181506-استطلاع-هلال-شعبان-960x600-1

MUAJI REXHEB – DISPOZITA DHE DOBI

  1. Muaji Rexheb është muaji i shtatë në radhë nga dymbëdhjetë muajt e vitit hixhri. Emri i tij buron nga fjala ‘et-terxhib’ që do të thotë nderim apo madhështim, kjo, sepse në periudhën para Islamit, arabët e madhështonin dhe nuk e lejonin luftën në këtë muaj.[1]

E quanin edhe ‘rexheb el-esam’ (Rexhebi i Shurdhër – sh.p.), shkaku se nuk dëgjoheshin lëvizjet e luftimeve dhe as zëri i armëve dhe shkaku se është një nga muajt e shenjtë (ku në to ndalohet lufta -sh.p-), pra njëlloj si i shurdhri, që nuk dëgjon.[2]

E quanin edhe ‘munsil el-esine’ që do të thotë nxjerrës i shtizave dhe i shigjetave nga vendi i tyre, sepse me hyrjen e muajit Rexheb, largoheshin e pushonin shtizat dhe majat e shigjetave, shkaku i anulimit të luftimeve në shenjë nderi dhe madhështimi për këtë muaj.[3]

  1. Muaji Rexheb është nga muajt e shenjtë që në numër janë katër dhe si muaj vjen i katërti me radhë, pas muajit Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, e pastaj vjen muaji Rexheb, ashtu siç Allahu thotë: “Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur i krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë.” (Et-Teube: 36)

Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Koha (viti) është kthyer përsëri, siç ka qenë në fillim kur Allahu i krijoi qiejt dhe tokën. Viti ka dymbëdhjetë muaj, katër janë të shenjtë, tre nga ata janë radhazi: Dhulkade, Dhulhixhe dhe Muharrem, kurse muaji Rexheb është ndërmjet muajit Xhumada dhe Shaban.”[4]

  1. Këta katër muaj të shenjtë, ku në mesin e tyre bën pjesë edhe muaji Rexheb, janë muaj të mëdhenj tek Allahu. Në ta ndalohet dëmtimi i vetes me bërjen e mëkateve dhe tejkalimin e kufijve, ashtu siç Allahu thotë: “…Prandaj, mos i bëni vetes dëm…” (Et-Teube: 36); do të thotë mos i bëni dëm vetes në këta muaj, sepse mëkati në këta muaj është më i rëndë dhe më i madh në peshë sesa mëkati që bëhet në muajt e tjerë. Padrejtësia dhe bërja e mëkatit, janë të ndaluara në të gjithë muajt dhe jo vetëm në muajt e shenjtë, mirëpo shkaku i madhështisë dhe shenjtërisë që e kanë këta muaj tek Allahu, bërja e mëkatit në ta është më e ndaluar.

Katade, Allahu e mëshiroftë, tha: “Padrejtësia që bëhet gjatë muajve të shenjtë është më e madhe si gabim dhe gjynah karshi padrejtësisë që bëhet gjatë muajve të tjerë, edhe pse padrejtësia si mëkat është i madh në çdo kohë dhe në çdo gjendje, por Allahu madhështon nga çështja e Tij çfarë të dëshirojë.”[5]

  1. Myslimani detyrohet t’i nderojë muajt e shenjtë duke i respektuar në ta kufijtë e Allahut, me kryerjen e detyrimeve dhe zbatimin e obligimeve të Tij, me përkujdesjen për t’iu nënshtruar dhe për ta adhuruar ashtu siç e bën të kënaqur Allahun, dhe duke qenë i kujdesshëm nga dëmtimi i vetes me shkeljen e ndalesave të Allahut, veprimin e veprave që e detyrojnë zemërimin e Allahut dhe tejkalimin e kufijve të Tij, veçanërisht gjatë këtyre muajve po dhe gjatë muajve të tjerë në përgjithësi.
  2. Nuk është përcjellë asnjë hadith (i saktë) që në veçanti flet për vlerën e muajit Rexheb.

Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, tha: “Nuk përcillet asnjë hadith i saktë që lejohet të argumentohet me të për vlerën e muajit Rexheb, as për agjërimin e tij, as për agjërimin e ndonjë dite prej tij në veçanti dhe as për veçimin e netëve të tij me namaz nate.”[6]

  1. Muaji Rexheb nuk lejohet të dallohet me ndonjë adhurim të veçantë dhe të mendohet se adhurimi në këtë muaj ka specifikë të veçantë, si: agjërimi i disa ditëve të tij, apo falja e namazit të natës në disa net të tij, apo lutja me dua të posaçme duke e pasur mendimin se këto adhurime kanë vlerë të veçantë në muajin Rexheb. Të gjitha këto janë nga risitë në fe.

Nuk ka dallim në shkallë dhe vlerë asnjë kohë karshi kohës tjetër, përveç asaj kohe që e ka veçuar Allahu me ndonjë lloj të adhurimit.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Dallimi me adhurim i ndonjë sezone që nuk është prej sezonave sheriatike, si: i disa netëve të muajit Rebiul Evel, ku për to thuhet se janë nata e mevludit, apo i disa netëve të muajit Rexheb, është nga risitë në fe dhe të parët tanë të mirë as nuk e kanë pëlqyer dhe as që kanë vepruar kësisoj.”[7]

  1. Nuk lejohet që muaji Rexheb të veçohet me agjërim karshi muajve të tjerë, duke menduar se agjërimi në këtë muaj ka vlerë të veçantë, mirëpo, nëse myslimani agjëron në muajin Rexheb shkaku se është nga muajt e shenjtë, dhe po ashtu ka agjëruar edhe në muajt e tjerë të shenjtë, në këtë rast nuk ka pengesë dhe kjo duke u bazuar në hadithin që përcillet se Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ka thënë: “Agjëroji disa ditë dhe braktisi disa ditë të tjera nga muajt e shenjtë.”[8] Po ashtu lejohet edhe atëherë kur myslimani agjërimit të muajit Rexheb ia bashkëngjit agjërimin e muajit Shaban dhe Ramazan, ndërsa të veçohet muaji Rexheb me agjërim, kjo nuk është e ligjshme.

Ajo që është e ligjshme të veprohet nga agjërimi në muajin Rexheb është ajo e njëjta që është e ligjshme të veprohet edhe në muajt e tjerë, si: agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte, agjërimi i tri ditëve të bardha, apo agjërimi një ditë po dhe një ditë jo.

Është vërtetuar se Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, atyre që nuk hanin në muajin Rexheb e qëllonte kah duart derisa i vendosnin dhe i afronin tek enët e ushqimit dhe u thoshte: “Hani, sepse ky është muaj që në periudhën para Islamit njerëzit e madhështonin dhe e nderonin.”[9]

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e ndaloi agjërimin e muajit Rexheb në tërësi, që ky muaj të mos merret për festë.”[10]

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Të gjitha hadithet që kanë ardhur për ta veçuar muajin Rexheb me agjërim janë të dobëta, madje të shpikura dhe dijetarët nuk e marrin për bazë asnjë hadith prej tyre dhe ato nuk janë nga hadithet e dobëta që përcillen dhe kanë të bëjnë me vlerat, por në përgjithësi janë të shpikura dhe gënjeshtra.”[11]

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Çdo hadith, ku në të është përmendur agjërimi i muajit Rexheb dhe namazi i natës në disa net të tij, është hadith i rrejshëm dhe i shpikur.”[12]

Po ashtu Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk i ka agjëruar tre muajt rishtazi, d.m.th. Rexhebin, Shabanin dhe Ramazanin, ashtu siç veprojnë disa njerëz, dhe nuk e ka agjëruar muajin Rexheb kurrë dhe as që e pëlqeu agjërimin në të.”[13]

  1. Kush zotohet ta agjërojë muajin Rexheb, zotimin e tij duhet ta thyejë dhe ta shpaguajë, sepse të veçuarit e muajit Rexheb me agjërim është një nga veprimet e periudhës para Islamit. Zotimi i tillë është i urryer dhe myslimani nuk detyrohet ta zbatojë dhe ta realizojë atë.[14]
  2. Nuk është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka bërë umren në muajin Rexheb, madje këtë e mohoi vetë Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj. Kur u pyet Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, për të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sa herë e ka bërë umren, u përgjigj: “Katër herë dhe njëra ishte në muajin Rexheb”. Ky lajm i shkoi Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, dhe për këto fjalë të Abdullah ibën Omerit, ajo tha: “Allahu e mëshiroftë, Ebu Abdurrahmanin (d.m.th. Abdullah ibën Omerin). Sa herë që i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka bërë umren, vetëm se Abdullahu ka qenë me të, por i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk ka bërë umre në muajin Rexheb asnjëherë”. Abdullah ibën Omeri i dëgjoi fjalët e saj dhe as nuk i mohoi dhe as nuk i pohoi fjalët e saj, po heshti.”[15]

Kjo çështje iu ngatërrua, harroi apo dyshoi Abdullah ibën Omeri, prandaj edhe heshti dhe nuk i tha gjë Aishes, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[16]

  1. Përcillet për disa nga sahabët dhe tabi’inët se e pëlqenin bërjen e umres në muajin Rexheb, shkaku se është muaj i shenjtë dhe i respektuar dhe bie në mes të muajve të vitit. Nga ata që e kishin këtë mendim janë: Omer ibën Hatabi, i biri i tij Abdullahu, Aisha, El-Esued En-Nahaij, El-Kasim ibën Muhamed dhe të tjerë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre. Po ashtu Ibën Sirini përcjell se të parët tanë të mirë e bënin umren në muajin Rexheb.[17]

Ibën Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, thotë. “Të parët tanë të mirë, Allahu i mëshiroftë, kanë pasur mospajtim në mes tyre se kryerja e umres në muajin Rexheb a është prej suneti apo jo?! Disa thanë që është prej suneti, e disa të tjerë thanë që nuk është prej suneti, ngase po të kishte qenë nga suneti, i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, kishte për ta qartësuar, ose me thënie, ose me vepër, kurse unë nuk shoh që ka argument të qartë që aludon se pëlqehet bërja e umres në muajin Rexheb.”[18]

  1. Nga risitë që veprohen në muajin Rexheb është falja e namazit të Regaibit. Ky namaz falet në natën e xhumasë së parë të muajit Rexheb, falet dymbëdhjetë rekate dhe falet në mes të namazit të akshamit dhe të jacisë, i paraprin agjërimi i ditës së enjte, e cila në fakt është e enjtja e parë e muajit Rexheb.

Falja e këtij namazi është risi e keqe dhe e urryer. Dijetarët paralajmëruan nga kjo risi dhe hadithi që përcillet për këtë namaz është i rrejshëm, i shpikur dhe nuk është vërtetuar se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e ka falur këtë namaz, apo ndokush nga sahabët, tabi’inët dhe imamët e umetit.[19]

  1. Nga risitë e tjera që veprohen në muajin Rexheb është falja e namazit i quajtur ‘Umu Davud’, i cili falet në mes të muajit Rexheb.
  2. Përcillet se në muajin Rexheb kanë ndodhur ndodhi të mëdha, si: lindja e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në natën e parë, shpallja i ka zbritur me njëzet e shtatë apo me njëzet e pesë, mirëpo këto të dhëna të gjitha janë të pasakta dhe nuk ka të vërtetë asgjë nga kjo.[20]
  3. Saktësisht nuk është vërtetuar se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në muajin Rexheb apo me njëzet e shtatë të këtij muaji. Ajo që dihet saktë është se dijetarët janë në mospajtim dhe janë të ndarë në shumë mendime rreth asaj se kur saktësisht kanë ndodhur Israja dhe Miraxhi dhe një numër i madh prej tyre e dobësojnë mendimin që kjo ndodhi të ketë ndodhur në muajin Rexheb.[21]

Edhe po që se vërtetohet se Israja dhe Miraxhi kanë ndodhur në muajin Rexheb, nuk lejohet që nata e njëzet e shtatë e muajit Rexheb të veçohet me festë apo të shtohet diçka më tepër nga adhurimi karshi netëve të tjera. Kjo e tëra është nga risitë, sepse nuk është vërtetuar me asnjë argument të saktë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sahabët dhe tabi’inët e kanë veçuar dhe dalluar këtë natë. Po të ishte kjo e vërtetë dhe po të kishte ndonjë të mirë, ata kishin për ta vepruar shumë më herët se ne.

  1. Nga risitë e tjera që veprohen gjatë muajit Rexheb janë:

– Të veçuarit e dhënies lëmoshë në muajin Rexheb për shpirtrat e të vdekurve.

– Të veçuarit e vizitës së varrezave në muajin Rexheb, megjithëse në esencë vizita e varrezave bëhet në çdo kohë gjatë tërë vitit.

– Të veçuarit e muajit Rexheb me lutje të veçanta dhe të shpikura enkas për këtë muaj.

– Vizita e xhamisë profetike në Medine gjatë muajit Rexheb me bindje se ka vlerë të posaçme. Këtë vizitë e quajnë, ‘ez-zijaretu er-rexhebije (vizita e muajit Rexheb, – sh.p.-).

– Të veçuarit e muajit Rexheb me dhënien e zekatit të pasurisë, duke e përjashtuar nxjerrjen e tij në muajt e tjerë, edhe pse realisht zekati detyrohet të jepet atëherë kur plotësohen kushtet, sasia e caktuar dhe kalimi i një viti, pavarësisht muajit.

  1. ‘El-Atira’ apo ‘Er-Rexhebije’ quhet kafsha, të cilën e thernin arabët në periudhën para Islamit në muajin Rexheb dhe këtë e kishin bërë traditë të veten, ngjashëm me therjen e kurbanit për Kurban Bajram.[22]

Dijetarët janë në mospajtim në mes tyre për sa i përket dispozitës shkaku i haditheve të ndryshme që janë transmetuar për të, ajo më e sakta është se, kjo vepër nuk pëlqehet të veprohet dhe urrehet të bëhet dhe kjo është më së paku që mund të thuhet për këtë vepër.

Islami veprimin e tillë e hodhi poshtë dhe e vlerësoi si të kotë, bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Nuk ka ‘ferea’ (kafsha që theret për idhujt) dhe as ‘atira’.

Imam Ez-Zuhrij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “El-Ferea është kafsha e parë që lindte nga ndonjë deve dhe atë e thernin për idhujt e tyre, kurse el-atira është kafsha që theret në muajin Rexheb.”[23]

Mospëlqimi edhe më tepër vërtetohet kur kafsha theret në fillim të muajit Rexheb dhe njerëzve u thuhet se kjo nuk është problem. Shpirtrat anojnë të veprojnë vepra të tilla dhe ndoshta muaji Rexheb fillon t’i ngjajë muajit të therjes së kurbaneve, muajit Dhulhixhe, dhe njerëzit për këtë shkak fillojnë t’i shtojnë therjet, derisa kjo të mbetet dukuri dhe rit nga ritet fetare, gjë që padyshim është e ndaluar.”[24]

  1. Kush do të therë kafshë le ta therë për Allahun dhe në çfarëdo muaj pa e veçuar therjen me muajin Rexheb. Ka ardhur me një hadith se një burrë në Mina thirri dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Ne në kohën para Islamit në muajin Rexheb thernim ‘atira’ (kafshë që e thernin në muajin Rexheb), çka po na urdhëron të veprojmë? – I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, tha: “Thereni kafshën, për hir të Allahut, në çfarëdo muaji që jeni, bindjuni Allahut duke i zbatuar urdhrat dhe duke iu larguar ndalesave dhe ushqeni (të varfrit dhe të mjerët).”[25]
  2. Ai që ther kafshë në muajin Rexheb, apo e ther të voglin e devesë, shkaku se ka nevojë për të, apo për ta dhënë mishin e saj lëmoshë, apo për ta ushqyer veten dhe familjen e tij, therja e tij në Rexheb nuk urrehet, mirëpo nuk duhet ta quajë therjen e kafshës ‘atira’.
  3. Muaji Rexheb është si parahyrje për në muajin Ramazan, prandaj është mirë që myslimani të parapërgatitet në muajin Rexheb për ardhjen e muajit Ramazan, ashtu siç tha Ebu Bekër El-Belhi, Allahu e mëshiroftë: “Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes, muaji Shaban është muaji i ujitjes së farës dhe muaji Ramazan është muaji i korrjes së asaj që është mbjellë”.

Dhe po ashtu tha: “Muaji Rexheb i shëmbëllen erës, muaji Shaban i shëmbëllen resë dhe muaji Ramazan i shëmbëllen shiut.”[26]

Prandaj ai që nuk mbjell në muajin Rexheb dhe nuk ujit në muajin Shaban, si do të korrë në muajin Ramazan?!

  1. Hadithi: “O Allahu im! Na beko ne në Rexheb dhe Shaban dhe na e mundëso ta arrijmë muajin Ramazan”, është i dobët dhe si të tillë e vlerësuan: Imam Neveviu, Ibën Rexhebi, Albani dhe të tjerët.[27]

 

E lusim Allahun që të na japë sukses dhe mbarësi në pasimin e sunetit, në atë që Allahu e do dhe është i kënaqur me të dhe e lusim të na largojë nga risitë dhe shpikjet në fe.

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Marrë nga libri : “Sezonet e adhurimit” (është i përkthyer në gjuhën shqipe)

 

[1]Shih: Mekajisul Luga, Ibën Faris (2/495), Lisanul Arab, Ibën Mendhur (11/411).

[2]Lisanul Arab (12/344).

[3]Shih: Sahih Buhari (4377), Lisanul Arab (11/663).

[4] Buhariu (3197), Muslimi (1679).

[5] Tefsir et-Taberij (14/238), Tefsir Ibën Kethiri (4/148).

[6] Tebjinu Axhebi bima uerede fi shehre Rexheb (fq. 11).

[7] Mexhmual Fetava (25/298), vende-vende.

[8]Ebu Davud (2428), shejh Albani hadithin e vlerësoi si të dobët.

[9]Ibën Ebi Shejbe në El-Musanef (9851), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (958).

[10]Musanef Abdurrezak (7854).

[11]Mexhmual Fetava (25/290).

[12]El-Minar El-Munif fi Es-Sahih ue Ed-Daif (fq. 96).

[13]Zadul Mead (2/61).

[14]Shih: Fetava El-Lexhnetul Daime (23/220).

[15] Buhariu (1775), Muslimi (1255).

[16] Shih: Sherh Nevevij ala Sahih Muslim (8/234).

[17] Shih: Musanef Ibën Ebi Shejbe (13497, 13499, 13500, 13501), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 120).

[18] Fetava Ibën Uthejmin (22/273).

[19]Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu, (3/548), Sherh ala Sahih Muslim, Imam Neveviu (8/20), Mexhmual Fetava (23/134), El-Minar El-Munif, Ibën El-Kajim (Fq. 96).

[20]Shih: Letaif El-Mearif (fq. 121).

[21]Shih: El-Baith ala Inkar El-Bidai uel Hevadith, Ibën Ebi Shame (fq. 74), Fet’hul Barij, Ibën Haxher (7/203), Letaif El- Mearif (fq. 121).

[22]Shih: El-Mugni, Ibën Kudame (9/464).

[23]Buhariu (5474), Muslimi (1976).

[24]Esh-Sherh El-Mumtia (7/325).

[25]Ebu Davudi (4229), Nesaiu (2830), Ibën Maxhe (3167), shejh Albani e saktësoi.

[26]Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 121).

[27]Transmeton Abdullah Ibën Ahmed në Zevaid ala El-Musned (2346), El-Bejhakij në Shuab El-Iman (3534), dhe shih: El-Edhkar, Nevevij (fq. 189), Letaif El-Mearif (fq. 121), Daif El-Xhamië (4395).