Myftiu Tërnava dhe kryetari i Dijanetit z. Erbash vizituan vendin e caktuar për ndërtimin e Xhamisë Qendrore

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ka pritur sot në takim kryetarin e Bashkësisë Islame të Turqisë (Dijaneti), prof. dr. Ali ef. Erbash. Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje dr. Erbashit në Kosovë dhe e cilësoi këtë vizitë si shumë domethënëse për popullin e Kosovës, marrë parasysh të kaluarën historike të përbashkët ndërmjet dy popujve. Myftiu Tërnava e falënderoi kryetarin z. Erbash për gjithë atë çfarë ka bërë Dijanet-i për Kosovën.

Kryetari i Dijanet-it, prof. dr. Ali ef. Erbash, tha se ndjehet i lumtur që ky projekt do të realizohet në bashkëpunim me Kryesinë e BIK-ut. Ai luti Zotin që punimet të ecin mbarë dhe sipas planit të paraparë. Gjatë kësaj vizite, Myftiu Tërnava dhe kryetari Erbash, zhvilluan një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, z. Rexhep Tajip Erdogan, të cilin e njohën për së afërmi me mbarëvajtjen e punimeve të Xhamisë Qendrore në Prishtinë.