408974472_793770332788671_6378812589905192904_n

Myftiu Tërnava priti në takim zëvendëskryetarin e DIJANET-it të Turqisë, z. Kadir Dinç

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim zëvendëskryetarin e DIJANET-it të Turqisë, z. Kadir Dinç, i cili shoqërohej nga drejtori i Përgjithshëm i Administratës, z. Bunjamin Kahraman, shefi i Departamentit të Vendeve të Euro-Azisë, z. Salih Gör dhe nga atasheu për Çështje Fetare pranë Ambasadës së Turqisë, z. Bunjamin Albayrak.

Myftiu Tërnava fillimisht iu uroi mirëseardhje mysafirëve, e më pas i njohu ata me punët dhe aktivitetet që zhvillon Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai shprehu falënderimet e tij për përkrahjen e vazhdueshme që ka pasur shteti turk dhe DIJANET-i për popullin e Kosovës në përgjithësi dhe për Bashkësinë Islame në veçanti. Myftiu Tërnava potencoi faktin se kanë një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë me DIJANET-in e Turqisë, e si kurorëzim i këtij bashkëpunimi është edhe ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, i cili po financohet nga DIJANET-i, e për të cilën Myftiu Tërnava shprehu falënderimet më të jashtëzakonshme për këtë projekt. Ai tha se bashkëpunimi i mirë që ka mbretëruar deri më tani duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, për çka shprehu gatishmërinë e tij dhe të institucionit që ai drejton.

Nga ana e tij, zëvendëskryetari z. Dinç, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, duke përcjellë kështu edhe përshëndetjet e kryetarit të DIJANET-it, Ali ef. Erbash. Ai tha se ndihma dhe përkrahja për Bashkësinë Islame të Kosovës dhe për popullin e Kosovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.