09F1093D-E134-411E-AAEC-DCC9BDB777EE

Myftiu Tërnava dhe kryetari Rama panë nga afër punimet në Xhaminë Qendrore

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava së bashku me kryetarin e Prishtinës, z. Përparim Ramën, panë nga afër punën që është realizuar deri më tani në ndërtimin në Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

Myftiu Tërnava u shpreh i kënaqur me ecurinë e punimeve në ndërtimin e kësaj xhamie, duke potencuar se punimet janë duke shkuar sipas planit dhe se ndërtimi sa më i shpejtë i kësaj xhamie do të ishte i mirëseardhur për Bashkësinë Islame të Kosovës, por mbi të gjitha për besimtarët mysliman.

Veç tjerash Myftiu Tërnava falënderoi kryetarin e Prishtinës, i cili ka shprehur interesimin e tij për të përcjellë ecurinë e punimeve të ndërtimit të kësaj xhamie.

Në anën tjetër edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, u shpreh i kënaqur me ecurinë e punimeve të xhamisë qendrore në Prishtinë, teksa i ofroi mbështetjen e plotë Myftiut Tërnava në çështjet që ndërlidhen me Xhaminë Qendrore në kryeqytet.

Në qershor të këtij viti, drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës kishte dhënë dritën jeshile për ndërtimin e xhamisë qendrore në lagjen “Dardania” në kryeqytet.

Që nga dhënia e lejes, punimet në ndërtimin e kësaj xhamie janë intensifikuar në mënyrë që kjo xhami të jetë e gatshme për faljen e namazeve për besimtarët mysliman.