MOS U MËRZIT, ALLAHU ËSHTË ME TY

1. Ilaçi më i mirë për qetësimin e dhembjeve: “Prandaj, përgëzoji të duruarit.”
2. Nuk e qetëson zemrën e lodhur asgjë më shumë se dëgjimi i fjalëve të Allahut: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.”
3. Nëse të ngushtohen çështjet, dije se lehtësimi është shumë afër!
4. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt i janë shtuar brengat dhe mërzitë, le ta shtojë fjalën: ‘La haule ue la kuv-vete il-la bil-lah.’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut).”
5. Gjatë kohës kur ndien dhembje, ji i bindur në mëshirën e Allahut.
6. Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave, njerëzve të mirë u ngriten pozitat dhe u shtohen shpërblimet.
7. Dyert e qiejve janë të gjera dhe çelësi i tyre është duaja!
8. Përmendja e Allahut, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, njeriun e bën të lumtur, i largon brengat dhe e mbush Peshoren.
9. Largimi nga Allahu është vdekje për zemrën!
10. Mos u mërzit për dynjanë dhe çfarë ka në të, të gjithë ne jemi mysafirë në tokën e saj!
11. Besimtari është si gjethe e gjelbër, nuk bie, sado që ta godasin stuhitë e forta!
12. Nëse namazi nuk është i pari nga prioritetet, atëherë sa jetë e keqe që është ajo!
13. Nëse largohesh nga namazi, dije se rehatia dhe bereqeti, vetëm se janë larguar nga jeta jote!
14. Zemrat, që janë larg Allahut, nuk rehatohen.
15. Kur ballafaqohesh me ndonjë bela, rikujtoje se ajo është e përkohshme, se ajo është përcaktim i Allahut dhe se ajo do të të dhurojë shpërblime, nëse bën sabër!
16. Gjërat e bukura gjithmonë fshihen pas vështirësive, me qëllim që Allahu ta befasojë durimin tonë me dhuntitë e Tij të shumta.
17. Kush e ruan gjuhën e vet për hir të Allahut në dynja, Allahu do t’ia mundësojë në prag të vdekjes, që gjuha e tij ta shqiptojë shehadetin (dëshminë). (Ibën El-Xheuzij)
18. Vetmia të vjen, kur harron se Allahu është me ty!
19. Shqetësimi vret më shumë njerëz sesa puna, kjo se njerëzit më shumë shqetësohen sesa që punojnë.
20. Po të mos ishte përmendja e Allahut, do të vdisnin shpirtrat tanë nga brengat! “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.”
21. Kur më pyesin se si e kam gjendjen, u përgjigjem me ELHAMDULILAH (Falënderimi i takon Allahut) dhe mendojnë se unë jam në majën e lumturisë sime. Ata harruan se ne e falënderojmë Allahun në rehati dhe në vështirësi!
22. Brengat e tepërta nuk janë arsye e logjikshme që ta vrenjtësh fytyrën para njerëzve! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte me brengat më të rënda në mesin e njerëzve, mirëpo ishte ai, që më së shumti buzëqeshte!
23. Po të kishte qenë dynjaja e lehtë, nuk do të ishte sabri një nga dyert e Xhenetit!
24. Allahu nuk e braktis një rob që qan, që ankohet dhe e ul kokën e tij, e pastaj lutet!
25. A ka më mirë se për një rob të Allahut, të thotë: “O Zoti im, unë shumë gabova, gjynahe të bëra, të liga veprova dhe të mëkatova: O Zot më fal!”
Dhe Allahu të thotë: “O robi Im, Unë ta fala, të mëshirova, gjynahet t’i mbulova dhe nga mëkatet të pastrova!”
26. Nëse të ngulfati tymi i dhembjes, hape dritaren e lutjes që ta rifreskosh ajrin me fjalën: O Zot!
27. Çfarë vlere ka jeta, nëse nuk ecim rrugës, e cila na drejton për në Xhenet?!
28. Me të lidhurit tënd me Allahun, të mirën e sheh si të mirë dhe të keqen si të keqe!
29. Çfarë mbetet prej fatkeqësive, kur e rikujton se Allahu është me ty?!
30. Nëse fiken të gjitha dritat, dije se ekziston një llambë që nuk fiket deri në vdekje, e ajo është llamba e pendimit!
31. Nëpër shkolla, në fillim marrim mësime e pastaj kalojmë nëpër provime, kurse në jetë, fillimisht kalojmë nëpër provime e pastaj marrim mësime.
32. A dëshiron ta ndryshosh jetën tënde dhe nuk e di se prej nga të fillosh, fillo nga këtu (namazi)!
33. Mos të të shqetësojë mendimi për njerëzit se a të duan apo jo. Zemrat e njerëzve ndryshojnë, sot të duan dhe nesër të urrejnë. Prandaj shqetësimi yt le të jetë dashuria e Allahut, sepse kur Allahu të do, i bën zemrat e njerëzve të të duan.
34. Nëse të ngushtohet gjoksi nga fjalët e njerëzve, përsiate fjalën e Allahut: “Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!”
35. “Pas vështirësisë, Ai (Allahu) sjell lehtësimin” ; nuk do të mbetesh në të njëjtën gjendje, ajo do të ndryshojë, Allahu pikëllimin do ta zëvendësojë me gëzim dhe vështirësitë e tua me lehtësim. (Dr. Neval el-Id)
36. Nëse mendon se askush nuk të dëgjon, mjafton fakti se Allahu e di çfarë ke në brendësinë tënde.
37. Lutja është shpresë që nuk njeh fund!
38. Allahu robit nuk ia mbyll një derë me urtësinë e Tij, vetëm se ia hap dy dyer të tjera me mëshirën e Tij!
39. Zoti im, mos më privo nga ai person, që gjithmonë kam shpresuar të jetë afër meje!
40. Zot, largoji brengat, mërzitë, sëmundjet dhe sihrin nga robërit e Tu dhe furnizoji me lumturi në të dyja botët!
41. O Zot! Kërkoj nga Ti, me emrat e Tu të bukur, të na lirosh nga brengat, ta largosh shqetësimin tonë dhe të na e mundësosh të dëgjojmë lajme që na gëzojnë!
42. Zoti im! Bëje fillimin e ditës sime mirësi, mesin e saj sukses dhe fundin e saj shpëtim. Kërkoj mbrojtje te Ti, nga dita që fillimi i saj është frikë, mesi i saj demoralizim dhe fundi i saj dhembje!

Nga arabishtja: Irfan JAHIU