Naim ef Ternava

Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava tepër i shqetësuar për eskalimin e situatës në Kuds ( Jersualem )

Me shqetësim kam përcjellë eskalimin e situatës në Jerusalem që filloi me dëbimin e dhunshëm të palestinezëve nga shtëpitë e tyre në Sheik Jarrah, për të vazhduar me atakimin dhe përdhosjen e institucionit të xhamisë së shenjtë Al-Aksa.
Shpreh brengën time të thellë dhe të besimtarëve myslimanë për dhunën e ushtruar ndaj banorëve palestinezë në Jerusalem dhe në territoret palestineze.
Eskalimi i konfliktit nga i cili humbën jetën njerëz të pafajshëm nga radhët e civilëve në fund të muajit të madhëruar Ramazan dhe në prag të festës së Fitër-Bajramit dëmton përpjekjet për marrëveshje ndërmjet dy popujve.
Jerusalemi është vendi i të gjitha feve e besimeve monoteiste, e si i tillë duhet të jetë edhe vend i bashkëjetesës e mirëkuptimit.
Lutemi që sa më parë Jerusalemi, Al-Aksa, dhe objektet e tjera të kultit të gjejnë qetësinë, ndërsa banorët e Jerusalemit të gjejnë paqen e sigurinë.
Myftiu i Kosovës
Naim ef. Tërnava