IZMIR (AA) – TEZCAN EKİZLER
Shumë hotele shekullore në Çarshinë Kemeraltë dhe në Rrugën e Hoteleve në Izmir, përveç se bëjnë mikpritjen e vizitorëve me kohë të shkurtër, ato presin edhe shumë persona të cilët për shkaqe të ndryshme jetojnë të vetëm.
Njëri ndër personat që jetojnë me vite në hotelet shekullore është 60-vjeçari Adnan Ercan. Ai 25 vite të plota jeton në dhomën e njëjtë të hotelit 112-vjeçar Jeni Shykran, i cili bën pjesë ndër hotelet rrënjësore të qytetit dhe i cili përdoret si skenë për xhirimin e filmave.
Për AA Ercan tha se jeta në hotel është më e qetë sesa jeta në shtëpi. Duke treguar se hoteli është shndërruar në shtëpi për te pasi që ka dalur nga shtëpia pas divorcimit të tij bashkëshorten, ka thënë se pas divorcimit, ai nuk i ka parë me vite gruan dhe tre fëmijët e tij.
Adnan Ercan tha se ka tentuar dy herë të dalë në shtëpi, mirëpo nuk ka patur sukses në adaptimin e tij jashtë hotelit dhe se nuk ka mundur ta gjejë atmosferën familjare që ka qenë prezente në hotel. Ai gjithashtu shtoi se në tentimin e parë për të dalur në shtëpi nuk ka mundur të merret vesh me pronarin e shtëpisë i cili sipas tij është munduar të vendosë kushte në jetën e tij, ndërsa në tentimin e dytë ka mbetur vetëm pasi që shoku i dhomës është larguar nga shtëpia.
“Shoku i dhomës u largua duke lënë pa paguar llogaritë e qirasë, rrymës elektrike dhe ujit, dhe pas kësaj unë vendosa që me asnjë kusht më të mos largohesha nga hoteli Jeni Shykran. Prej 1.300 lirave të pensionit, 900 lira paguaj për hotelin. Në krahasim me shtëpinë, në hotel nuk paguhet llogari për qira, rrymë elektrike dhe ujë. Këtu është shumë qetë, njerëzit janë të qetë. Ka edhe shtatë persona të tjerë që jetojnë për një kohë të gjatë këtu njëjtë sikur unë. Jemi si familje me to. Jashtë më ndahet fryma, ka rrëmujë, ndërsa këtu ka qetësi. Nuk ndiej vetmi aspak,” thotë Ercan.
“Frika ime më e madhe është mbyllja e hotelit”
Duke theksuar se nuk ka ndërmend të jetojë në shtëpi të pleqve, Ercan thotë se banorët e hotelit çdo ditë mblidhen për ngrënien e mëngjesit, kurse ata që punojnë shkojnë në punë, e ai vetë del në shëtitje në Çarshinë Kemeraltë, ndërsa në kohën e lirë shikon televizor.
Ercan thotë se frika e tij më e madhe do të ishte mbyllja e hotelit, duke shtuar se pronari i hotelit ka lejuar shfrytëzimin e ndërtesës historike si hotel deri në vitin 2018 dhe se pas kësaj nuk dihet se çfarë do të ndodhë.
Hoteli ka rregulla
Edhe İlyas Camtas, i cili që nga viti 1982 udhëheq me hotelin i cili është i hapur që nga viti 1905, thotë se ka një atmosferë familjare në hotel dhe se disa mysafirë preferojnë hotelin nga atmosfera e tillë.
Camtas gjithashtu ka thënë se janë vendosur disa rregulla që të ruhet atmosfera familjare. Nuk pranohen persona alkoolikë, nga çiftet kërkohet certifikata martesore, ndërsa edhe banorët e hotelit sillen me kujdes që të ruajnë këtë atmosferë.