MUAJI I LUTJEVE TË PRANUARA

Prezantimi kur’anor i agjërimit e ka një porosi interesante. Pas ofrimit të rregullave dhe dispozitave në tri ajete me radhë, tematika plotësohet me ajetin e katërt që në këtë rast është ai me nr 186 në suren Bekare dhe në të, Allahu I Lartëmadhërishëm thotë:

“Kur të pyesin ty robërit e Mi për Mua, thuaju: Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së lutësit kur ai Më lutet. Andaj, le të më luten…” (Bekare, 186)
Dhe sigurisht nuk është kjo lidhja e vetme mes Ramazanit dhe lutjes së pranuar. Ajo lidhje del në pah edhe kur e kemi parasysh hadithin e të Dërguarit të Allahut, në të cilin qëndron:
“Tri lloje lutjesh janë të pranuara: lutja e agjëruesit, lutja e viktimës dhe lutja e udhëtarit.” (Sahih sipas Albanit)
Imagjinoje vetën të jesh në një kohë në të cilën ke një ofertë e cila thotë: kërko çfarë të duash! Imagjino dhe parashtro kërkesën tënde, e ajo do të plotësohet! Dhe kush e bën këtë ofertë? E bën Zoti I Gjithësisë, I Gjithëmundshmi, I Plotëfuqishmi, Ai që nuk e pengon asgjë në botë të realizojë atë që Ai do. Një gjendje dhe një mundësi e këtillë duhet të na bëjë të lumtur dhe të na i nxisë dëshirat dhe zellin për të iu drejtuar Allahut me lutje për gjithë ato dëshira që i kemi, e që për mundësitë tona të kufizuara duken të parealizueshme. Dhe, m’u për këtë, duhet gjithnjë t’a kemi të gatshme listën e dëshirave të cilat në formë kërkese dhe lutjeje do të ia parashtrojmë Krijuesit derisa jemi agjërueshëm, e sidomos para iftarit.
Edhe një gjë të rëndësishme duhet patur parasysh: Lutjen e bëjmë duke qenë të bindur se ajo do të plotësohet, duke mos pasë edhe dyshimin më të vogël se Allahu do të na përgjigjet. Thotë i Dërguari i Allahut:
“Luteni Allahun duke qenë të bindur se do t’u përgjigjet. Dhe dijeni se Allahu nuk i përgjigjet lutjes që del nga zemra e shkujdesur.” (Sahih sipas Albanit)
Lutu, pra, duke qenë i bindur në Fuqinë dhe Mundësinë e Zotit, duke shpresuar në Dashurinë dhe Mëshirën, në Afërsinë e Tij për ty dhe ata që i do. E kjo dashuri bëhet më meritore dhe më e fuqishme derisa përpiqemi që të jemi ashtu si na do Ai.

Shkruar nga Hoxhë Ekrem Avdiu, përcjellë Radio Pendimi.