000

MUAJI SHABAN – RREGULLA DHE DOBI

  1. Muaji Shaban është muaji i tetë me radhë nga muajt hixhri dhe është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan.

Është quajtur me këtë emër, sepse në këtë muaj arabët shpërndaheshin për të kërkuar ujë.

Sipas të tjerëve e ka marrë këtë emër shkaku i shpërndarjes së fiseve nëpër shpella.

Sipas disa të tjerëve e ka marrë këtë emër, shkaku se është në mes Rexhebit e Ramazanit dhe i ndan ata.

Shumësi i fjalës Shaban në gjuhën arabe është: Sheabiin dhe Shabanat.[1]

  1. Muaji Shaban është muaj i bekuar dhe në të pëlqehet të shpeshtohet agjërimi, por njerëzit e neglizhojnë, ngase është në mes Rexhebit dhe Ramazanit.

Usame ibën Zejd, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, thotë se e pyeta të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Nuk të kam parë të agjërosh ndonjë muaj tjetër sikurse e agjëron muajin Shaban?”  Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u përgjigj: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan. Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.”[2]

  1. Agjërimi vullnetar i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në muajin Shaban ishte më tepër se në çdo muaj tjetër, ngase e agjëronte një pjesë të madhe të muajit.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, thotë: “S’e kam parë kurrë të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të agjërojë një muaj të plotë, përveç Ramazanit dhe s’e kam parë atë të agjërojë në ndonjë muaj më shumë se në muajin Shaban.”[3]

Me një transmetim tjetër: “E agjëronte krejt Shabanin, përveç një pjese të vogël.”[4]

  1. Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, nuk agjëronte radhazi dy muaj, përveç Shabanit dhe Ramazanit, ai e agjëronte shumicën e Shabanit dhe më pas e vazhdonte agjërimin e Ramazanit, ashtu siç thotë Umu Seleme, Allahu qoftë i kënaqur prej saj: “S’e kam parë Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, duke agjëruar radhazi dy muaj, përveç Shabanit dhe Ramazanit.”[5]
  2. Agjërimin e Shabanit njerëzit e anashkalojnë, sepse para tij është muaji i shenjtë Rexheb dhe në përgjithësi agjërimi i muajve të shenjtë pëlqehet dhe nuk duhet të krijohet mendim se Rexhebi është më i vlefshëm dhe ka specifikë që e veçon karshi muajve të tjerë të shenjtë si dhe pas Shabanit vjen muaji i bekuar i Ramazanit dhe njerëzit duke u preokupuar me këta dy muaj e neglizhojnë Shabanin, kurse agjërimi në muajin Shaban është i preferuar apo i pëlqyer.
  3. Hadithi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Muaji Shaban është muaj të cilin njerëzit e anashkalojnë, ngase është në mes të muajit Rexheb dhe Ramazan”, aludon në atë se adhurimi në kohë, që njerëzit e neglizhojnë është i vlefshëm, e kjo është vepër që Allahu e dëshiron dhe Atë e kënaq. Kjo ishte arsyeja që disa nga të parët tanë të mirë ta pëlqejnë faljen e nafileve (namaz vullnetar) në mes të namazit të akshamit dhe të jacisë, e ndër të tjera thoshin: “Kjo është koha e neglizhencës”. Edhe namazi në pjesën e tretë të natës është më i vlefshëm se në kohët e tjera, shkaku se njerëzit në këtë kohë janë të shkujdesur nga të përmendurit e Allahut, ndërsa Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Allahu më afër robit të Vet është në pjesën e tretë të natës. Nëse mund të jesh nga ata që e përmendin Allahun në pjesën e tretë të natës, atëherë mos e neglizho këtë kohë.”[6] Prandaj edhe pëlqehet që të përmendet Allahu nëpër vendet e dëfrimit dhe zhurmës dhe ku ata që e përmendin Allahun janë të paktë, si: tregu dhe vendtubime dëfrimi.[7]
  4. Nga dobitë e adhurimit në kohët që i neglizhojnë njerëzit është se ibadeti i njeriut nuk u bie në sy të tjerëve dhe fshehja e ibadetit, e sidomos atij vullnetar, është më afër sinqeritetit, kurse kur punët e mira bëhen haptazi atëherë rrezikohet sinqeriteti nga syefaqësia.
  5. Agjërimi i muajit Shaban është më i vlefshëm, sesa agjërimi i muajve të shenjtë, sepse muaji Shaban me Ramazanin është si pozita e namazeve vullnetare të rregullta (revatib) me farzet. Pra, vlera e Shabanit është më e madhe, sepse është para Ramazanit ku agjërimi në të është farz (detyrim). Ashtu sikurse namazet vullnetare të rregullta (revatib) që janë më të vlefshme se namazet vullnetare të përgjithshme, ashtu edhe agjërimi para dhe pas Ramazanit është më i vlefshëm, sesa agjërimi që vjen më larg Ramazanit.[8]
  6. Hadithin e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Agjërimi më i vlefshëm pas agjërimit të Ramazanit është ai në muajin e shenjtë Muharrem dhe namazi (vullnetar) më i vlefshëm pas namazit farz është namazi i natës”[9]; dijetarët thonë se hadithi për qëllim e ka agjërimin vullnetar të përgjithshëm. Andaj nga agjërimet vullnetare të përgjithshme më i vlefshëm është agjërimi në Muharrem dhe më pas në muajt e tjerë të shenjtë, kurse nga namazet vullnetare të përgjithshme më i vlefshëm është namazi i natës.

Agjërimi i Shabanit që është para Ramazanit dhe i gjashtë ditëve të Shevalit që janë pas Ramazanit, në mënyrë absolute janë më të vlefshme sesa agjërimi vullnetar (sepse gjenden para dhe pas farzit), sikurse namazi i natës i cili në përgjithësi është më i vlefshëm, por sunetet kur falen para apo pas farzeve në këtë moment kanë më shumë shpërblim dhe vlerë sesa namazi nafile i përgjithshëm. Kjo për shkak se koha dhe momenti ia japin këtë vlerë të çastit.[10]

  1. Shabani është muaj, ku në të ngriten veprat vjetore për tek Allahu, ashtu siç erdhi në hadith: “Ky është muaj që ngriten veprat te Zoti i botëve dhe unë dëshiroj që të më ngriten veprat duke qenë me agjërim.” Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dëshiroi që veprat e tij të ngriten duke qenë me agjërim, me qëllim që veprat të pranohen dhe gradat të rriten. Prandaj myslimanit nuk i mbetet tjetër, përveçse të ecën gjurmëve të Pejgamberit të tij, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe ta shpeshtojë agjërimin në muajin Shaban.
  2. Janë tri lloje të ngritjes dhe prezantimit të veprave tek Allahu, ashtu siç aludojnë argumentet sheriatike:[11]

Lloji i parë: Ngritja ditore; për çdo ditë veprat ngriten dy herë, një herë brenda natës dhe një herë brenda ditës, ashtu siç erdhi në hadith: “Tek Allahu ngritet vepra e natës para veprës së ditës dhe vepra e ditës para veprës së natës.”[12]

Vepra e ditës ngritet në fund të ditës, kurse vepra e natës në fund të natës. Melaqet i ngrisin veprat e natës në fund të natës para se të fillojë dita dhe veprat e ditës i ngrisin në fund të ditës para se të fillojë nata, ashtu siç erdhi në hadith: “Melaqet ndërrohen te ju natën e ditën dhe ato bashkohen në namazin e sabahut dhe në namazin e ikindisë…”[13]

“Kush gjendet gjatë kësaj në adhurim do të begatohet në riskun dhe në veprën e tij.”[14]

Prandaj qante Ed-Dahaku, Allahu e mëshiroftë, në fund të ditës dhe thoshte. “Nuk e di se çfarë më është ngritur nga veprat për tek Allahu.”[15]

Lloji i dytë: Prezantimi javor; dy herë brenda javës prezantohen veprat, ditën e hënë dhe ditën e enjte, ashtu siç erdhi në hadith: “Veprat e njerëzve prezantohen dy herë brenda javës, ditën e hënë dhe ditën e enjte, dhe Allahu ia fal çdo robi besimtar, përveç atij që ka armiqësi me vëllain e tij mysliman. Melaqeve u thuhet: ‘Lërini ata dy derisa të kthehen dhe të pajtohen’.”[16]

Ibrahim En-Nahaij, Allahu e mëshiroftë, ditën e enjte qante pranë gruas së tij dhe ajo qante pranë tij, e i thoshte: “Sot prezantohen veprat tona para Allahut.”[17]

Lloji i tretë: Ngritja vjetore; veprat e një viti ngriten përnjëherë në muajin Shaban, ashtu siç aludon hadithi i Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të: “Muaji Shaban është muaj ku në të ngriten veprat te Zoti i botëve.

Është edhe një ngritje tjetër e veprave, ajo e pasvdekjes. Kur të përfundojë exheli, veprat e jetës në tërësi ngriten dhe prezantohen para Allahut dhe me këtë mbyllen edhe fletushkat e veprave. Ky është prezantimi i fundit.

  1. Në çdo ngritje dhe prezantim të veprave ka urtësi që vetëm Allahu i Madhëruar e di. Shpallja vjen nga Allahu dhe atë na e përcolli i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe neve na mbetet nënshtrimi dhe dorëzimi.
  2. Për myslimanin është e pëlqyer që në kohët e ngritjes dhe prezantimit të veprave para Allahut të shtojë nga nënshtrimet dhe adhurimet, si: ta agjërojë ditën e hënë dhe të enjte ashtu siç ishte udhëzimi i të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, ta shpeshtojë agjërimin e Shabanit dhe të shtojë nga punët e mira natën dhe ditën e ngritjes së veprave, të afrohet tek Allahu me ato vepra që për Allahun janë të dashura dhe Atë e kënaqin.
  3. Myslimani nuk duhet të harrojë se gjatë këtij muaji veprat e tij, të mirat dhe të këqijat, ngriten tek Allahu, prandaj kujdes se çfarë vepra po zgjedh që të ngriten tek Allahu, sepse ato mund të jenë shkak për shpërblim ose ndëshkim, disa nga to mund të pranohen e disa të tjera mund edhe të refuzohen, Allahu na ruajttë.
  4. Muaji Shaban është si parahyrje për Ramazanin dhe si stërvitje për agjërimin e tij, prandaj edhe në Shaban sikurse në Ramazan e ligjshme është agjërimi dhe leximi i Kuranit, me qëllim që gatishmëria të shtohet për pritjen e Ramazanit dhe shpirtrat të kaliten në ibadet.

Kjo duhet të jetë arsye për myslimanin që të nxitojë për në ibadet në muajin Shaban dhe të parapërgatitet për Ramazan, që kur të hyjë Ramazani të mos gjejë vështirësi në agjërim, sepse ai paraprakisht vetëm se është stërvitur për agjërim dhe e kanë ndier ëmbëlsinë dhe kënaqësinë e agjërimit në Shaban, ndërsa pritet që kur të hyjë në Ramazan të jetë i fortë dhe me përplot aktivitet.[18]

  1. Ankohen disa se e kanë vështirë të agjërojnë, ta falin namazin e teravive dhe të lexojnë Kuran në Ramazan, këtë vështirësi e gjejnë shkaku se ata nuk bëjnë agjërim dhe namaz nate, përveçse në Ramazan. Përse ata nuk e stërvitin dhe kalitin veten në muajin Shaban?

Shpirti, kur mësohet me rehati dhe me gjumë i vjen rëndë dhe lodhet të qëndrojë në namazin e teravive pa stërvitje dhe parapërgatitje!

Ebu Bekër El-Belhij, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Muaji Rexheb është muaji i mbjelljes, muaji Shaban është muaji i ujitjes së farës dhe muaji Ramazan është muaji i korrjes.”

Dhe thoshte: “Shembulli i muajit Rexheb është sikurse era, shembulli i Shabanit është sikurse reja dhe shembulli i Ramazanit është sikurse shiu.”[19]

Ai që nuk mbjell në Rexheb dhe nuk ujit në Shaban, si mendon që të korrë në Ramazan?! Si shpreson ta shijojë ëmbëlsinë e ibadetit në Ramazan kur ai për veten s’ka bërë asgjë para Ramazanit?!

Prandaj të nxitojmë para se të na ikin koha dhe mundësia. Jahja ibën Muadh, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Nuk e qaj veten nëse vdes, por e qaj kur më ikën ajo për të cilën kam nevojë.”[20]

  1. Të parët tanë të mirë i kushtoheshin leximit të Kuranit në Shaban dhe thoshin: “Muaji Shaban është muaji i lexuesve (të Kuranit).”[21]
  2. Shabani është mundësi për t’i ndihmuar të varfrit, të ngratët për t’u dhënë sadaka, që kjo ndihmë dhe përkrahje t’i forcojë për agjërimin e Ramazanit dhe faljen e teravive.
  3. Ndër gabimet e përhapura është që disa njerëz zeqatin e tyre duhet ta japin në Rexheb apo Shaban, kurse ata e vonojnë deri në Ramazan, duke menduar se kjo është më e vlefshme dhe shpërblehen më shumë!

Nuk lejohet që të vonohet nxjerrja e zeqatit, pasi janë plotësuar dy kriteret për nxjerrjen e tij, plotësimi i një viti të plotë pasi paraprakisht është arritur sasia e duhur për zeqat, sepse kjo është padrejtësi ndaj fukarenjve dhe është vonim i hakut të tyre, si dhe është mëkat që bëhet ndaj Allahut për shkak të tejkalimit të kufijve të Tij.

Kurse përshpejtimi i tij dhe nxjerrja e tij para kohe lejohet nëse kanë nevojë të varfrit dhe të ngratët.

  1. Kujt i kanë mbetur ditë të paagjëruara nga Ramazani i kaluar, detyrohet t’i agjërojë në Shaban para se të vijë Ramazani përderisa ka mundësi, nuk i lejohet atij pa arsye ta vonojë kompensimin e ditëve të mbetura deri pas Ramazanit.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, tha: “Kisha ditë të paagjëruara nga Ramazani dhe nuk kisha mundësi t’i kompensoja, përveçse në Shaban”; Dhe transmetuesi thotë: Shkaku i vonimit të kompensimit ishte angazhimi i saj nga ose me Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.[22]

Ibën Haxheri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nga përkujdesja e saj që në Shaban t’i kompensojë ditët e paagjëruara të Ramazanit të kaluar përfitojmë se nuk lejohet të vonohet kompensimi deri atëherë, saqë të fillojë Ramazani tjetër.”[23]

  1. Kujt i kanë mbetur ditë të paagjëruara, me arsye që e kanë penguar të agjërojë, derisa ka hyrë Ramazani tjetër, këto ditë i kompenson pasi të kalojë Ramazani dhe përveç kompensimit nuk detyrohet me diç tjetër.

Kjo është sikurse rasti i një të sëmuri që sëmundja e tij ka qenë e vazhdueshme deri në Ramazanin tjetër dhe nuk ka mundur t’i kompensojë ditët e paagjëruara, ky nuk ka mëkat për vonimin e kompensimit, sepse ka arsye dhe atij, përveçse kompensimit nuk i detyrohet diç tjetër.

Nëse kompensimin e ka vonuar pa ndonjë arsye sheriatike derisa ka hyrë Ramazani tjetër, ky ka bërë mëkat, sepse pa ndonjë arsye nuk i ka kompensuar ditët e paagjëruara dhe ka pritur të vijë Ramazani tjetër. Dijetarët janë të një mendimi se ato ditë duhet t’i kompensojë, mirëpo kanë mendime të ndryshme se përveç kompensimit a duhet ta shpaguajë vonimin e kompensimit?

Një grup thanë që duhet të kompensojë dhe të shpaguajë për vonimin e kompensimit dhe shpagimi bëhet duke e ushqyer një të ngratë për çdo ditë. Kjo është thënie e imam Malikut, Shafiut dhe Ahmedit, Allahu i mëshiroftë, si dhe përcillen në lidhje me këtë gjurmë nga disa sahabë, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.

Disa të tjerë thanë që duhet të kompensojë dhe jo të shpaguajë. Kjo është thënie e Ebu Hanifes dhe si më të saktë e zgjodhi edhe Ibën Uthejmini, Allahu i mëshiroftë, nga dijetarët bashkëkohorë.[24]

  1. Nuk lejohet të festohet nata e mesme e Shabanit (nata e Beratit), të veçohet me namaz nate, të veçohet dita e saj me agjërim, të veçohet me vizitën e varrezave ose me dhënien e sadakasë për shpirtrat e të vdekurve ose me ndonjë lloj adhurimi tjetër, sepse kjo e tëra është nga risitë.

Nuk ka hadith të saktë që mund të mbështetemi në të dhe që aludon në vlerën e natës së mesme të Shabanit, por të gjitha hadithet janë të dobëta apo të shpikura, edhe pse ka dijetarë që i kanë vlerësuar disa hadithe si të sakta, por e vërteta është se ato janë të dobëta apo të shpikura.

Hadithet që përcillen për faljen e namazit në natën e mesme të Shabanit janë ose të dobëta ose të shpikura dhe gënjeshtër mbi Pejgamberin, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, sepse asnjë hadith nga ta nuk është vërtetuar se është nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, apo nga sahabët, Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[25]

  1. Nuk ka pengesë për atë që e ka traditë namazin e natës, të ngritet në natën e mesme të Shabanit dhe të falë namaz nate sikurse është falur në netët e mëhershme, pa bindje dhe mendim se kjo natë është e veçantë ose që duhet të shtohen veprat e mira dhe përpjekja në të.
  2. Veçimi i ditës së mesme të Shabanit me agjërim nuk është i ligjshëm, përveç për atë që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si ditën e hënë dhe të enjte, dhe nuk beson që agjërimi i kësaj dite është i vlefshëm, e ndërkohë përputhet dita e agjërimit vullnetar të tij me ditën e mesme të Shabanit.

Hadithi që përcillet dhe inkurajon në agjërimin e ditës e mesme të Shabanit është i dobët dhe nuk është i saktë.

  1. Dita e mesme e Shabanit bën pjesë në ditët e bardha të muajit, që pëlqehen të agjërohen për çdo muaj (dita e 13-të, e 14-të dhe e 15-të e muajve hënorë), prandaj kush ia bashkëngjit ditës së trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë edhe ditën e mesme të Shabanit, pa besim dhe mendim se kjo ditë, si ditë e mesme e Shabanit, ka veçori dhe specifika, (dhe këto ditë i agjëron si ditë të bardha të muajit) vetëm se ia ka qëlluar sunetit.

Kurse ai që e veçon ditën e mesme të Shabanit me agjërim, për të nuk mund të thuhet se e ka agjëruar një ditë nga ditët e bardha, sepse ai këtë ditë nuk e ka veçuar me agjërim vetëm se për shkak besimit të tij se kjo ditë e Shabanit është më e vlefshme karshi ditëve të tjera dhe kjo gjë është e ndaluar.[26]

  1. Hadithin “Kur të plotësohet gjysma e Shabanit, mos agjëroni pas asaj ditë”[27], shumica e dijetarëve e dobësojnë. Dijetarët e mëdhenj si Abdurrahman ibën Mehdij, imam Ahmedi, Ebu Zura’ Er-Razij, dhe të tjerë, për këtë hadith thonë se është hadith munker (i urryer dhe i pabazë në fe).[28]

Duke u bazuar në këtë themi që agjërimi pasi të plotësohet gjysma e Shabanit nuk urrehet, mirëpo ndalohet vetëm një ose dy ditë para Ramazanit.

  1. Ata që thonë, ky është mendim i medh’hebit shafiit, për hadithin se është i vërtetë dhe se ndalohet agjërimi pas gjysmës së Shabanit, nga kjo ndalesë e veçojnë atë që e ka traditë të agjërojë vullnetarisht, si atë që e agjëron ditën e hënë dhe të enjte, dhe këtij i lejohet të agjërojë edhe pas gjysmës së Shabanit.

Si dhe ndalesa nuk e përfshin edhe atë që e filloi agjërimin para mesit të Shabanit dhe e vazhdoi edhe pas gjysmës së Shabanit, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, e agjëronte krejt Shabanin, përveç një pjese të vogël.[29]

Nga ndalesa veçohen edhe ata që pas gjysmës së Shabanit i kompensojnë ditët e mbetura të Ramazanit të kaluar.[30]

  1. Agjërimi vullnetar një ose dy ditë para Ramazanit ndalohet, përveç për atë që e ka traditë agjërimin vullnetar (të hënën dhe të enjten, ose ditët e bardha etj.) ose duhet ta kompensojë agjërimin e betimit ose i kanë mbetur ditë të paagjëruara të Ramazanit të kaluar dhe duhet t’i kompensojë, ose e vazhdon agjërimin që e ka filluar më herët. Kjo duke u bazuar në hadithin: “Mos i paraprini Ramazanit me agjërim një ose dy ditë para, përveç atij që ka qenë duke agjëruar (agjërimi vullnetar si të hënën dhe enjten etj.), ai le të agjërojë.”[31]
  2. Agjërimi i ditëve të fundit të Shabanit i ka tri situata:

E para: Të agjërojë me nijet të Ramazanit, si masë kujdesi dhe sigurie për Ramazan. Kjo është e ndaluar.

E dyta: Të agjërojë me nijet të zotimit, kompensimit ose shpagimit, e të ngjashme me to. Këtë e lejuan shumica e dijetarëve.

E treta: Të agjërojë me nijet të agjërimit vullnetar të përgjithshëm. Kjo urrehet dhe nuk parapëlqehet, përveç për atë që e ka traditë agjërimin vullnetar (si ditën e hënë dhe të enjte, tri ditët e bardha etj.) dhe dita e agjërimit të tij përputhet me fundin e Shabanit, ose ka agjëruar edhe më herët se dy ditët e fundit dhe kështu nuk e ndërpren agjërimin, por e vazhdon me Ramazanin.[32]

  1. Urtësia e ndalesës që të agjërohet një ose dy ditë para Ramazani[33] është bërë si masë kujdesi që të mos i shtohen Ramazanit ditë që nuk janë pjesë e tij, sikurse ka ndodhur më herët tek ithtarët e librit (te të krishterët dhe çifutët), të cilët i shtuan ditët e agjërimit të tyre duke u dhënë përparësi mendjes dhe dëshirave të tyre.

Si dhe për ta ndarë agjërimin e detyruar dhe atij vullnetar, kjo ndarje e tillë është e ligjshme. Prandaj ndaloi Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, të bashkohet namazi i detyruar me atë vullnetar, pa i ndarë ato me fjalë ose largim nga vendi ku e ka falur farzin.[34]

  1. Nëse njerëzve u pamundësohet pamja e hënës në ditën e tridhjetë të Shabanit, kjo ditë quhet dita e dyshimit.

Është quajtur me këtë emër, sepse dyshohet në të, në është dita e fundit e Shabanit apo dita e parë e Ramazanit?

Kjo ditë ndalohet të agjërohet, përveç për atë që e ka traditë agjërimin vullnetar, si të hënën dhe të enjten, dhe dita e agjërimit të tij përputhet me ditën e tridhjetë të Shabanit, bazuar në hadithin e Amarit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Kush agjëron në ditën e dyshimit (ditën e tridhjetë të Shabanit) vetëm se i ka bërë mëkat Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[35]

  1. Në muajin Shaban kanë ndodhur disa raste dhe ndodhi të mëdha, ndër to:

– U detyrua agjërimi i Ramazanit në vitin e dytë hixhri.

– U ndryshua drejtimi i Kiblës prej Bejtul Makdesit (xhamisë së Aksasë) në drejtim të Mesxhidul Haram (Qabesë) në vitin e dytë. (Disa të tjerë thonë që kjo ka ndodhur në muajin Rexheb. Disa të tretë thonë që ka ndodhur në muajin Xhumada El-Ahira).

– U martua Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, me Hafsën, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, në vitin e tretë hixhri.

– Ndodhi beteja e Beni El-Mustalikut në vitin e pestë hixhri.

– Ndodhi beteja e Tebukut në vitin e nëntë hixhri. Kjo betejë ndodhi në Rexheb dhe Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, u kthye në Medine në Ramazan. Disa të tjerë thonë që kjo ndodhi në Shaban.

Si dhe ndodhi të tjera…

 

E lusim Allahun e Madhërishëm të na japë sukses, që ta veprojmë atë që Ai e dëshiron dhe Atë e kënaq, dhe e lusim Allahun të na e mundësojë ta arrijmë Ramazanin me shëndet të mirë dhe me iman.

Falënderimi  i takon Allahut, Zotit të botëve.

Dr. Muhamed Salih El-Munexhid

Pjesë e librit “Sezonet e adhurimet” ( i përkthyer në shqip )

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Shih: Tefsir Ibën Kethir (4/147), Lisanul Arab (1/502).

[2]Nesaiu (2357), shejh Albani e vlerësoji si të mirë në Es-Sahiha (1898).

[3]Buhariu (1969), Muslimi (1156).

[4]Buhariu (1970), Muslimi (1156).

[5]Tirmidhiu (1970), Nesaiu (2352), shejh Albani e saktësoi.

[6]Tirmidhiu (3579), Nesaiu (572), shejh Albani e saktësoi.

[7]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 131).

[8]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 34, 129).

[9]Muslimi (1163).

[10]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 34, 129).

[11]Shih: Tehdhib Sunen Ebi Davud, Ibën El-Kajim (3/199), Tarikul Hixhretejni (fq, 75), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 126).

[12]Muslimi (179).

[13]Buhariu (555), Muslimi (632).

[14]Fet’hul Bari, Ibën Haxher (2/37).

[15]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 127).

[16]Muslimi (36).

[17]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 127).

[18]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 134).

[19]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 121).

[20]Hiljetul Eulija (10/51), Es-Sijer (13/15).

[21]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 135).

[22]Buhariu (1950), Muslimi (1950).

[23]Fet’hul Bari (4/191).

[24]Shih: El-Mugni, Ibën Kudame, (4/400), El-Mexhmua, Imam Neveviu (6/366), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 134), Esh-Sherh El-Mumtia, Ibën Uthejmin (6/445).

[25]Shih: El-Minar El-Munif, Ibën El-Kajim (fq. 95), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 137), El-Fevaid El-Mexhmua, Imam Esh-Sheukani (106), Fetava Ibën Baz (1/186), Fetava El-Lexhnetu Ed-Daime (3/61).

[26]Shih: Iktida Es-Siratal Mustekim, Ibën Tejmije (2/138), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 136), Fetava Ibën Baz (1/186, 191), si dhe kështu dha fetva edhe shejh Ibën Xhibrin.

[27]Ebu Davud (2337), Tirmidhiu (738), Ibën Maxhe (1651).

[28]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 135).

[29]Buhariu (1970), Muslimi (1156).

[30]Shih: El-Mexhmua, Imam Neveviu (6/399), Rijadu Es-Salihin (fq. 354), Tehdhib sunen Ebi Davud, Ibën El-Kajim (2/20), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 131).

[31]Buhariu (1914), Muslimi (1082).

[32]Shih: Sherh Nevevij ala Muslim (7/194), Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 144).

[33]Shih: Letaif El-Mearif, Ibën Rexheb (fq. 144).

[34]Muslimi (883).

[35]Buhariu mualakan në formë të vërtetimit (3/27), dhe e vazhdoi: Ebu Davudi (2334), Tirmidhiu (676), Nesaiu (2188), Ibën Maxhe (1645), shejh Albani e saktësoi.