3

MOS E LËR THIRRJEN NË FE

I riu që bën gjynahe, edhe pse të gjithë jemi të tillë, në vete ndien kundërshtim dhe përleshje mes dy gjërave;

Ai dëgjon fjalime për thirrjen në fenë e Allahut dhe për mohimin e së keqes. Veshi i tij dëgjon argumente që urdhërojnë dhe nxisin për të thirrur në fe. I sheh thirrësit në fenë e Allahut para syve të vet dhe kjo e nxit të marrë pjesë në mejdanin e thirrjes dhe t’i bashkëngjitet karvanit. Jeta nuk e përballon pritjen.

Sa nis euforia në vete dhe fillojnë parapërgatitjet që mësimet të jetësohen me vepra dhe përpjekje, e dëgjon një zë tjetër që e thërret nga brenda tij dhe i thotë:

Çfarë është kjo? Ti po thërret në fenë e Allahut me gjithë ato gjynahe? Ti je në gabim? Thirrja në fe dhe përkrahja e fesë është shkallë e lartë dhe e respektueshme, nuk i takon dikujt si ti gjynahqar të angazhohet në këtë fushë. Më e mira për ty është të merresh me veten, ta urdhërosh atë në vepra të mira dhe ta ndalosh nga e keqja.

Ky zë ka mundësi të mbizotërojë tek ai dhe të vendosë të largohet nga thirrja deri për një kohë tjetër. Ai e sheh që kjo rrugë kërkon rregullim fetar të vetes dhe se më e mira për të është të mos hyjë në këtë mejdan.

Arritja deri te rezultati i menjëhershëm, duke gjykuar në këtë formë: kjo është gabim apo kjo është e saktë. Sigurisht se kjo logjikë refuzohet, fetarisht dhe logjikisht. Njëherë patjetër duhet që mendimi të vendoset në kandarin e argumenteve fetare dhe logjikës së shëndoshë, të sistemuar me peshoren e fesë. Ta shtjellojmë më gjerësisht këtë mesele, ndoshta mendja jote ka hapësirë të mjaftueshme që ta shtjellojmë. Kërkoj prej Allahut ndihmë dhe mbarësi!

Çështja e parë: S’ka dyshim që fjala e cila nuk vërtetohet me vepra është e urryer në Kuran dhe Sunet dhe në thëniet e të parëve tanë të drejtë. Allahu thotë: “O besimtarë, përse thoni atë që nuk e bëni? Është shumë e urryer për Allahun të thoni atë që nuk e bëni.” (Es-Saf: 2-3)

Po ashtu, Allahu thotë: “Vallë, a i urdhëroni njerëzit që të bëjnë të mira e veten po e harroni, ju që lexoni Shkrimet?! A nuk mendoni?” (El-Bekare: 44)

Në hadithet profetike Usame ibn Zejdi përcjell që Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Do ta sjellin një njeri në Ditën e Kiametit të cilin do ta hedhin në zjarr, atij i dalin zorrët nga barku (shkaku i zjarrit të fortë dhe dënimit të rëndë) dhe në këtë gjendje me zorrët e tij jashtë do të sillet rrotull siç sillet gomari rreth e rrotull gurit të mullirit. Tubohen banorët e zjarrit përreth tij dhe i thonë: ‘O ti filan, çfarë është puna me ty? A nuk ishe ti që urdhëroje për në të mirë dhe ndaloje nga e keqja?’ Ai tha: ‘Ju urdhëroja për në të mirën e vetë nuk e veproja atë dhe ju ndaloja nga e keqja e vetë i afrohesha asaj.’ ”[1]

Përcillen edhe transmetime nga të parët tanë të mirë. Një prej tyre është thënia e Ebu Derdasë: “Njeriu nuk e kupton thellësisht fenë derisa nuk i qorton njerëzit (për gjynahet) për hir të Allahut, e më pas i kthehet vetes dhe e qorton atë më fort.”[2]

Çështja e dytë: Ky kërcënim në citatet e lartpërmendura, a e ka për qëllim qortimin e këtij personi, i cili thirr në të mirën dhe ndalon nga e keqja (edhe pse vetë nuk është shëmbëlltyrë)? Apo ka për qëllim qortimin e tij, sepse ai i bën gjërat e ndaluara, ndërkaq prej tij kërkohet të jetë i pari që largohet nga ato gjëra të ndaluara?

Besoj që fjala bëhet për të dytin dhe u përshtatet argumenteve fetare; sepse nuk është e logjikshme që njeriu të qortohet për punën e mirë, ndërsa vepra e tij e mirë të llogaritet e keqe dhe të dënohet për të.

Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, e zgjodhi këtë kuptim dhe tha: “Argumentet tregojnë që qortimi i tyre nuk erdhi shkaku se urdhëruan për të mirën, edhe pse vetë nuk e punuan atë, po për shkak se e braktisën urdhërimin për në të mirën.”[3]

Çështja e tretë: Pasi ta gjeneralizojmë këtë rezultat, a ka dikush që nuk bën gabim dhe nuk bie në gjynah? Njerëzit të gjithë janë gjynahqarë dhe gabojnë. Nuk mundet njeriu të arrijë deri në atë nivel saqë të mos bëjë më gjynah. E pas gjithë kësaj, a tolerohet të themi se nuk i takon askujt t’i urdhërojë njerëzit t’ia kenë frikën Allahut, sepse ai patjetër vetë e ka të bjerë në gjynah dhe deri te kjo vjen për shkak se frika ndaj Allahut në zemrën e tij është e dobët; apo nuk i takon askujt t’i urdhërojë njerëzit për devotshmëri përderisa ai vetë bën gjynah, sepse nuk ia ka frikën Allahut!

Kjo shkurtimisht nënkupton që ai nuk duhet ta thirrë askënd në fe, e as ta urdhërojë dikë për në të mirën, sepse askush nuk mund të arrijë nivelin që të mos bëjë gjynahe.

Seid ibn Xhubejri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nëse nuk do të thirrte për në të mirën dhe nuk do të ndalonte nga e keqja, sepse është gjynahqar dhe vepron gjynahe, atëherë askush nuk kishte për të thirrur në të mirën dhe nuk kishte për të ndaluar nga e keqja.” Maliku për këtë thënie të Seidit tha: “E ka thënë të vërtetën. A ka njeri pa gjynahe?!”[4]

Drejt këtij kuptimi aludon poeti duke thënë:

Sikur të mos i këshillonte njerëzit ai që bie në gjynahe, kush do t’i këshillonte gjynahqarët pas Muhamedit (alejhi selam).

Çështja e katërt: Njeriu karshi së keqes për obligim i ka dy gjëra:

E para: ta braktisë atë dhe

E dyta: ta ndalojë atë.

Po ashtu, karshi së mirës për obligim i ka dy gjëra:

E  para: ta veprojë atë dhe

E dyta: të urdhërojë për në të.

Kur e braktis obligimin e parë, a nënkupton kjo që bie edhe obligimi i dytë? Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Urdhërimi për në të mirën dhe veprimi i së mirës janë obligim dhe nuk duhet të braktiset njëra nëse bie tjetra. Ky është mendimi më i saktë i dijetarëve të vjetër dhe atyre bashkëkohorë.”[5]

Braktisja e këshillimit dhe e thirrjes për në të mirën, si dhe e ndalimit nga e keqja për shkak se ti bën gjynahe apo për shkak se nuk e vepron të mirën, kjo vetvetiu është një e keqe tjetër.

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

[1] Buhariu (3267), Muslimi (2989).

[2] Tefsir Ibn Xherir (1/258).

[3] Tefsir Ibn Kethir (1/129).

[4] Tefsir Ibn Kethir (1/129-130).

[5] Tefsir Ibn Kethir (1/129).