Rtv Pendimi

Multivitaminat nuk e promovojnë shëndetin kardiovaskular

Multivitaminat nuk e promovojnë shëndetin kardiovaskular

Marrja e suplementeve multivitaminoze dhe minerale nuk i parandalon sulmet në zemër, goditjet në tru ose vdekjen kardiovaskulare, sipas një analize të re të 18 studimeve të publikuara në Circulation: Cardiovascular Quality and Outcomes, një revistë kjo e American Heart Association.

“Ne e analizuam me përpikmëri grupin e provave shkencore”, tha autori i studimit Joonseok Kim, asistent profesori i kardiologjisë në Departamentin e Mjekësisë në Universitetin e Alabamës në Birmingham, transmeton Koha.net. “Nuk e gjetëm asnjë përfitim klinik të përdorimit të multivitaminave dhe mineraleve për t’i parandaluar sulmet në zemër, goditjet në tru apo vdekjen kardiovaskulare”.

Ekipi hulumtues e kreu një “meta-analizë”, duke i bashkuar rezultatet nga 18 studime të publikuara individuale, duke i përfshirë studimet e kontrolluara rastësore dhe studimet grupore, me një total prej më shumë se 2 milionë pjesëmarrësve dhe me një mesatare prej 12 vjetësh të rivlerësimit. Ata nuk e gjetën asnjë lidhje midis marrjes së suplementeve të multivitaminave dhe minerale dhe rrezikut më të ulët të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë t’i bindësh njerëzit, duke i përfshirë hulumtuesit nutricional, që të pranojnë se suplementet multivitamike dhe minerale nuk i parandalojnë sëmundjet kardiovaskulare”, tha Kim. “Shpresoj që gjetjet tona të studimit do të ndihmojnë në zvogëlimin e besimit rreth suplementeve me multivitamina dhe minerale dhe t’i inkurajojnë njerëzit që të përdorin metoda të dëshmuara për ta zvogëluar rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare, si ngrënia e më shumë frutave dhe perimeve, ushtrimet dhe shmangia e duhanit”.

Sipas FDA-së amerikane, ndryshe nga ilaçet, nuk ka dispozita në ligj që agjencioni t’i “miratojë” suplementet dietale për siguri ose efektivitet para se ato ta arrijnë konsumatorin, dhe as etiketa e produktit nuk mund të bëjë pohime shëndetësore se e diagnostikon, shëron, zbutë, trajton ose parandalon ndonjë sëmundje. Deri në 30 për qind e amerikanëve përdorin suplemente multivitaminash dhe minerale, ndërsa industria globale e suplementeve ushqimore pritet të arrijë në 278 miliardë dollarë deri në vitin 2024.

Kontradiktat rreth efektivitetit të suplementeve të multivitaminave dhe mineraleve në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare kanë vazhduar me vite, pavarësisht nga studimet e shumta hulumtuese që sugjerojnë se ato nuk ndihmojnë. Autorët vendosën t’i kombinojnë rezultatet nga studimet shkencore të publikuara më parë për të ndihmuar në sqarimin e temës në fjalë.

“Megjithëse suplementet e multivitaminave dhe mineralet e marra në moderim rrallë shkaktojnë dëmtim të drejtpërdrejtë, ne u bëjmë thirrje njerëzve që ta mbrojnë shëndetin e zemrës duke e kuptuar rrezikun e tyre individual ndaj sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru dhe duke punuar me një ofrues të kujdesit shëndetësor për ta krijuar një plan që i përdorë masat e dëshmuara për ta zvogëluar rrezikun, përcjell Koha.net. Këto e përfshijnë një dietë të shëndetshme për zemrën, ushtrime, ndërprerje të duhanit, kontrollin e presionit të gjakut dhe nivelet e kolesterolit jo të shëndetshëm, dhe kur është e nevojshme, trajtim mjekësor”, tha Kim.

American Heart Association nuk e rekomandon përdorimin e suplementeve të multivitaminave ose mineraleve për t’i parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.

“Hani ushqim të shëndetshme për një zemër të shëndetshme dhe një jetë të gjatë e të shëndetshme”, tha Eduardo Sanchez, zyrtar kryesor mjekësor i American Heart Association për parandalim dhe shef i Qendrave të Shoqatës për Metrikën dhe Vlerësimin e Shëndetit, i cili nuk ishte pjesë e këtij studimi. “Nuk ekziston zëvendësim ndaj dietës së ekuilibruar, ushqyese me më shumë fruta dhe perime e cila i kufizon kaloritë e tepërta, yndyrnat e ngopura, trans-yndyrnat, natriumin, sheqerin dhe kolesterolin dietik”.

TË NGJAJSHME