Rtv Pendimi

Morali kombëtar në të shkuarën dhe nevoja sot

Rëndom në të gjitha të përditshmet e shkruara dhe gazetat on line hasim në ngjarje dhe në gjëra që tregojnë se ky popull e ka humbur busullën morale. Por përpara se të merremi me ngjarjet e rëndomta të mungesës së moralitetit në popull pa dyshim na duhet të theksojmë se edhe kjo klasë politike po etiketohet si e pamoralshme pikërisht po nga këto media të shkruara, on line apo audio-vizive. Fitimi dhe rrugët që të çojnë drejt tij është gjëja kryesore e të gjitha bisedave. Sipas Aristotelit, kur përshkruan mundësitë legjislative të një shtetari është detyrë e tij ta fusë brenda një kornize shoqërinë, e cila do të mundësojë një jetë më të mirë. Ndërsa shteti sipas tij është “një komunitet i mirëqenies në familje dhe një grumbullim familjesh për hatër të një jete të vetëmjaftueshme e të përkryer”. Këto kanë qenë synimet më të hershme për të gatuar një shtetar, i cili do të sillte të nesërmen më të mirë për të gjithë individët e një shteti, duke u gatuar fillimisht si një individ me etikë sipas Aristotelit e më pas si një shtetar që shërben për të mirën e përgjithshme.

Normalisht kjo gjë në këto 25 vjet nuk po shihet, madje në këto dy vitet e fundit po shohim një garë tejet të ashpër për fitime monetare. Në këto 25 vjet shoqëria jonë nuk ishte në gjendje të prodhojë një moral të caktuar, i cili do ta ndihmonte atë në vetëqeverisje. Madje fenomeni i shkollimit pa kaluar në bankat e shkollës është një nga elementet më diskriminues për të gjithë ata që kanë lexuar dhe e kanë kaluar fazën e provimeve. Klientelizmi nuk është një shfaqje moderne, shumë gjëra nga këto që ne sot i përjetojmë janë më të hershme se sa mund të mendojmë ne, mjaft që të hedhësh një sy në të shkuarën.

Gjatë periudhës 1920- 1940 shqetësimi i të gjithë mendimtarëve nacionalistë dhe i legjislatorëve nuk ka qenë thjesht përafrimi i legjislacionit tonë me atë perëndimor. Ngritja e një morali kombëtar dhe i dashurisë për atdheun e përbashkët me të krishterë e myslimanë ka qenë nga pikat kyçe, që më pas do të krijonin mundësinë për një jetë më të lumtur. Qysh në pasaportën e Mbretërisë Shqiptare dhe më pas në atë Italiane numërohen pesë pika përbërëse të këtij morali kombëtar tonin. Ky moral ka të bëjë me dashurinë për atdheun dhe mistifikimin e saj, ndërkaq të gjithë këta mendimtarë që e përpunuan këtë mendim nga shkrimi në shkrim dëshironin një shoqëri të shëndoshë, me individë të shëndoshë dhe familje të shëndoshë.

Gjergj Fishta, patër Anton Harapi, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ali Kraja, Branko Merxhani, Ismet Toto etj., e shihnin si shumë të rëndësishme të gjitha këto komponente të moralit, ndershmërinë, përkushtimin, pastërtinë morale, për shkak se këto komponente do të ndërtonin njerëz, të cilët do të ishin ata që do ta drejtonin vendin. Fishta dhe mendimtarët që i përkasin drejtimit fetar ishin shumë të drejtpërdrejt në këto komponente dhe ai e sheh fenë si “shëlbim të individit”, njëkohësisht familja duhet ta dëshmojë këtë gjë, pra fenë.

Patër Anton Harapi debaton me shkrimtarët e kohës duke iu treguar, se morali fetar nuk shkon në kundërshtim me moralin shtetëror. Të njëjtën gjë nënvizonte edhe Hafiz Ali Kraja: “Shoqëria njerëzore nuk është asgjë tjetër veçse një bashkësi e shumë njerëzve që kanë interesa të përbashkëta, kështu që shtylla e kësaj bashkësie është padyshim ligji i moralit, të cilit shoqëria njerëzore duhet t’i nënshtrohet, nëse ajo ka për qëllim të jetë e qëndrueshme e harmonike. Ky ligj i moralit që e bind plotësisht shoqërinë njerëzore, nuk është gjë tjetër veçse Besimi.” Do të ishte pikërisht ky grup, i pajisur me këto veti të larta morale,  që do të krijonte elitën intelektuale të vendit, pikërisht atë që Ismet Toto e quante “aristokrati spirituale”, dhe që do të mbushte radhët e politikanëve të rinj. E kështu do të krijohej sipas Vangjel Koçës QYTETËRIMI SHQIPTAR dhe SHPIRTI SHQIPTAR.

Ndërsa Nebil Çika e shihte kombin dhe kulturën si pjesë korrelative me njëra-tjetrën dhe gjuhën shqipe si karrocë të shpirtit. Me sa mund të konstatohet me një sy të shpejtë sot këto nuk janë premisat nga niset shoqëria jonë e sotme. Ndjehet mungesa e një mendimi të artikuluar në këtë drejtim dhe dashurinë për atdheun ne e shprehim me një nacionalizëm të sëmurë, me një romanticizëm të theksuar, e kryesisht nëpërmjet tifozllëkut, O sa mirë me kenë Shqiptar, o hej, o hej… secili moment është i mirë për të nisur, pikërisht atje ku e lanë këta mendimtarë, që e deshën Shqipërinë të moralshme dhe të ditur njëkohësisht. /tesheshi.com/

TË NGJAJSHME