MOS E HARRO KURANIN!!

Nëse gjen pluhur mbi Kuranin tënd qaj për vetveten. Ai që e len leximin e Kuranit tri ditë pa ndonjë arsye konsiderohet si njeri që e braktis Kuranin. Po ai që e braktis një javë, po ai që e braktis një muaj, apo gjysmë viti, si është gjendja e tij?! Si është gjendja e atij që lexon Kuran vetëm në Ramazan?!

I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuran është si shembulli i qitros, era dhe shija e saj është e mirë”.

U veçua qitroja këtu ngase njerëzit kënaqen me ngrënien e tij dhe kënaqen me nuhatjen e erës së tij. Në pamje të jashtme është e bukur, ndërsa në të brendshmen e dobishme.

Mos e braktisni Kuranin dhe mos e leni anësh, sepse vlera e tij është shumë e madhe. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Lexojeni Kuranin sepse ai do të vjen ndërmjetësues për juve në Ditën e Kiametit”.

A nuk e doni ju ndërmjetësimin e tij, atë ditë, ku disa fytyra do të nxihen, e disa do të zbardhen!

Allahu e bëri të lehtë për lexim, madje edhe fëmija mundet ta mëson përmendësh me lejen e Allahut: “Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!” Kamer 17.

Pse nuk ndjejmë lodhje kur e kalojmë kohën me shokë, dhe në internet, dhe në shikimin e televizionit, rrimë ndoshta me orë, kurse kur e marrim të lexojmë një faqe Kuran ndjejmë lodhësi dhe e lëmë!

Besoj se përgjigjen çdo njëri e dinë, vetëm se duhet ta kuptojmë realitetin se jemi musliman dhe muslimani nuk mundet të jeton pa Kuran. Kurani është jeta e tij, udhëzimi i tij, shpresa e tij dhe drita e tij në dynja dhe ahiret!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU