Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, sot ka zhvilluar një vizitë në Kompleksin për Botimin e Kuranit “Mbreti Fehd”, shtypshkronjën më të madhe në botë, e cila gjendet në Medine.
Delegacioni nga Kosova u prit nga përfaqësuesit më të lartë të Kompleksit, nga sekretari i përgjithshëm z. Khalid Sulejman el-Nefisi.
Myftiut Tërnava çmoi lart punën që po bëhet në këtë kompleks në shërbim të Librit të Allahut, duke thënë se Arabia Saudite, populli i saj, Qeveria dhe Mbreti i saj, Selman bin Abdulaziz al-Saud, janë të përkushtuar në shërbim të Kuranit dhe kujdesin ndaj tij, duke e dëshmuar këtë me punën madhore që po bëhet në këtë fushë. Myftiu Tërnava i njohu mikpritësit me institucionin e BIK-ut dhe aktivitetet e saj, e në veçanti kontributin e dijetarëve shqiptarë dhe institucionit të BIK-ut në përkthimet dhe komentimin e Kuranit. Gjithashtu Myftiu Tërnava e njohu nikoqirin për projektin e BIK-ut në nxjerrjen e një përkthimi të bazuar në përkthimin më të famshëm te shqiptarët, atij të Sherif ef. Ahmetit, i cili është në përfundim e sipër nga Komisioni përkatës.
Nga ana e tij, z. En-Nefisi, e njohu delegacioni e Kosovës me Kompleksin “Mbreti Fehd” dhe traditën e shkëlqyer të kësaj shtëpie botuese të Kuranit famëlartë, për kontributin mbarëbotëror që ka në botimin dhe përhapjen e kopjeve të librit të shenjtë në mbi 74 gjuhë e 80 versione, si dhe zhvillimin e saj të vazhdueshëm për t’ju përgjigjur nevojave të kohës. Ai theksoi se ky kompleks vitin e kaluar ka arritur të shtypë mbi 19 milionë kopje të Kuranit, ndërsa nga fillimi i punës së këtij kompleksi janë nxjerrë mbi 360 milionë kopje të Kuranit famëlartë.
Më tej, ndërmjet dy delegacioneve u zhvillua një mbledhje, ku në krye të delegacionit mikpritës kësaj here ishte z. Emir el-Karavi, zëvendëssekretar i përgjithshëm për Çështjet Shkencore pranë të njëjtit institucion. Gjatë mbledhjes u diskutua rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit në projekte të mundshme në të ardhmen për t’i shërbyer Kuranit famëlartë.