muderris rexhep ismaili

Muderris Rexhep Ismaili (1871-1956)

NË VEND TË PËRKUJTIMIT, muderris REXHEP ISMAILI, (1871-1956).

 

Bresana ishte dhe është një vatër që nxori njerëz të mirë, të mençur e të ditur, të cilët i falën emër të mirë vet Bresanës, Opojës, po edhe shumë vendeve të Kosovës. Rexhep Xhudij Ismail Haki Shaqiri u lind më 1871 në Bellanicë të Malishevës nga babai Ismaili (vdiq më 1925) dhe nëna Xhevahirja. Babai i tij ishte me profesion hoxhë dhe atëherë ishte duke shërbyer në Bellanicë, ku nga ai i mori mësimet e para fetare islame. Tetë vite të fëmijërisë, haxhi Rexhepi i kaloi me prindërit e tij në Bellanicë, njëherit ky ishte fëmija i vetëm. Më pastaj (për shkak të shërbimit të babës së tij si imam) transferohen dhe shtatë vite të tjera i kaloi në Jabllanicë të Prizrenit. Rexhep Ismaili kur i mbushi 15 vite (më 1886), vijoi shkollimin në Prizren. Në fillim 5 vite shkollim i bëri në medresenë “Mahmud Pasha” në Prizren. Pastaj falë zgjuarsisë dhe talentit të rrallë që tregoi ai, u transferua për t’i vazhduar mësimet 12 vite pandërprerë në medresenë “Mehmed Pasha” në Prizren, e cila ishte medreseja më e njohur e asaj kohe. Viteve të fundit të shkollimit të tij ishte edhe asistent i mësuesve të tij. Atë kohë (viti 1897), disa forca ushtarake të Greqisë ishin të vendosura në Kalanë e Prizrenit. Rexhep Ismaili bjer në kontakt me disa zyrtarë ushtarak të Karaferës së Greqisë, të cilët ishin muslimanë dhe e ftojnë që të shkojë për ramazan. Haxhi Rexhepi pranoi që të shkojë, dhe dy vite radhazi për ramazan i kaloi në Karafere. Herën e dytë, më: 1898, duke përfunduar ramazani, disa xhematlinjë të pasur të atij qyteti u përgatitën për të shkuar në haxh, këtij karavani iu bashkangjit edhe muderris Rexhep Ismaili, Greqi-Saudi. Tregohet se ky udhëtim i tij kishte zgjatur më shumë se dy muaj-me anije nëpër det e me deve nëpër shkretëtirë, ndaj edhe në popull njihet me emrin “Haxhi Rexhepi” .

Haxhi Rexhepi mësoi plotë 17 vite nga mësimdhënës dhe muderrizë të njohur të asaj kohe, por më të njohur ishin: Mulla Vehbiu dhe Murteza efendiu në medresenë “Mahmud Pasha” dhe Abdyl Aziz efendiu në medresenë “Mehmed Pasha”, ku edhe nga ata do të merr ixhazetnamen -Titull të lart dhe licencë për të qenë mësimdhënës i shkencave islame. Gjatë viteve të shkollimit të tij, muderriz Rexhep Ismaili e kishte kaluar duke u ushqyer me kaçamak, sepse nuk kishte mundësi të mira materiale, tregon djali i tij Bejtullah Rexhepi, i cili ende është gjallë (2 vite pas botimit të monografisë ndërroi jetë – K.M.).

Pas përfundimit të shkollimit të tij, urtësisë dhe diturisë së madhe, muderris Rexhep Ismailit iu ofrua detyra e mësimdhënësit në medrese të Prizrenit, i cili veç ishte duke punuar. Posa e filloi këtë punë, banorët e Bresanës me entuziazëm të madh vendosën që ai të mos mbetet në Prizren, por të vij në vendin e tij, pasi që kishin edhe nevojë të madhe për një mësues të shkolluar. Natyrisht, muderriz Rexhep Ismaili e kuptoi këtë hall të popullit dhe vendit të tij dhe erdhi në Bresanë. Paraprakisht, popullata e Bresanës e ndërtoi objektin, aty ku do të mbaj mësimin muderrizi ynë. Bresana, Kuklibegu-tërë treva e Opojës, tashmë do të kenë një kuadër të parë të arsimit nga vendi i tyre dhe në vendin e tyre. Muderriz Rexhep Ismaili punën në Bresanë e filloi në vitin 1903, dhe kështu, arriti të jetë themeluesi i parë i shkollës institucionale të arsimit shqip në trevën e Opojës, me emrin zyrtar: “Medreseja e Bresanës”, e cila ishte e rangut të shkollës së mesme. Në vitin 1904 klasifikohen nxënësit në dy klasë, e nga viti 1908 zyrtarizohet si shkollë katërklasëshe, ku ajo luajti rolin e edukimit dhe arsimimit të lartë fetar e kombëtar. Nën udhëheqjen e tij kjo Medrese funksionoi më shumë se katërdhjetë vite, pra deri në vitin 1949.

Periudhë kohore kjo, e shumë sfidave e barrierave, e shumë ndryshimeve të mëdha dhe luftërave. P.sh. viti historik 1878, ishte viti i mbajtjes së “Lidhjes shqiptare në Prizren”, “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë” më 1912, shpërbërja e Perandorisë Osmane, luftërat ballkanike 1912-1913, okupimi i një pjese të tokave shqiptare nga sllavët (Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi). Pak vite pas themelimit të “Medresesë së Bresanës”, banorët e Bresanës dhe Kuklibegut e përjetuan edhe: “Tragjedinë e rëndë të vitit 1912”. Koha kur jetoi haxhi Rexhepi, poashtu ishin në pyetje edhe dy luftërat botërore, pastaj formimi i Mbretërisë SKS, i Jugosllavisë së vjetër, formimi i Jugosllavisë së re, etj.. Kështu që popullata shqiptare në secilën periudhë të sundimit do të ketë pasoja dhe ngecje në zhvillim jetësor, politik dhe asrsimor.

Me instalimin e pushtetit sllavo-komunist në Jugosllavinë e atëhershme, edhe “Medreseja e Bresanës” ishte halë në sy, sikurse shumë medrese të Kosovës, ky pushtet i dhunshëm urdhëroi që të mbyllet definitivisht edhe kjo Medrese në vitin 1949. Përveç kësaj, në listën e planit sekret për likuidimin e shqiptarëve, si dhe prijësve fetar, pra hoxhallarëve që planifikohej të likuidoheshin në valën e dytë të dhunës nga ky regjim i egër të përpiluar në vitin 1950, do të gjendet edhe emri i muderrizit të nderuar haxhi Rexhepit, por ka dashur Allahu që megjithatë hoxha i dashur të mbetej gjallë edhe gjashtë vite, sepse në vitin 1956, në moshën 85 vjeçare me caktimin e Allahut do të ndërrojë jetë në mënyrë të natyrshme në shtratin e tij. Haxhi Rexhepi kohë pas kohe mbante lidhje edhe me kolegët e tij, me të cilët konsultohej për çështje të ndryshme që i përkisnin punës së tij zyrtare dhe profesionale.

Muderriz Rexhepi në fushën e arsimimit të të rinjve në frymën islame, arriti në piedestalin e një përsonaliteti më me zë e më të respektuar në trevën e Opojës dhe në tërë Kosovën. Pastërtia e Fesë Islame dhe e traditave pozitive popullore në tërë trevën e Opojës janë rezultat i punës dhe aktiviteteve të pakursyeshme të haxhi Rexhepit.
Ka të dhëna që dëshmojnë se haxhi Rexhepi ka lënë disa trajtesa të shkruara në gjuhën arabe, të cilat bëjnë të ditur se ai njihte mirë arabishten, osmanishten dhe përsishten.

Pas vetit la një numër të madh nxënësish që ndoqën rrugën e mësuesit të tyre. Prej nxënëseve qe mësuan nga ai, kemi arritur që të sigurojmë një listë emrash dhe vendesh prej nga ishin.