Myftiu Tërnava priti në takim kryetarin e KMSH-së, Bujar ef. Spahiun

Kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur në takim kryetarin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar ef. Spahiun, i cili shoqërohej nga bashkëpunëtorët e afërt të tij.
Myftiu Tërnava i uroi mirëseardhje delegacionit nga Shqipëria, duke falënderuar kështu për vizitën e bërë. Ai e njohu mysafirin me funksionimin e institucionit të Bashkësisë Islame të Kosovës në përgjithësi, e në veçanti me sfidat dhe peripecitë me të cilat janë duke u ballafaquar në këtë kohë të pandemisë.
Kryetari Spahiu e falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen dhe për raportet e mira ndër vëllazërore të cilat mbretërojnë ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Gjatë këtij takimi, të dyja palët biseduan rreth një bashkëpunimi më të gjerë për realizimin e projekteve të përbashkëta në të mirë të shqiptarëve të besimit islam në Kosovë dhe në Shqipëri, si dhe u shkëmbyen ndërmjet vete përvojat dhe të arriturat e dy institucioneve.