Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga shefi i kabinetit të tij, Besim ef. Mehmeti, po merr pjesë në Konferencën e Nëntë Botërore të Fetvasë “Fetvaja dhe ndërtimi moral në një notë përshpejtuese”, e cila po mbahet në Kajro dhe është organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Myftinive në Botë.
Në këtë Konferencë, të mbajtur nën patronatin e presidentit të Egjiptit, Abdulfetah es Sisi, po marrin pjesë dijetarët, myfti dhe ministra nga më shumë se 104 vende të ndryshme të botës.
Konferenca u hap nga myftiu i Egjiptit, dr. Shevki Allam, i cili, pasi që iu dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve, vuri theksin e veçantë në rëndësinë e kësaj Konference, duke marrë parasysh sfidat dhe vështirësitë me të cilat po ballafaqohet bota në fushën e moralit në të gjitha sferat e jetës, e kjo si rezultat i përshpejtimit të jetesës dhe zhvillimeve globale. Kjo gjë, sipas tij, po rrezikon vetë qenien njerëzore, andaj ai ftoi të pranishmit që të bashkohen dhe të thellojnë bashkëpunimin, me synim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave morale, të cilat e mbrojnë qenien njerëzore.
Në emër të kryeministrit të Egjiptit, Mustafa Medbulit, të pranishmit i përshëndeti ministri i Vakëfe të Egjiptit, dr. Usama el Ezheri, i cili theksoi se institucionet e Egjiptit në të gjitha sferat në përgjithësi, e në veçanti institucionet fetare, qëndrojnë të bashkuara dhe të unifikuara pas institucionit më të lartë fetar në Egjipt, atij të Azharit dhe kryetarit të saj shejhut, dr. Ahmed Tajjib, si përfaqësuesi i të gjithë myslimanëve të Egjiptit në botë. Ai e përgëzoi Myftininë e Egjiptit për të gjithë punën dhe angazhimin e saj në përgjithësi, e në veçanti për organizimin e kësaj Konference. Gjatë fjalimit të tij, ai, në emër të të gjitha institucioneve fetare islame të Egjiptit, dënoi përqeshjen dhe nënçmimin e profetit Isa a.s., gjatë hapjes së Lojërave Olimpike në Paris. Këtë rast e kanë dënuar të gjitha kishat në Lindje dhe në Perëndim, duke theksuar se çfarëdo përqeshje dhe nënçmim i vlerave fetare kishtare dhe përqeshja e cilido profet është i ndaluar dhe i dënuar nga pjesëtarët e besimit islam, para atyre të krishterë.
Gjatë këtyre dy ditëve në vijim, Konferenca do të fokusohet në tri akse kryesore: “Ndërtimi moral në Islam dhe roli i fetavsë në forcimin e tij”; “Fetvaja dhe realiteti global, idetë dhe parimet” dhe “Fetvaja dhe përballja me pengesat dhe sfidat e ndërtimit moral për një botë në përshpejtim”.
Përveç këtyre, aktivitetet e Konferencës, do të përfshijnë edhe mbajtjen e tri punëtorive me titujt: “Drejt formulimit të një karte etike të fetvasë për zhvillimet në fushat e shkencave eksperimentale, natyrore dhe shoqërore”; “Intelegjenca artificiale dhe aplikimet e saj në shkencat e Sheriatit në përgjithësi dhe shkencat e fetvasë në veçanti” dhe “Monitorimi dhe analiza e problemeve të përmbajtjes fetare dhe fetvasë në platformat digjitale dhe mjetet e inteligjencës artificiale”.