businessman-huge-stone-business-problem-crisis-hardship-burden-concept-182465252

MOS E NËNÇMO TJETRIN PËR GJYNAHUN E TIJ

Myslimani e do Allahun dhe e do çdo vepër që Allahu e do, e urren gjynahun dhe atë që e vepron. Ai është i ndjeshëm dhe guximtar kundrejt atij që i shkel kufijtë e Allahut dhe nuk ka paanshmëri; sepse dashuria për Allahun dhe urrejtja për Allahun është lidhja më e fortë e imanit, e ai që e humb atë le ta rishikojë veten e tij dhe ta kontrollojë imanin e tij.

Ndodh që myslimani nganjëherë ta ngatërrojë këtë koncept, e në vend që ta urrejë gjynahun dhe atë që e vepron, ai e nënçmon dhe bëhet kryelartë karshi këtij gjynahqari, e me këtë rrezikon të përfshihet në hadithin: “Kush e nënçmon vëllanë e tij për gjynahun e bërë, nuk do të vdesë derisa vetë ta veprojë atë gjynah.”[1]

Xhundub ibn Abdullahu përcjell që Pejgamberi (alejhi selam) tregoi për një njeri të ketë thënë: “Pasha Allahun, Allahu nuk ia fal filanit, e Allahu tha: ‘Kush mund të gjykojë dhe të betohet me emrin Tim se Unë nuk ia fali filanit? Unë ia fala atij që e bëri gjynahun, kurse ty t’i asgjësova veprat.”[2]

Ebu Hurejra përcjell që Pejgamberi (alejhi selam) tregoi për dy shokë te Beni Israilët që ishin si vëllezër. Njëri prej tyre bënte gjynahe, kurse tjetri ishte i dhënë pas ibadetit. Çdoherë që e shihte tjetrin që bënte gjynah, e këshillonte ta braktiste gjynahun. Një ditë e pa duke bërë gjynah dhe e këshilloi ta braktiste gjynahun, e ai i tha: ‘Më lër mua me Zotin tim! Ti a je dërguar t’i mbikëqyrësh veprat e mia?’ Ky që e këshilloi tha: “Pasha Allahun, Allahu nuk ta falë ty (apo nuk të futë në Xhenet)!” Allahu ua mori shpirtrat të dyve dhe të dy dolën para Allahut për llogaridhënie. Atij që bënte shumë ibadet i tha: “Ti a ke njohuri se si do të gjykoj Unë? Apo a mundesh ti të ndërhysh në vendimet e Mia?” Allahu gjynahqarit i tha: “Shko dhe hyr në Xhenet me mëshirën Time.” Ndërsa tjetrit i tha: “Çojeni për në zjarr.” Ebu Hurejra thotë: “Pasha Allahun, që shpirti im është në Dorën e Tij, ai e foli një fjalë që ia shkatërroi dynjanë dhe ahiretin e tij.”[3]

Fjala që ia prishi dynjanë dhe e futi atë në zjarr nuk ishte fjala ‘braktise gjynahun’ dhe këshillimi i shokut  që ta linte të keqen, por ishte ndërhyrja në gjykimin e Allahut me fjalët ‘Allahu nuk ta falë ty’.

Ibn Mesudi thotë: “Nëse e shihni vëllanë tuaj që ka bërë gjynah, mos u bëni përkrahës të shejtanit kundër tij duke thënë: ‘O Allah poshtëroje, o Allah mallkoje’; por kërkoni prej Allahut falje. Ne shokët e Muhamedit (alejhi selam) nuk thoshim asgjë për askënd derisa ta shihnim se në çfarë gjendje do të ndërronte jetë; nëse përfundimi i tij ishte i mirë, e kuptonim që ia kishte qëlluar së mirës dhe, nëse përfundimi i tij ishte i keq, kishim frikë për punët e tij se a do të pranoheshin apo jo.”[4]

Ebu Derda kaloi pranë një burri që kishte bërë gjynah e njerëzit e shanin, dhe u tha: “Sikur ta shihnit në pus a kishit për ta nxjerrë?” I thanë: “Po.” U tha: “Mos e shani vëllanë tuaj dhe falënderojeni Allahun që ju ruajti nga sprova në të cilën kishte rënë ai.” I thanë: “A nuk duhet ta urrejmë?” U tha: “E urrej veprën e tij, por, kur ta braktisë atë, ai është vëllai im.” Ebu Derda tha: “Luteni Allahun kur jeni në rehati me shpresë që Allahu t’ju përgjigjet kur jeni në vështirësi.”[5]

Andaj, ajo që e shohim te disa të rinj të cilët e qortojnë filanin se e bën këtë gjynah, apo e vepron këtë gjë, e kështu me radhë; nuk nënkupton që domosdoshmërisht vjen nga xhelozia e pëlqyer (për ta mbrojtur fenë dhe kufijtë e Allahut), por mund të jetë nga aspekti i nënçmimit. Më e mira për myslimanin është të angazhohet me të metat e veta dhe të frikësohet për gjynahet e tij, të ndiejë në vete se obligimi i tij karshi gabimeve të tjetrit është të ndalet në kufirin e këshillimit, mbulimit të së metës, duasë për të dhe lutjes drejtuar Allahut që ta falë.

Rruga e nënçmimit të tjetrit shkaku i gjynaheve të tij është dëshmi për njeriun se e ka tepruar me vetëbesimin dhe lavdërimin e vetes. Vetëpëlqimi është derë nga dyert e shkatërrimit, shenjë që robi e ndien veten të panevojshëm për përkrahjen e Allahut dhe shkak që njeriu t’i mbështetet vetvetes.

Krahasoje këtë vetëpëlqim me udhëzimin që ishin pejgamberët e Allahut. Kishte prej tyre që thoshin: “Nëse Ti nuk më fal dhe nuk më mëshiron, do të jem nga të humburit.” (Hud: 47)

Tjetri thoshte: “Nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë do të prirem drejt atyre dhe do të bëhem nga ata që nuk (i) dinë (ligjet e Tua).” (Jusuf: 33)

Ibrahimi (alejhi selam), pasi i theu idhujt dhe bëri durim në sprovën e rëndë, iu drejtua Zotit të vet dhe tha: “…më ruaj mua dhe pasardhësit e mi nga adhurimi i idhujve!” (Ibrahim: 35)

Ndërsa, prej lutjeve të Muhamedi (alejhi selam), ishte: “O Allahu im, mëshirën Tënde shpresoj. Mos më lër të mbështetem në veten time, ma përmirëso tërë gjendjen time. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Teje.”[6]

Përmes nënçmimit të vëllait tënd për gjynahun që e ka bërë, ti e lavdëron adhurimin tënd, e pastron dhe e falënderon veten, sikur po tregojmë për veten tonë se është pa gabime, kurse ky vëllai im, është mbuluar me mëkate. Ku e di ti, ndoshta këtë vëllanë tënd e ka thyer mëkati dhe e ka shtyrë që ta përbuzë e ta nënçmojë veten, si dhe përfundimisht është liruar nga mendjemadhësia e vetëpëlqimi. Pastaj ai doli para Allahut, me kokë të ulur, me plot frikërespekt, me zemër të përulur. Ndoshta e tërë kjo është më e dobishme për të sesa lavdërimi që ia bëre adhurimit tënd, të cilat të duken shumë dhe i numëroje ato, e pastaj edhe sikur ia përmende Zotit se ke bërë këtë e këtë. Vëllai yt mëkatar është më afër Mëshirës së Allahut! Ndërsa, ai që ka vetëpëlqim, është shumë afër hidhërimit të Allahut. Dije se një mëkat i cili të çon që të përulesh para Allahut, është më i mirë se një adhurim që me të cilin i lavdërohesh Allahut. Sikur të flesh tërë natën (pa asnjë adhurim) dhe të zgjohesh i penduar, është më mirë sesa të falesh tërë natën e të gdhihesh me vetëpëlqim.[7]

DR. MUHAMED ED DUVEJSH

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

PJESË NGA LIBRI “RRUGA E SHPËTIMIT NGA E KEQJA E GJYNAHUT”

(Libri është i përkthyer në shqip)

 

[1] Tirmidhiu (2505).

[2] Muslimi (2621).

[3] Ahmedi (2/363, 323), Ebu Davudi (3901).

[4] Abdurrezaku në El-Musanaf (20266).

[5] Abdurrezaku në El-Musanaf (20267), Ebu Nuajm (1/225).

[6] Ahmedi (5/42), Ebu Davudi (5090).

[7] Medarixhus Salikin (1/197).