- Ilaçi më i mirë për qetësimin e dhembjeve: “Prandaj, përgëzoji të duruarit.”[1]
- Nuk e qetëson zemrën e lodhur asgjë më shumë se dëgjimi i fjalëve të Allahut: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.”[2]
- Nëse të ngushtohen çështjet, dije se lehtësimi është shumë afër!
- Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt i janë shtuar brengat dhe mërzitë, le ta shtojë fjalën: ‘La haule ue la kuv-vete il-la bil-lah.’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut).”
- Gjatë kohës kur ndien dhembje, ji i bindur në mëshirën e Allahut.
- Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave, njerëzve të mirë u ngriten pozitat dhe u shtohen shpërblimet.
- Dyert e qiejve janë të gjera dhe çelësi i tyre është duaja!
- Përmendja e Allahut, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, njeriun e bën të lumtur, i largon brengat dhe e mbush Peshoren.
- Largimi nga Allahu është vdekje për zemrën!
- Mos u mërzit për dynjanë dhe çfarë ka në të, të gjithë ne jemi mysafirë në tokën e saj!
- Besimtari është si gjethe e gjelbër, nuk bie, sado që ta godasin stuhitë e forta!
- Nëse namazi nuk është i pari nga prioritetet, atëherë sa jetë e keqe që është ajo!
- Nëse largohesh nga namazi, dije se rehatia dhe bereqeti, vetëm se janë larguar nga jeta jote!
- Zemrat, që janë larg Allahut, nuk rehatohen.
- Kur ballafaqohesh me ndonjë bela, rikujtoje se ajo është e përkohshme, se ajo është përcaktim i Allahut dhe se ajo do të të dhurojë shpërblime, nëse bën sabër!
- Gjërat e bukura gjithmonë fshihen pas vështirësive, me qëllim që Allahu ta befasojë durimin tonë me dhuntitë e Tij të shumta.
- Kush e ruan gjuhën e vet për hir të Allahut në dynja, Allahu do t’ia mundësojë në prag të vdekjes, që gjuha e tij ta shqiptojë shehadetin (dëshminë). (Ibën El-Xheuzij)
- Vetmia të vjen, kur harron se Allahu është me ty!
- Shqetësimi vret më shumë njerëz sesa puna, kjo se njerëzit më shumë shqetësohen sesa që punojnë.
- Po të mos ishte përmendja e Allahut, do të vdisnin shpirtrat tanë nga brengat! “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.” [3]
- Kur më pyesin se si e kam gjendjen, u përgjigjem me ELHAMDULILAH (Falënderimi i takon Allahut) dhe mendojnë se unë jam në majën e lumturisë sime. Ata harruan se ne e falënderojmë Allahun në rehati dhe në vështirësi!
- Brengat e tepërta nuk janë arsye e logjikshme që ta vrenjtësh fytyrën para njerëzve! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin për të, ishte me brengat më të rënda në mesin e njerëzve, mirëpo ishte ai, që më së shumti buzëqeshte!
- Po të kishte qenë dynjaja e lehtë, nuk do të ishte sabri një nga dyert e Xhenetit!
- Allahu nuk e braktis një rob që qan, që ankohet dhe e ul kokën e tij, e pastaj lutet!
- A ka më mirë se për një rob të Allahut, të thotë: “O Zoti im, unë shumë gabova, gjynahe të bëra, të liga veprova dhe të mëkatova: O Zot më fal!”
Dhe Allahu të thotë: “O robi Im, Unë ta fala, të mëshirova, gjynahet t’i mbulova dhe nga mëkatet të pastrova!”
- Nëse të ngulfati tymi i dhembjes, hape dritaren e lutjes që ta rifreskosh ajrin me fjalën: O Zot!
- Çfarë vlere ka jeta, nëse nuk ecim rrugës, e cila na drejton për në Xhenet?!
- Me të lidhurit tënd me Allahun, të mirën e sheh si të mirë dhe të keqen si të keqe!
- Çfarë mbetet prej fatkeqësive, kur e rikujton se Allahu është me ty?!
- Nëse fiken të gjitha dritat, dije se ekziston një llambë që nuk fiket deri në vdekje, e ajo është llamba e pendimit!
- Nëpër shkolla, në fillim marrim mësime e pastaj kalojmë nëpër provime, kurse në jetë, fillimisht kalojmë nëpër provime e pastaj marrim mësime.
- A dëshiron ta ndryshosh jetën tënde dhe nuk e di se prej nga të fillosh, fillo nga këtu (namazi)!
- Mos të të shqetësojë mendimi për njerëzit se a të duan apo jo. Zemrat e njerëzve ndryshojnë, sot të duan dhe nesër të urrejnë. Prandaj shqetësimi yt le të jetë dashuria e Allahut, sepse kur Allahu të do, i bën zemrat e njerëzve të të duan.
- Nëse të ngushtohet gjoksi nga fjalët e njerëzve, përsiate fjalën e Allahut: “Ne e dimë mirë, që ty të ngushtohet zemra nga fjalët e tyre, andaj, lartësoje Zotin tënd duke e lavdëruar dhe bëhu prej atyre që i përulen Atij duke u falur!”[4]
- “Pas vështirësisë, Ai (Allahu) sjell lehtësimin“[5]; nuk do të mbetesh në të njëjtën gjendje, ajo do të ndryshojë, Allahu pikëllimin do ta zëvendësojë me gëzim dhe vështirësitë e tua me lehtësim. (Dr. Neval el-Id)
- Nëse mendon se askush nuk të dëgjon, mjafton fakti se Allahu e di çfarë ke në brendësinë tënde.
- Lutja është shpresë që nuk njeh fund!
- Allahu robit nuk ia mbyll një derë me urtësinë e Tij, vetëm se ia hap dy dyer të tjera me mëshirën e Tij!
- Zoti im, mos më privo nga ai person, që gjithmonë kam shpresuar të jetë afër meje!
- Zot, largoji brengat, mërzitë, sëmundjet dhe sihrin nga robërit e Tu dhe furnizoji me lumturi në të dyja botët!
- O Zot! Kërkoj nga Ti, me emrat e Tu të bukur, të na lirosh nga brengat, ta largosh shqetësimin tonë dhe të na e mundësosh të dëgjojmë lajme që na gëzojnë!
- Zoti im! Bëje fillimin e ditës sime mirësi, mesin e saj sukses dhe fundin e saj shpëtim. Kërkoj mbrojtje te Ti, nga dita që fillimi i saj është frikë, mesi i saj demoralizim dhe fundi i saj dhembje!
Marrë nga libri:
NGA DHEMBJA DREJT LUMTURISË
(Thënie të mençura nga jeta dhe përvoja)
Përmblodhi dhe përktheu:
Irfan Jahiu