Jemi mësuar të dëgjojmë për zhvendosje të ndryshme. Shpesh, madje edhe flasim për diç si zhvendosja e vëmendjes duke menduar se trajtojmë temë të rëndësishme. Ndoshta edhe është ashtu, por më e rrezikshme është zhvendosja e preokupimit dhe interesimit e si pasojë vie lajthitja (po deshe quaje zhvendosja) e angazhimit.
Paramendo sa puna dhe mundi shkon poshtë si rrjedhojë e kësaj. E keqja është se jo qe ngelet pa fryt por bëhet e dëmshme.
“A të u tregojmë për ata që më së shumti u shkojnë veprat dëm? Ata që qysh në këtë botë ia huqën, ndërsa akoma mendojnë se janë duke bërë mirë.” (Kur’an)
I mençuri ka projekt jetësor, nëpërmjet të cilit synon ti realizojë qëllimet e veta si të kësaj bote, ashtu edhe atë final: të arrijë kënaqësinë e Allahut dhe xhenetin. Çdo zhvendosje prej këtij diskursi çon në epilogje tjera, si të kësaj ashtu edhe të botës tjetër.
Zhvendosja ndodh kur lejojmë që vëmendja jonë të shpërqendrohet nga kahja dhe drejtimi i duhur. Kjo sjell ç’orientimin e interesimit dhe preokupimeve e cila do të rezultojë përfundimisht me angazhim të pafrytshëm dhe të kotë, shpeshherë edhe të dëmshëm me pasoja dy dimensionale (dunja-ahiret).
Gjatë kësaj lajthitjeje njeriu edhe mund të mos e vërejë qartë se është lajthitur edhepse simptomat e zhvendosjes janë të dukshëm por zhgënjimi më i madh do të ndodhë në Ditën e Madhe të Gjykimit:
“Atyre iu shfaq prej Allahut ajo që nuk e kishin pritur.” (Kur’an)
Marrë nga Hoxha: Mr. Ekrem Avdiu