Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly

Myftiu Tërnava priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly i cili shoqërohej nga zëvendës ambasadorja, znj. Pauline Menthonnex Gacaferri.

Myftiu Tërnava e njohu ambasadorin Kolly me historikun, punën dhe angazhimin permanent të Bashkësisë Islame të Kosovë përgjatë viteve, që Kosova të jetë një vend i sigurt dhe paqësor, ku të gjithë qytetarët do të jetonin në paqe mes vete, si dhe e njohu atë për rolin dhe kontributin që BIK-u jep në drejtim të mbarëvajtjes së jetës fetare në vend.

Temë diskutimi ishte edhe përkushtimi i vazhdueshëm i Kryesisë së BIK-ut dhe administratës së saj në terren në përballje me pandeminë globale COVID-19, si dhe bashkëpunimi që kanë pasur me institucionet shtetërore në luftimin e kësaj sëmundje ngjitëse, në mënyrë që të tejkalohet sa më lehtë dhe më me pak pasoja.

Myftiu Tërnava po ashtu çmoi dhe vlerësoi raportet shumë të mira që kanë me shtetin e Zvicrës, gjegjësisht ambasadën e saj në Kosovë, duke vënë në spikamë ndihmën shumë të madhe që ka dhënë dhe po jep shteti dhe populli zviceran në zhvillimin e Kosovës në të gjitha sferat, në veçanti në përmirësimin e jetës së qytetarëve kosovarë.

Nga ana e tij, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly falënderoi Myftiun për pritjen dhe potencoi edhe njëherë kontributin që po jep Myftiu Tërnava dhe BIK-u për luftimin e pandemisë, si dhe për ruajtjen e raporteve të mira ndërmjet komuniteteve fetare që jetojnë në Kosovë.