Muaji i Ramazanit dhe plazhet e zbrazura – Dr. Shefqet Krasniqi

Shumë kush pati thënë se këtë vit, për shkak se ditët do të jenë të gjata dhe temperaturat e larta, shqiptarët nuk do të agjërojnë, por nuk doli ashtu. Agjëruesit vetëm sa janë shtuar. Po deshët provë, dilni në kohën e iftarit në rrugët e Prishtinës, do të bindeni!

Është ora shtatë e mbrëmjes. Jemi gati për të ateruar në Medinën e Ndriçuar. Stjuardesa duke na kujtuar për lidhjen e rripit, na informon edhe për temperaturën që është jashtë. Është hiq më pak se 47 gradë celsius. Thashë më vete: O Zot! nëse kjo është temperatura gjatë natës, a thua vallë sa do jetë gjatë ditës?! Si agjërojnë këta njerëz në këtë vapë të madhe?!

 

Mbërritëm në Medinë. U akomoduam. Të nesërmen për iftar shkuam tek një ish-profesor imi, i cili, përveç tjerash, më pyeti edhe për atmosferën e Ramazanit, sa agjërojnë njerëzit, si e presin Ramazanin, sa frekuentojnë xhamitë, sa ndihmojnë të varfrit, e pyetje që kryesisht kanë të bëjnë me natyrën e këtij muaji të madh në të cilin Zoti zbriti të gjitha shpalljet e Tij qiellore, pra edhe Kur’anin Famëlartë.

Kjo edhe më shtyri të zhytem në meditim. U ndala dhe mendoja: sa e çuditshme është kjo puna e myslimanit, ai posa fillon rrugëtimin e njohjes së Krijuesit të vet, lidhet me Të me dashuri të atillë sa që është përherë në gatishmëri t’i zbatoj urdhrat e Tij, qoftë kjo edhe të privohet nga disa kënaqësi të cilat i do organizmi siç janë ushqimi dhe uji! Por, natyrisht, obligimet me të cilat i ngarkon Zoti krijesat e Tij janë tërësisht në dobi të tyre andaj edhe sa më shumë që zbulohen urtësitë madhështore të cilat fshihen pas çdo adhurimi ndaj Zotit, aq më tepër myslimani etet për Xhenetin e Tij ndërsa sakrificat, lodhjen e mundin në këtë rrugë të ndriçuar i përjeton si përvoja të ëmbla që e kalisin dhe e lartësojnë shpirtërisht.

Prandaj edhe ne sot po shohim se si në këtë vapë të madhe, në këtë shkretëtirë, muslimanët qëndrojnë tërë ditën pa ushqim dhe pa ujë, e nuk ankohen aspak sepse janë plotësisht të përkushtuar të përfitojnë sa më shumë nga edukimi shpirtëror që ofron agjërimi si shkollë devotshmërie. Sigurisht se këtë privim nga kënaqësitë trupore nuk e bëjnë vetëm këta muslimanë këtu, por e bëjnë gjithashtu edhe muslimanët tjerë anë e kënd botës, madje edhe shqiptarët tonë.

Shumë kush pati thënë se këtë vit, për shkak se ditët do të jenë të gjata dhe temperaturat e larta, shqiptarët nuk do të agjërojnë, por nuk doli ashtu. Agjëruesit vetëm sa janë shtuar. Po deshët provë, dilni në kohën e iftarit në rrugët e Prishtinës, do të bindeni!  Madje sipas një sondazhi të bërë nga instituti “The Pew Forum” del se myslimanët në Kosovë agjërojnë 76 për qind, ata në Shqipëri 44 për qind, në Maqedoni 80 për qind, ndërsa  ata në Bosnjë e Hercegovinë 75 për qind. Këtë lajmë e ka publikuar agjencia turke e lajameve Anadolia. (shkruar në telegraf.24/7/2013).

Kjo padyshim se flet për rëndësinë dhe pozitën që Ramazani ka në shoqërinë tonë. Dhe, nuk është vetëm Prishtina dhe rrugët e saj që boshatisen, por janë edhe plazhet e Ulqinit dhe Durrësit, duke dëshmuar botërisht për përkushtimin e shqiptarëve, si komb, ndaj muajit të madhërishëm të Ramazanit. Gjatë javës së kaluar, derisa isha në Medinë, pash një shkrim në Bota Sot (16/7/2013) dhe disa mediume tjera se “Plazhi i Durrësit zbrazët nga pushuesit në pikë të sezonit turistik. Tetëdhjetë për qind e kosovarëve dhe maqedonasve janë larguar për të festuar muajin e Ramazanit në vendlindjen e tyre” – shkruante artikulli.

Më besoni, shumë u gëzova, falënderova Zotin shumë dhe me lot në sy u luta që edhe zemrat tona të zbrazen nga çdo gjë që ua dëmton shëndetin. Sepse të gjithë kemi nevojë t’i kthehemi vetvetes, të gdhendemi me daltën e Fjalës së Zotit, të mbushemi me dritën e Tij të pafundme dhe të reflektojmë vetëm mirësi. Prandaj, përfillja e agjërimit është thjeshtë përndritje e intelektit që natyrshëm dëshiron të funksionoj në harmoni me nevojat e shpirtit i cili nuk mundi të gjen askund paqe përpos te Krijuesi i vet, i Cili plotësoi dhe përsosi për njerëzimin një fe me emrin Islam, emër ky që derivon nga fjala ‘paqe.’

 

E bukura është se kjo paqe nuk është aspak iluzionare por është e vërtetë sa dhe drita e diellit në qiell, prandaj edhe rrezet e saj përhapen vetvetiu kudo nëpër botë duke sjellë dëlirësi, jetë, dashuri e gjallëri, shenja këto që po karakterizojnë edhe Ramazanin në trojet tona.

E derisa ne i gëzohemi ndriçimit të syve vizionar të rinisë sonë që po përpiqet ta shijoj jetën me gjitha ngjyrat e saj me të cilat e veshi Krijuesi i botës, ka të tjerë që preferojnë ta vështrojnë botën nën syzet e zeza. E nëse është kështu atëherë gjithsesi se prej të tillëve nuk mund të presim mbështetje në misionin e promovimit të vlerave por as kritika konstruktive e këshilla dashamirëse që do të na ndihmonin në këtë rrugëtim por vetëm përgojim, shpifje, mllef, xhelozi, etiketime, urrejtje dhe përbuzje deri në tallje e nënçmim.

Kjo nuk do të ishte aq tragjike sikur të mbetej me kaq, sepse në fund të fundit çdokush e reflekton moralin e vet por më e dhimbshmja është kur vetpëlqimi dhe këndvështrimi i tyre i ngushtë e fanatik, jo vetëm që u jep guxim për të bërë edhe përgjithësimet më trashanike, si p.sh “islami fashist”, “islami minimal e maksimal” etj por edhe sikur u fal kënaqësi poshtërimi i të tjerëve dhe diskriminimi i tyre në baza fetare. Nuk di se çfarë mëtojnë të arrijnë me këtë metodë cinike përpos të tendosin këtë shoqëri edhe më shumë se sa është, derisa të vijë një kohë ku secili do i frikësohet hijes së vet ndërsa vëllazëria fetare, kombëtare apo njerëzore nuk do njihet as si term për shkak se të gjithë janë armiqësuar. Allahu na ruajt!

Është qesharake të akuzohen prijësit shpirtëror që janë bijë të këtij vendi për shpërlarjen e trurit të popullit duke i blerë bindjet e tyre me materializëm kur dihet fakti se po të ishte kjo punë parash, ne do mbeteshim të fundit dhe ky Islam do ishte harruar që moti. Për më tepër, edhe shqetësimi i këtyre gjuhëve të zjarrta islamofobe për çfarëdo hapësire mediale që na ofrohet neve si prijës fetar, vetëm sa demaskon shpirtin e tyre prej “demokrati.” Sepse, siç dihet, demokracia është një treg i hapur për të gjithë qytetarët, që t’i ekspozojnë idetë dhe qëndrimet e tyre. Figurat publike nuk mund të përcaktojnë se kush e çka duhet të zgjedh por kjo u mbetet qytetarëve që me mendje të hapur analizojnë e studiojnë dhe në fund bëjnë zgjedhjen që dëshirojnë. Duke qenë se njerëzit nuk u imponuan në zgjedhje as nga Krijuesi i tyre, atëherë s’ka pse të jetë ky pluralizëm i papranueshëm për askënd.

Por problemi ngelet tek kufiri i lirisë së shprehjes, i asaj që e drejta ime mbaron aty ku fillon e drejta e tjetrit. Ky patjetër që është parim i drejtë për ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë shoqërore ngase padyshim se njerëzit duke qenë euforik nga natyra shpesh dinë ta shkelin këtë kufi mirëpo ajo që duhet të merret parasysh është se detektimi i kësaj shkelje është dobësi të shikohet me llupë sikundër është turp që në këtë vlerësim të ketë standarde të dyfishta ashtu siç edhe mjerisht po ndodhë.

Personalisht, jam etiketuar dhe njollosur, madje më kanë deformuar imazhin aq sa po mundohen të më paraqesin si të rrezikshëm, madje deri në atë nivel saqë Kryetari i BIK-ut duhet të intervenojë në mënyrë imediate. Unë kam ngelë i shokuar. U habita fare. Nëse e rrezikshme qenka të jesh i lirë për ta adhuruar Zotin dhe për ta shprehur atë praktikisht duke u trajtuar barabartë me njerëzit e tjerë të çfarëdo bindje qofshin, atëherë unë do kërkoja të ma gjejnë dallimin mes një sistemi të tillë nga ai komunist!

Sigurisht, për këtë temë ka çka të flitet mjaftë, megjithatë konsideroj se mënyra më e mirë për të mbyllur këtë shkrim duke qenë në Ramazan si muaj i mëshirës, është ftesa për respekt, tolerancë, mirëkuptim, falje, unitet dhe harmoni. Le të kalojmë të gjithë së bashku nga tendosja në relaks dhe ta bëjmë mirësinë e lumturinë traditë. Për fund, nga vendi i shenjtë i Mekës, i përshëndes të gjithë bashkëkombësit e mi dhe lutem për ta e për vete që të jemi të qëndrueshëm përherë në të Vërtetën!

Zoti na udhëzoft të gjithëve në rrugën e drejtë, e deri në shkrimin e ardhshëm, we selam alejkum, paqja e Zotit qoftë mbi ju.