Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim myftiun e Myftinisë së Bajram Pashës, z. Recep Eren, si dhe imamin me prejardhje shqiptare në Bajram Pasha të Turqisë, z. Haki Vatansever.
Myftiu Tërnava i njohu mysafirët me organizimin e jetës fetare në Kosovë, me zhvillimin e institucioneve fetaro-arsimore të Bashkësisë Islame, si dhe me sfidat e shoqërisë kosovare në përgjithësi. Ai falënderoi Myftinën e Bajram Pashës dhe popullin turk për ndërtimin e xhamisë “Bajram Pasha Isa Beg” në Mitrovicë, si dhe për ndihmat e tjera që i ofrojnë Kosovës.
Nga ana e tij, Myftiu i Myftinisë së Bajram Pashës, z. Recep Eren, falënderoi Myftiun Tërnava për mikpritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, duke shtuar se ndjehet i gëzuar me progresin dhe arritjet që ka shënuar Kosova në fushën e edukimit fetar, si dhe shkallën e tolerancës harmonisë dhe respektit të ndërsjellë të të gjitha komuniteteve.
Bajram Pasha është njëra nga nënkomunat e Stambollit ku ka më së shumti shqiptarë.