E drejta e prindërve është e madhe, pozita e tyre në fenë e Allahut është shumë e lartë, respektimi i tyre ka ardhur paralel me teuhidin, mirënjohja e tyre ka ardhur paralel me mirënjohjen e Allahut, ndërsa bamirësia ndaj tyre është një prej veprave më të mëdha dhe më të dashura tek Allahu. Respektimi i prindërve është prej moralit të pejgamberëve, në të përpiqen dhe këmbëngulin njerëzit e mirë, të gjitha fetë qiellore janë në pajtim rreth detyrimit të tij dhe mendja e shëndoshë e pohon atë.
Allahu, azze ue xhel, thotë: “Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit”. (En-Nisa: 36)
“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël”. (El-Isra: 23-24)
“Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. (Lukman: 14)
Ibën Abasi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Tri ajete të Kur’anit kanë zbritur si ajete ku në to vepra nuk pranohet pa veprën tjetër e cila ka ardhur paralele me të:
Ajeti i parë: “Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit”. (En-Nisa: 59), kush i nënshtrohet Allahut dhe nuk i nënshtrohet të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam, nuk pranohet nënshtrimi i tij ndaj Allahut.
Ajeti i dytë: “Faleni namazin, jepeni zeqatin”. (El-Bekare: 43) kush falet dhe nuk e jep zeqatin nuk i pranohet namazi i tij.
Ajeti i tretë: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu”. (Lukman: 14) kush e falënderon Allahun dhe nuk i falënderon prindërit nuk i pranohet falënderimi që ia bën Allahut”.
Prej argumenteve të lartpërmendura na bëhet e qartë se respektimi i prindërve është detyrim i çdo njeriut, ndërsa mosrespektimi i tyre është mëkat prej mëkateve të mëdha.
I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, thotë: “A dëshironi t’ju tregoj për mëkatet më të mëdha?” . Këtë e përsëriti tri herë. Sahabët i thanë: “Po, o i Dërguar i Allahut”. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, tha: “Bërja shirk (shok) Allahut dhe mosrespektimi i prindërve…”
Përcillet nga Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, të ketë thënë: “E kam pyetur Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, se cila vepër është më e mira. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, u përgjigj: “Falja e namazit në kohën e vet”. I thashë: “Pastaj cila?”. Tha: “Respektimi i prindërve”. I thashë: “Pastaj cila?” Tha: “Xhihadi në rrugën e Allahut”.
Në këtë hadith dhe në disa të tjera vërejmë se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i ka dhënë përparësi respektimit të prindërve ndaj xhihadit.
Abdullah ibën Amri, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcillet të ketë thënë: “Ka ardhur një person tek i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, dhe ka kërkuar leje që të marrë pjesë në xhihad. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e pyeti: “A i ke të gjallë prindërit?”. Ai iu përgjigj: “Po”. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Xhihadi yt është tek ata”.
Gjithashtu, transmetohet nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “Ka ardhur një person te Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe i tha: “Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar (për xhihad), mirëpo nuk po kam mundësi”. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?”. Ai tha: “Po, nënën time”. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, iu përgjigj: “Rregulloji marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit), atëherë ti ke bërë haxhin, umren dhe xhihadin”.
Përcillet se një njeri ka ardhur tek Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, dhe e ka pyetur: “O i Dërguar i Allahut, unë kam dëshirë që të luftoj në rrugën e Allahut dhe kam ardhur te ti që të konsultohem.” Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i tha: “A e ke gjallë nënën?”. Tha: “Po”. Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i tha: “Kryej nevojat e nënës tënde, se me të vërtetë Xheneti është tek këmbët e saj”.
Me një transmetim tjetër qëndron se Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, e ka pyetur: “A i ke prindërit gjallë?”. I thashë: “Po”. Atëherë i tha: “Kryeji nevojat e tyre, se me të vërtetë Xheneti është nën këmbët e tyre”.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, me një hadith tjetër na sqaron se mosrespektimi i prindërve është shkak i përshpejtimit të dënimit në dynja para atij në ahiret: “Allahu çdo mëkatit që e bën robi mund t’ia vonojë dënimin deri në Ditën e Kiametit, përveç mëkatit të mosrespektimit të prindërve të cilin e përshpejton në dynja para se t’i vjen në ahiret”.
Kab el Ahbar, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Allahu ia përshpejton shkatërrimin atij që është mosrespektues i prindërve që t’ia përshpejton atij dënimin në dynja dhe Allahu i shton në jetë atij që është respektues i prindërve, që ky i fundit të shton në respekt dhe në mirësi ndaj tyre dhe të shpenzon për ta kur kanë nevojë”.
Është pyetur Kab el Ahbar, Allahu e mëshiroftë, se çka do të thotë mosrespektim i prindit? U përgjigj: “Kur ndonjëri prej prindërve e urdhërojnë fëmijën me ndonjë urdhër, ai nuk i respekton. Kur ndonjëri prej të dyve i kërkojnë diçka, fëmija nuk ua jep dhe kur e detyrojnë me ndonjë përgjegjësi, fëmija i tradhton”.
Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Erdhi një njeri tek i Dërguari i Allahut dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, cili është njeriu më i denjë për sjellje të mirë ndaj tij? Ai iu përgjigj: “Nëna jote”. Tha: Pastaj cili? U përgjigj: “Nëna jote”. Tha: pastaj? U përgjigj: “Nëna jote” . Ai tha përsëri: Pastaj? Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u përgjigj: “Babai yt”.
Ky hadith na mëson se nëna meriton bamirësi tri herë më tepër se babai, për shkak vështirësive që ka në bartjen e fëmijës në barkun e saj, pastaj lindjes, pastaj dhënies gji e tjera. Plot prej baballarëve kur e dëgjojnë këtë hadith preken se pse nënës i jepen tri hise në respekt e babës i jepet vetëm një hise. Prindi duhet ta dijë se nëna e ka bartur fëmijën në barkun e saj nëntë muaj me vështirësi të njëpasnjëshme dhe sa më tepër që është zhvilluar fetusi i ka shtuar asaj barrën dhe mundimin. Ajo e ka lindur atë me plotë dhimbje duke iu ekspozuar vdekjes. Ajo të gjitha shpresat e saj i ka të varura për këtë fëmijë në të cilin sheh lumturinë e jetës dhe bukuritë e saj. Pastaj kjo nënë i shërben fëmijës ditë e natë, e ushqen me shëndetin e saj, e çlodhë me të lodhurit e saj, qumështi i saj është ushqim për të, kujdesi i saj është shtëpi për të, kraharori dhe duart e saj janë shtrat për të, e mbron dhe përkujdeset për fëmijën e saj, uritet për të ngopur atë, rri pa gjumë që ai të flejë. Është e mëshirshme me fëmijën e saj, përdëllimtare ndaj tij. Kur mungon ajo, fëmija atë e thërret, nëse e godet ndonjë gjë e padëshiruar te nëna e tij kërkon ndihmë. Mendon se tërë e mira burimin e ka tek ajo dhe se e keqja nuk mund ta godet kur është në përqafimin e saj ose kur ajo e vështron me syrin e saj.
Përcillet se Ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kishte pa një djalë që e kishte hipur nënën e vet mbi shpinë dhe po e bënte tavafin rreth Qabesë. Ky djalosh më vonë e pyeti Ibën Omeri se me atë vepër të cilën e veproi a e ka larë borxhin që e ka ndaj saj? Ibën Omeri u përgjigj: “Me këtë vepër nuk ke mundur ta lash asnjë dhembje prej dhembjeve që i ka përjetuar gjatë shtatzënisë, mirëpo ke vepruar shumë mirë për shkak se Allahu edhe për veprat e vogla shpërblen shumë “.
Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, me një hadith thotë: “Tre lutje janë të pranuara dhe në të nuk ka aspak dyshim: Lutja e të dëmtuarit, lutja e udhëtarit dhe lutja e prindërve”.
Ky hadith është nxitës për prindërit që t’i luten Allahut për fëmijët e tyre që Allahu t’i udhëzojë dhe t’i drejtojë dhe t’ua shtojë atyre respektimin e prindërve dhe po ashtu është hadith paralajmërues për ta që mos t’i mallkojnë fëmijët siç është traditë tek ne kur fëmija nuk e respekton prindin ai nguron që ta mallkojë fëmijën e vet dhe harron se lutja e tij pranohet dhe se ajo mund të jetë shkak që fëmija asnjëherë mos të drejtohet në rrugë të drejtë.
Sot në shoqëritë tona vërejmë shumë dukuri negative të mosrespektimit të prindërve, dukuri të cilat nuk kanë qenë prezent më herët, mirëpo mjetet e informimit, devijimet në moral, besimi i dobët, largimi prej fesë së Allahut, etj., kanë ndikuar që ato të shtohen. Në vazhdim do t’i përmendi disa prej këtyre dukurive dhe shkaqet të cilat çojnë deri në mosrespektimin e prindërve.
Prej dukurive të mosrespektimit të prindërve janë:
– Pikëllimi dhe bërja e prindërve për të qarë, qoftë ajo me vepër apo me thënie.
– Vrazhdësia ndaj tyre, edhe atë me ngritjen e zërit dhe thënien e fjalëve jo të hijshme, ndërsa Allahu na porosit dhe thotë: “mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti”. (El-Isra: 23)
– Zemërimi dhe irritimi prej urdhrave të tyre. Allahu na edukoi dhe na mësoi që t’i largohemi kësaj vepre: “mos u thuaj atyre as “uh!”. (El-Isra: 23)
– Urdhërimi i tyre. Ka prej njerëzve të cilët i urdhërojnë nënat që t’i pastrojnë shtëpitë, t’i lajnë rrobat, të përgatitin ushqim, e kështu me radhë. Kjo vepër nuk i ka hije të veprohet posaçërisht nëse ajo është e sëmurë, plakë ose e pamundur. Nëse nëna ngrihet vetë dhe i kryen këto vepra vullnetarisht nuk ka gjë, fëmijës i takon atëherë ta falënderojë dhe të bëjë lutje për të.
– Refuzimi i ushqimit të cilin e përgatit nëna. Kjo vepër në vete i përmban dy ndalesa. E para, nënçmimi i ushqimit dhe kjo nuk lejohet. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka nënçmuar asnjëherë asnjë lloj ushqimi, atij kur i pëlqente e hante kur nuk i pëlqente nuk e hante. Ndalesa e dytë është në atë se kjo vepër aludon në moral të ulët me nënën tënde.
– Lënia e ndihmës së tyre rreth nevojave të shtëpisë. Disa fëmijë këtë vepër e shohin si mangësi në burrëri dhe vepër jo të lavdëruar. Disa vajza i shohin nënat e tyre se si mundohen duke i kryer punët e shtëpisë dhe asnjëherë nuk ngrihen që t’i ndihmojnë, madje ka prej tyre që flasin në telefon me shoqet e tyre me orë të tëra dhe aspak nuk u shkon mendja t’i dalin në krah nënave të tyre.
– Mosmarrja dhe mosrespektimi i mendimit të prindërve. Ka disa fëmijë të cilët nuk këshillohen me prindërit për çështjet e tyre kryesore në jetë, si martesa, fejesa, shkollimi, etj. I vëren se si këshillohen me shokët e tyre, me të afërmit të tyre, me gratë e tyre dhe harrojnë se prindërit e tyre e kanë kaluar këtë periudhë të jetës më herët se ata dhe kanë përvojë të mjaftueshme që ta këshillojnë fëmijën e tyre për atë problem.
– Nxitja e problemeve para prindërve, edhe atë qoftë me vëllezërit, me gruan, me fëmijët apo me dikë tjetër.
– Qortimi i prindërve para njerëzve dhe përmendja e mangësive të tyre. Ka prej fëmijëve kur dështon në ndonjë çështje, si në shkollë për shembull, i akuzon prindërit se ata janë fajtor për dështimin e tij në jetë dhe se ata nuk i kanë kushtuar rëndësi të veçantë problemeve të tij, e kështu me radhë. Është e vërtetë se ndonjëherë prindërit mund të jenë shkaktar, mirëpo jo gjithmonë. Prandaj njeriu gabimet e veta duhet t’ia adreson vetvetes e jo të tjerëve dhe të tenton që të kërkon ndihmë prej prindërve të vet që ata t’i ndihmojnë dhe ta këshillojnë me atë çka është më mirë për të.
– Mallkimi i prindërve dhe sharja e tyre. Kjo veprohet në mënyrë direkte ose në mënyrë indirekte duke ia sharë ndokujt tjetër prindin e në fakt me këtë vepër e shanë prindin e vet. Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur me të, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Prej mëkateve të mëdha është sharja e njeriut prindërit e vet”. Tha njëri prej atyre që ishin prezent: “O i Dërguar i Allahut, a ka njeri i cili e shan prindin e vet?”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, iu përgjigj: “Po. Kur njeriu e shan babën e ndokujt e ka sharë babën e vet dhe kur njeriu e shan nënën e ndokujt e ka sharë nënën e vet”.
– Humbja e autoritetit të prindërve. Ka prej fëmijëve të cilët ia humbin autoritetin prindërve duke ua cekur mangësitë, duke i treguar të tjerëve për të metat e prindërve të tyre në moral, e kështu me rrallë dhe kjo pa dyshim se është prej mosrespektimit të prindërve.
–Kërkesat e tepërta prej anës së fëmijëve. Ka fëmijë të ndikuar prej rrethit ku jetojnë i kërkojnë prindërve të tyre gjëra të ndryshme, si blerjen e veturës, blerjen e shtëpisë, martesën e tij, e kështu me radhë. Prindi i shkretë ndoshta nuk ka mundësi që t’ia plotëson kërkesat e tij, prandaj detyrohet që të punon orë shtesë vetëm e vetëm ta kënaq të birin e vet.
– Dhënia përparësi gruas para prindërve. Ka prej njerëzve të cilët i nënshtrohen urdhrit të gruas, kurse urdhrat dhe nevojat e prindërve i anashkalojnë. Po ashtu ka prej tyre që ia shfaqin dashurinë gruas para prindërve, a prindërit e mjerë asnjëherë ndoshta nuk dëgjojnë prej fëmijës së tyre fjalë të ëmbla se sa i do ata dhe sa i respekton ata.
– Të distancuarit prej tyre dhe mbarja e përmendjes së prejardhjes së tyre. Kjo është një prej dukurive më negative të mosrespektimit të prindërve. Disa fëmijëve kur i rritet pozita e tyre shoqërore, bëhen drejtorë apo ministra apo arrijnë deri në ndonjë pozitë të lartë, turpërohen prej përmendjes së prindërve të tyre e veçanërisht nëse ata janë të paarsimuar. Kjo aludon në mendje të sëmurë, moral të devijuar dhe besim të dobësuar. Harron i mjeri se ai prind të cilin i vjen turp ta përmend ka punuar ditë e natë që ta arsimojë, harron i mjeri se nëna e tij ka qenë ajo e cila ia ka larë rrobat, e ka ushqyer, etj., vetëm se ai të arrijë deri në këtë pozitë të cilën mendon se e ka arritur me djersët e veta dhe pa ndihmën e askujt.
– Vendosja e tyre në shtëpi pleqsh. Me këtë vepër arrihet kulmi i çdo të keqes dhe ai i cili e bën këtë vepër pa dyshim se kurrë nuk do të sheh mirësi. Sot numri i këtyre shtëpive rritet në mesin tonë si rezultat i kërkesave të mëdha që i bëjnë fëmijët për prindërit e tyre, mirëpo mos të harrojnë se si veprojnë sot me prindin ashtu do të veprojë fëmija me të kur të plaket.
– Rrahja e tyre, largimi prej tyre në pleqëri dhe shpresa për vdekjen e tyre. Ka prej fëmijëve që i rrahin prindërit e tyre dhe ka prej atyre që mezi presin të vdesin që t’ia marrin pasurinë ose të lirohen prej tyre nëse janë të sëmurë apo të varfër.
Këto ishin disa prej dukurive më kryesore të cilat janë të shpërndara në shoqërinë tonë dhe në vazhdim do t’i përmendim edhe disa prej shkaqeve që ndikojnë në mosrespektimin e prindërve.
Shkaqet e mosrespektimit të prindërve janë të shumta:
– Injoranca dhe mosdija
Injoranca është sëmundje vrasëse, ndërsa injoranti është armik i vetvetes. Njeriu kur e injoron realitetin e respektimit të prindërve, kur e injoron shpërblimin dhe dënimin e tij në dynja dhe ahiret, shumë lehtë mund të bie në mëkatin e mosrespektimit të prindërve.
– Edukata e keqe dhe jo e drejtë
Prindërit kur nuk i edukojnë fëmijët e tyre në devotshmëri, mirësi dhe respekt, pa dyshim se fëmijët më vonë do të rebelohen ndaj prindërve të tij.
– Kundërshtimi në vepra
Ndodh që prindi fëmijën e tij ta merr ta mëson se duhet të falet, nuk duhet të gënjen, të jetë i drejtë, e kështu me radhë, mirëpo ai vet si prind nuk i vepron këto vepra. Kur fëmija sheh se prindi nuk falet ndërsa ai e nxit atë që të falet, kur e vëren se gënjen, ndërsa nxit në fisnikëri dhe në besnikëri, mos të prese se ai fëmijë do ta dëgjojë dhe respektojë urdhrin dhe këshillën e tij.
– Shoqëria e keqe e fëmijëve
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Njeriu është në fenë e shokut te vet, pra kini kujdes cilin e merrni për shok”. Shoqëria është një ndër shkaqet kryesore që ta shkatërrojë edukatën e fëmijës dhe për këtë shkak prindi duhet të jetë i kujdesshëm se me kë shoqërohet fëmija i tij.
– Mosrespektimi i prindit ndaj prindërve të vet
Zakonisht kjo është një prej shkaqeve kryesore të mosrespektimit të prindërve. Kur fëmija e sheh prindin se nuk i respekton prindërit e vet, atëherë edhe ai kur ta arrijë pleqërinë nuk do t’i respekton dhe po ashtu nuk duhet harruar edhe faktin se shpërblimi vjen sipas veprës që e vepron.
– Dallimi mes fëmijëve
Njeriu nuk mundet që t’i dojë fëmijët në masë të njëjtë dhe kjo nuk bie në kundërshtim me fenë e Allahut. Shembull më të mirë e kemi Jakupin, alejhi selam, i cili e donte Jusufin, alejhi selam, më së shumti se sa fëmijët e tjerë. Problemi ndodh atëherë kur prindi nuk ia jep të gjithë fëmijëve të vet të drejtat proporcionalisht dhe e favorizon njërin para tjetrit, kjo nuk lejohet në fenë e Allahut dhe kjo është një prej shkaqeve që fëmija më vonë të rebelohet kundër prindërve të tij.
– Morali i keq i gruas
Allahu mund ta sprovojë njeriun me ndonjë grua e cila posedon moral të keq, nuk i frikohet Allahut, nuk i respekton të drejtat dhe e nxit burrin që të rebelohet kundër prindërve, t’i nxjerr prej shtëpisë apo mos t’i respektojë, e kështu me radhë.
– Mospasja e përvojës si prind
Disa fëmijë nuk e kuptojnë realitetin se çka do të thotë të jesh prind. Për këtë shkak i vëren se nuk u intereson për ndjenjat e prindit dhe mërzitë e tij, natën vonohen apo ndoshta nuk u tregojnë aspak se ku shkojnë, ndërsa prindi i shkretë i pret tanë natën derisa të kthehen dhe t’i sheh se janë mirë. Mirëpo kur bëhen ata vetë prindër atëherë i vërejnë gabimet dhe gjurmët e gabimeve të tyre tek fëmijët e tyre.
Këto ishin disa prej shkaqeve të mosrespektimit të prindërve. E lus Allahun që të na bëjë prej atyre që i respektojnë prindërit në veçanti dhe të gjithë njerëzit në përgjithësi.
Respekti i prindit dhe bamirësia është edukatë e Pejgamberit tonë, alejhi salatu ue selam, dhe pejgamberëve tjerë para tij. Ne si muslimanë duhet t’i pasojmë ata dhe të marrim shembull prej tyre, e jo prej artistëve, këngëtarëve, etj., të cilët janë njerëz me moral më të shëmtuar dhe degjeneruar.
Është shembulli me Nuhin, alejhi selam, i cili bënte lutje dhe kërkonte falje për ta. Allahu, azze ue xhel, e përmendi në Kur’an shembullin e tij dhe tha: “O Zoti im, falmë mua dhe prindërit e mi, si dhe çdo besimtar, që kërkon strehim në shtëpinë time! Fali të gjithë besimtarët e besimtaret”. (Nuh: 28)
Po ashtu kemi shembull edhe në Ibrahimin, mikun e Allahut, babanë e pejgamberëve, prijësin e besimdrejtëve kur i drejtohet babait të vet me fjalë të buta dhe të ëmbla edhe pse ai ishte i pafe. “O babai im” i thoshte atij duke e thirr që vetëm Allahun ta adhurojë dhe ta lë shirkun. Pasi që ai nuk pranoi dhe iu kërcënua me rrahje e persekutim, Ibrahimi nuk shtoi më tepër se fjalën: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus zotin tim për të falur ty”. (Merjem: 47)
Mos ta harrojmë Ismailin të birin e Ibrahimit, alejhi selam, shembullin më të mirë për respekt të prindërve në historinë e njerëzimit. Kur i tha baba i vet: “O djali im, kam parë ëndërr se duhet të të flijoj”. (Es-Safat: 102) Ismaili iu përgjigj: “O ati im, vepro ashtu siç je urdhëruar! Dashtë Allahu, unë do të jem i durueshëm!”. (Es-Safat: 102)
Allahu po ashtu e lavdëroi Jahja ibën Zekerija kur tha për të: “Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i padëgjueshëm”. (Merjem: 14)
Dhe po ashtu e lavdëroi edhe Isën, alejhi selam, kur për ta tha: “Dhe që të jem i mirë ndaj nënës sime dhe nuk më ka bërë të ashpër dhe të padëgjueshëm”. (Merjem: 32)
Allahu në këtë kuptim regjistroi shembuj të shumtë në Librin e tij.
Kështu ishin edhe selefi i këtij umeti, njerëzit më të kujdesshëm në bamirësinë ndaj prindërve. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur dëshironte të dalë prej shtëpie ndalej në prag të derës dhe thoshte: “Paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ty oj nëna ime”. Ajo i thoshte: “Edhe mbi ty qoftë paqja, mëshira dhe bekimi i Allahut, o biri im”. Ai përsëri thoshte: “Allahu të mëshiroftë ashtu si je kujdesur për mua kur isha i vogël”. Ajo ia kthente: “Allahu të mëshiroftë për bamirësinë tënde ndaj meje pasi që u rrite”.
Një ditë nëna e Abdullah ibën Mesudit kërkoi ujë prej tij. Ai shkoi për të sjellë ujë dhe pasi kthehet e gjeti nënën duke fjetur. U ul pranë saj dhe priti deri në mëngjes me ujë në dorë. Nuk e zgjoi prej gjumi për mos ta penguar e as që u kthye sepse ajo mund të zgjohej, të kërkoj ujë dhe të mos gjente. Vini re rastit të Hasen Temimit i cili deshi të mbys një akrep, e pasi që nuk arriti të mbys, akrepi u fut në një vrimë në shtëpinë e tij. Vuri dorën në vrimë dhe e mbylli atë, mirëpo e kafshoi atë akrepi. I tha dikush atij: “Pse veprove ashtu?”. Ai u përgjigj: “U frikova që mos të dalë nga vrima dhe ta kafshojë nënën time”.
Ibën Aun el Muzenin, Allahu e mëshiroftë, e thirri një ditë nëna e tij e ky iu përgjigj me zë të lartë për ta dëgjuar ajo. Ai u pendua për këtë gjest dhe në shenjë pendimi liroi dy robër.
Për bamirësinë e selefit ndaj nënës ka pasqyrime të shkëlqyera e raste të shumta që nuk mund të përmenden të gjitha në këtë vend, por mund vetëm të jepet shenjë për mirëbërësin e tyre të madhe duke përmendë disa raste. Po qe se shikojmë me sy vështrues në gjendjen tonë do të shohim mangësi të madhe në sjelljen me baballarët dhe nënat tona e ndoshta ndonjëri edhe nuk i respekton ata, Allahu na mbrojttë.
E lus Allahun me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të larta t’i mëshirojë prindërit tanë, t’ua falë atyre mëkatet dhe prej tyre që janë të gjallë Allahu i mëshiroftë, i shëroftë dhe i udhëzoftë. Ndërsa prej atyre që janë të vdekur Allahu i mëshiroftë, varrin ua ndriçoftë dhe në Xhenet na bashkoftë.
Përgatiti dhe përktheu: Irfan JAHIU