Të gjithë ata që janë duke menduar ta blejnë telefonin e tyre të parë të mençur e kanë një opsion shumë të mirë të cilin mund ta zgjedhin.
Dhe tani kur edhe tek ne ka arritur rrjeti 4G, ju me siguri se do të donit që telefoni juaj ta mbështeste këtë rrjet të shpejtë mobil.
Për kërkesat tuaja, Motorola do ta ketë modelin e mirë dhe të lirë, Moto E, që do të jetë edicion i këtij viti, dhe për më tepër, do të jetë edhe me versionin e fundit të Android, 5.0 Lollipop.
Moto E është ndër telefonat e rinj të Motorola që mund të blihet për një çmim të përballueshëm prej rreth 100 dollarëve, pa kontratë me operatorët.
Sipas një listimi në Best Buy, Moto E do të jetë në dispozicion për aq pak sa 99,99 dollarë, dhe në këtë çmim përfshihet edhe memoria e brendshme me 8GB, procesori me 1.2 GHz quad-core Qualcomm Snapdragon, ekrani me diagonalen prej 4.5-inç, rezolucioni me 540 x 960 piksel; 1 GB RAM; 5 MP kamera kryesore dhe kamera e përparme me 0.3 MP, përveç tjerash. (Telegrafi)