë me pozitë, e nganjëherë me këshillë dhe udhëzim. Mund të bëhet edhe me dua dhe me kërkimfalje për ta, me kryerjen e një shërbimi apo nevoje për ta. Pra sipas sasisë së imanit, bëhet edhe ngushëllimi dhe përkrahja, sa më i dobët që është imani, aq më e dobët do të jetë përkrahja dhe sa më i fortë që është imani, aq më e fortë do të jenë përkrahja dhe ngushëllimi.

Prej mjeteve që ndihmojnë në aromatizimin e shpirtrave numërojmë:

1.Ngushëllimi i atyre që i humbin të dashurit

Ajo që e qetëson shpirtin e thyer dhe të sprovuar me humbjen e të dashurve është ngushëllimi me butësi dhe me fjalë të mira.

Fjala e mirë të goditurin me fatkeqësi e forcon me lejen e Allahut, ia shton durimin dhe ia lehtëson dhembjet. Njeriu kur është vet është më i dobët, kurse kur i vjen ngushëllimi prej tjetrit, kjo e forcon dhe i jep fuqi për ta tejkaluar sprovën me lehtësi, qofshin ato edhe sprova të mëdha.

Kur ndërroi jetë e bija e udhëheqësit të myslimanëve, El-Mehdij, babai i saj aq shumë u mërzit, saqë njerëzit më herët nuk kishin pas dëgjuar për mërzi dhe pikëllim të tillë. Njerëzit filluan ta ngushëllojnë dhe një ditë për ngushëllim shkoi edhe IbënShejbe dhe i tha: “O prijës i myslimanëve, Allahu të shpërbleftë për fatkeqësinë që të goditi dhe pas saj ta shtoftë durimin! E lus Allahun të mos e pasojë sprovën tënde me ndëshkim dhe të mos e largojë prej teje begatinë! Shpërblimi i Allahut për ty është më i mirë sesa vajza jote dhe mëshira e Allahut për vajzën tënde është më e mirë sesa ti, dhe ajo që më së tepërmi e meriton të bëhet durim është durimi për atë që nuk ka kthim.”

Nuk përcillet për ndonjë ngushëllim më të mirë dhe më të shkurtër se sa ky ngushëllim, dhe prijësit të myslimanëve, El-Mehdiut, nuk ia largoi mërzinë dhe ia shtoi qetësinë asnjë ngushëllim sikurse këto fjalë ngushëlluese të Ibën Shejbes, Allahu e mëshiroftë!

Nga të shprehurit e ngushëllimit të mirë është edhe ajo që thuhet për një endacak arab se ia tha njërit prej mbretërve, Abasit, që i kishte pas vdekur fëmija me emrin El-Abas dhe ngushëllimin ia shprehu me këto fjalë:

Pas vdekjes së Abasit shpërblimi është më i mirë për ty

E Allahu është më i mirë për Abasin se sa je ti.

2.Të kërkuarit e faljes kur gabon ndaj tjerëve dhe pranimi i faljeve kur të tjerët gabojnë ndaj teje

Përkujdesja për të kërkuar falje kur gabon është një prej mjeteve që i qetësojnë shpirtrat, sepse njeriu mund të gabojë me tjetrin gjatë sjelljeve të tij të përditshme dhe shpagimi i atyre gabimeve dhe mangësive është të kërkuarit e faljes.

Kjo njësoj vlen edhe atëherë “kur ndonjëri të dëmton e pastaj vjen dhe të kërkon falje, modestia jote të detyron të pranosh arsyetimin e tij, qoftë arsyetim i shëndoshë apo i kotë, dhe ti gjykon sipas të jashtmes, kurse për brendësinë e tij i mbështetesh Allahut dhe për atë gjykon Allahu.”

3.Këmbimi i dhuratave

Dhurata lë gjurmë të dukshme në ngushëllimin e shpirtrave dhe largimin e mërzisë, si dhe pastrimin e zemrave nga urrejtja dhe armiqësia. Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur prej tij!, përcillet të ketë thënë: “Fëmijët e mi, jepni dhurata njëri-tjetrit, sepse ajo e shton dashurinë mes jush!”

Përcillet nga Ebu Jusufi, Allahu e mëshiroftë!, se prijësi i myslimanëve, Reshidi, i dhuroi pasuri me vlerë të madhe dhe ndërkohë ajo pasuri i arriti atij gjersa ishte në kuvend me shokët e tij, dhe njëri prej tyre i tha: “I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Shokët tuaj të ndejës janë ortakët tuaj në ndarje të dhuratës.” Ebu Jusufi iu përgjigj: “Hadithi nuk ka ardhur për dhurata të tilla, po për dhurata të lehta dhe të vogla dhe për ato gjëra që hahen dhe pihen dhe që shpirtrat të qetësohen dhe kënaqen me dhënien e tyre.”

Dr. Muhamed el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Pjesë nga libri: Ngushëllimi i shpirtrave dhe largimi i mërzisë

Të ngjajshme

TI SI FËMIJË NË CILIN GRUP BËN PJESË?!

Irfan Jahiu

RRËFIMI I DY GOMARËVE

Irfan Jahiu

DISA IDE PËR TË ARRITUR DERI TEK LËMOSHA E VAZHDUESHME

Irfan Jahiu

SA I BUKUR QË ËSHTË MENDIMI I MIRË PËR ALLAHUN

Irfan Jahiu

VESVESET E SHEJTANIT DHE MBROJTJA PREJ TIJ

Irfan Jahiu

E KËRKOVA NGA ALLAHU XHENETIN, MA DHA DYNJANË!

Irfan Jahiu

I VARFËRI DHE DYQANXHIU

Irfan Jahiu

TË DREJTAT E RRUGËS DHE ETIKA E SAJ

Irfan Jahiu

SHKAQET E RIZKUT

Irfan Jahiu