Misioni i Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] që në ditët e para ka hasur në kundërshtime. Ndonëse ua argumentoi që me rastin e parë të predikimit se ai ishte i vërtetë, ngase nuk i kishte gënjyer kurrë për dyzet vite të jetës së tij dhe se edhe tani kur po i thërriste në adhurimin Allahut nuk po e thoshte vetëm se të vërtetën, prapë e mohuan. Arsyetimet ishin nga më të ndryshmet (por kurrë të justifikueshme) ndërsa manifestimi i kundërshtimit ndaj tij bëhej në forma të ndryshme. Një prej këtyre formave ishte edhe përqeshja dhe ofendimi i tij. E akuzuan për të çmendur, për magjistar, për gënjeshtar, manipulues, etj. Madje, Ebu Xhehli, siç transmeton Buhariu, dilte në rrugë dhe thoshte: “O Zot, nëse kjo që thotë Muhammedi është e vërtetë, atëherë na lësho gurë nga qielli!” Këtë na e ka treguar i Madhërishmi në Kur’an (El-Enfalë, 32-33: El-Hixhr, 6; Sad, 4; El-Furkan, 4;5; En-Nahl, 103 ), sikur që na ka treguar edhe për forma se si Ai e ka marrë në mbrojtje të Dërguarin e Tij (El-Maide, 67; Ez-Zumer, 36; El-Hixhr, 95).
Mrekullia e mbrojtjes së personalitetit të Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]
E një nga format dhe mënyrat se si Allahu i Madhëruar e mbron Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është edhe vet personaliteti i tij, madhështia e të cilit është përmbledhur në emrin MUHAMMED.
Në Kur’an, emri Muhammed është përmendur disa herë, madje ka dhe një kaptinë të tërë me këtë emër.
- “Muhammedi nuk është tjetër vetëm se i dërguar…“ (Ali Imran, 144);
- “Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj por ai ishte i dërguari i All-llahut dhe vulë e të gjithë Pejgamberëve…“ (El-Ahzab, 40);
- “Muhammedi është i dërguar i All-llahut…“ (El-Fet’h, 29);
- “Ndërsa atyre që besuan, bënë vepra të mira dhe atë që iu shpall Muhammedit e besuan, e ajo është e vërtetë prej Zotit të tyre, Ai atyre ua shlyen mëkatet dhe ua përmirëson gjendjen.“ (Muhammed, 2)
Ka dhe një rast tjetër, kur emri i tij është përmendur si Ahmed. ““Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”.“ (Es-Saff, 6)
Madhështia e emrit Muhammed
1) Përgëzimi për të në librat e profetëve të mëhershëm
Isai [alejhiselam] kishte përgëzuar për ardhjen e tij me këtë emër. “Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”.“ (Es-Saff, 6)
Siç dihet, jo vetëm që emri Ahmed dhe Muhammed kanë kuptimin e njëjtë, porse edhe si emër, Ahmed, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e kishte. Në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit qëndron: “Vërtetë, unë kam (disa) emra: Unë jam Muhammedi, Ahmedi, El-Mahi (Fshirësi, Larguesi, Zhdukësi), që me mua Allahu fshin-zhduk-largon pabesimin, El-Hashir (Tubuesi), që tek këmbët e mia (pas gjurmëve të mia, ose pas shpalljes dhe pejgamberllëkut tim, ose që më pasojnë njerëzit, ose i pari që ringjallem dhe njerëzit më pasojnë) tubohen njerëzit, El-Akib (Pasuesi, i Fundit), pas të cilit nuk ka tjetër (profet).”
2) Askush para lindjes së tij nuk barti këtë emër
Askush para lindjes së Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] nuk barti këtë emër. Arabët, siç dihet, i skutonin rëndësi shumë gjenealogjisë dhe prejardhjes, por nuk është vërtetuar askund se dikush para lindjes së Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka bartur këtë emër.
Thuhet se kur lindi Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] dhe u emërtua me këtë emër, gjyshin e tij, AbdfulMuttalibin, e pyetën se përse e kishte emërtuar me këtë emër që askush nga të parët e tij nuk e kishte patur, për të dëshmuar kështu se para lindjes së tij askush nuk e kishte këtë emër.
Ndërsa më pas, duke qenë se shenjat e ardhjes së tij ishin gjithnjë e më të qarta, ithtarët e librit predikonin ardhjen e tij dhe përshkruanin emrin, që siç thamë, ka qenë edhe në Ungjill. Kjo bëri që disa arabë të emërtonin fëmijët e tyre me të. Nuvejri në Nihajetu-l-ereb (16/75) thotë: “Ndërsa sa i përket (emrit) Muhammed, Allahu ka mbrojtur (refuzuar) që dikush nga arabët ose të tjerët të emërtohet me të, deri atëherë kur para ekzistimit dhe lindjes së tij [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] u përhap se do të dërgohej një profet emri i të cilit ishte Muhammed, kështu që disa arabë në kohën e lindjes së tij [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], i emërtuan fëmijët e tyre me këtë emër.”
Ibni Haxheri ka numëruar 20 veta që kanë bartur këtë emër, disa prej të cilave kanë qenë të dyshimtë, për të përfunduar me 15, shumica prej të cilëve kanë vdekur para Islamit. Më saktësisht, vetëm dy prej tyre e kanë pritur Islamin.
Pse është e rëndësishme kjo?
Ibni Kutejbe duke folur për këtë thotë: “Prej shenjave të pejgamberllëkut të tij [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] është se askush para tij nuk është emërtuar me këtë emër, si mbrojtje konkrete e Allahut ndaj këtij emri dhe ashtu siç edhe ka bërë me Jahjanë [alejhiselam], që me emrin e tij askush nuk është emërtuar më parë. Allahu ka thënë: ”O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.“ (Merjem, 7).”
E se është veçuar me këtë emër, flet edhe vet ai [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Në Musnedin e Imam Ahmedi transmetohet nga Aliu [radijAllahu anhu] se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Më është dhënë ajo çfarë nuk i është dhënë asnjë profeti! E çfarë është ajo, o i Dërguari i Allahut? -e pyetëm. Tha: Jam ndihmuar me frikën (që i shkaktohet armiqve), më janë dhënë çelësat e tokës, jam quajtur Ahmed, toka më është bërë pastrim ndërsa ummeti im janë bërë ummeti më i mirë.” [Ahmed Shakiri në 2/113, e vlerëson autentik. ]
3) Domethënia e emrit e mbron atë
Muhammed, në arabisht, e ka kuptimin e atij që lëvdohet dhe thuhen fjalë miradije për të herë pas here dhe i cili lëvdohet për të gjitha gjendjet, tiparet dhe cilësitë e tij. Domethënia e emrit të tij nuk parasheh që ai të jetë jo i lëvduar në ndonjë rast, rrethanë, gjendje, tipar, veti, cilësi, etj. Ai, në të gjitha rastet dhe rrethanat është i lëvduar. Muhammed është njeriu që ka tipare të shumta të lëvduara.
Ne nuk njohim ndonjë njeri në faqen e dheut që të jetë i përkryer dhe përsosur në moral dhe edukatë sikurse Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. E kanë dëshmuar edhe jomyslimanët. Ebu Sufjani kur nuk kishte rinuar ende Islamin ndërsa kishte biseduar me Herakliun, ndër pyetjet që i ishin drejtuar ishte edhe ajo nëse Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ishte i njohur për gënjeshtar. Ai, atëbotë e urrente shumë, por kishte dëshmuar se nuk ka gënjyer kurrë.
Pikërisht për shkak të kësaj, kur ofendohej e fyhej, Muhammedi [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e mbronte veten e tij me emrin e tij. Buhariu transmeton nga Ebu Hurejre [radijAllahu anhu] se Pejgamberi [alejhiselam] ka thënë: “A nuk çuditeni se si Allahu largon prej meje të sharat dhe mallkimet e kurejshëve! (Ata) Shajnë (duke më thënë) i nënçmuar, mallkojnë (duke thënë) i nënçmuar, ndërsa unë jam Muhammed – i lëvduar.”
Bazuar në këtë, të sharat, ofendimet, nënçmimet e atyre që nuk e njohin Muhammedin [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], duhet t’i kthejmë me muhammedizëm, respektivisht me prezantimin e të vërtetës për të, personalitetin, karakterin dhe tiparet e tij. Ai është njeriu që Allahu e ka ngritur dhe lartësuar, kështu që askush nuk mund ta ulë atë. “”Vërtet, ti je në një shkallë të lartë të moralit!“ (El-Kalem, 4)
Në vijim do ta marr një shembull nga jeta e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] prë të parë ndikimin që morali dhe tiparet e tij kanë patur në predikimin fetar. Buhariu dhe Muslimi kanë shënuar në dy koleksionet e tyre një nga këto rastet e rralla të burrërisë dhe pjekurisë së madhe të Pejgamberit Muhammed [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Ata transmetojnë nga Ebu Hurejre [radijAllahu anhu] rastin e zënies rob të Thumame Ibn Uthalen, liderin e Jemames dhe lidhjes së tij për direkut të Xhamisë. Erdhi Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] dhe kur e pa Thumamen të lidhur për direku, Thumamen, një armik të tij të përbetuar, iu afrua dhe i tha: “Çfarë ka tek ti o Thumame? (Çfarë mendon se do të veproj me ty?) Tek unë –o Muhammed- mund të gjesh njeri me gjak nëse më vret, njeri mirënjohës nëse më bën mirë, dhe, nëse je prej atyre që duan para, fol se të jap sa të duash! –iu përgjigj Thumameja.”
Përgjigjja e Thumames ishte e menduar mirë dhe do të vlente sikur të kishte të bënte me ndonjë lider tjetër por jo edhe me Muhammedin, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Ai kërcënoi se nëse e vret, prapa tij qëndrojnë fisi, që nuk e lënë pa marrë hakun kurrë. Pastaj, filloi të provoj një aspekt tjetër, atë të mirësjelljes se ai është njeri që nuk i harron të mirat dhe krejt në fund ofron edhe para për lirimin e tij. I mjeri, nuk e dinte se këto gjëra nuk çojnë peshë tek Muhammedi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]. Mu për këtë shkak, Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] e la të lidhur për direku dhe shkoi ta falë namazin.
Të nesërmen, derisa po hynte në xhami, u afrua prapë tek Thumameja, që vazhdonte të mbetej i lidhur në po atë vend, dhe ia parashtroi të njëjtën pyetje. Thumameja iu përgjigj me të njëjta fjalë që ia kishte thënë vetëm një ditë më parë.
Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem]me të dëgjuar të kësaj përgjigje u largua dhe e la ashtu të lidhur Thumamen, pa ndonjë veprim konkret. Pa përgjigje. Të nesërmen, pra ditën e tretë, Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] iu afrua prapë Thumames dhe ia parashtroi të njëjtën pyetje. Thumameja nuk kishte fjalë tjera përveç ato që ia kishte thënë për dy ditë radhazi. Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] urdhëroi lirimin e tij pa asnjë kusht, e tha: “Lirojeni Thumamen!”
Meqenëse na ofrove gjëra për të na komprometuar, na krahasove me ata që kanë qëllime të ulëta nga kjo jetë, ja, për të mos menduar keq për objektivat e misionit tonë, edhe pse je armik, je i lirë.
Tregimi vazhdon, madje pjesa më interesant e tij është kah fundi, por, që të mos krijohet ndonjë bindje e gabuar përkitazi me Muhammedin, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], po sqaroj se mbajtja e Thumames lidhur në Xhami bëhej për t’ia rrëfyer në praktikë Islamin, ndryshe, siç qëndron në transmetime tjera, Pejgamberi, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] kishte urdhëruar sahabet [radijAllahu anhum] që të sillen mirë me Thumamen (t’i japin ushqim, ujë, etj.) këtë e dëshmon edhe vazhdimi i rrëfimit. Thumameja nuk veproi si një i liruar që për të shpëtuar nuk kthen kokën mbrapa por vetëm ikë sa më parë dhe më shpejtë nga ata njerëz. Përkundrazi. Veprimet e Pejgamberit, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem], që deri para tri ditësh e urrente shumë dhe mundohej ta vriste, ia ndërruan mendjen. Ai pa në praktikë se nuk bëhet fjalë për një njeri që prapa misionit fsheh ambiciet për pasuri a pushtet. Thumameja i ofroi pasuri Muhammedit, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] por nuk ia pranoi. Kështu, Thumameja nuk u largua shumë. Në fakt, u largua pak sa për tu pastruar dhe për tu kthyer në vendin ku vetëm para pak çasteve ishte i lidhur, por kësaj radhe për ta zgjidhur zemrën nga robëria e paganizmit. Erdhi dhe para Pejgamberit, [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] tha dëshminë islame:
Esh’hedu en la ilahe il-la Allah
Ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve Resuluhu!
Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut
Sikur që dëshmoj se Muhammedi është robi dhe i Dërguari i Tij!
Pastaj, shprehi fjalët të cilat vetëm ai që ka përjetuar një trajtim të tillë mund t’i shpreh: “O Muhammed! Pasha Allahun, nuk ka patur në tokë fytyrë më të urryer për mua se sa fytyra jote ndërsa sot ajo më është bërë më e dashura. Pasha Allahun, nuk ka patur fe me të urryer tek unë se sa feja jote, ndërsa sot ajo është feja më e dashur tek unë. Pasha Allahun, vendin tënd e kam urryer më së shumti ndërsa sot ai është më i dashuri tek unë!”
4) Emri i tij dëshmon saktësinë e Islamit
Ndonëse paralajmërimi për ardhjen e Muhammedit [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] përmendet edhe në libra të mëhershëm qiellor, madje me po këtë emër, atëherë ky emër, përveç tjerash, dëshmon edhe vërtetësinë e Islamit. “Dhe, kur Isai, biri i Merjemes tha: “O beni israilë, unë jam i dërguar i All-llahut te ju, jam vërtetues i Tevratit që ishte para meje dhe jam përgëzues për një të dërguar që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed!” E kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapët”.“ (Es-Saff, 6)
Bazuar në:
Avni Omer Lutfuoglu. “Ismu-rr-Rresul judafiu anhu”, revista Hira.( http://www.hiramagazine.com, shfletuar më 08.01.2015)
Es-Sejjid Ibrahim Ahmed. “Mu’xhizetu-n-Nebijji fi’smihi”, portali alukah. (http://www.alukah.net/, shfletuar më 08.01.2015)
Salah Abdu-s-Settar Muhammed Esh-Shehavi. “Esmau-rr-Rresul [sal-laAllahu alejhi ve sel-lem] ve elkabuhu ve kunahu”, (http://www.darululoom-deoband.com/, shfletuar më 08.01.2015)
Shkruar nga Sedat Islami