NA ERDHI RAMAZANI

Ne tashmë jemi në ditët e para të Ramazanit të bekuar. Duhet të mobilizohemi se na erdhi mysafiri i madh i All-lahut të madhëruar. T’i zgjojmë forcat tona të shpirtit dhe të mendjes. T’i përkushtohemi Ramazanit me gjithë qenien tonë dhe të ngrihemi një shkallë më lartë në botën e zhvillimit shpirtëror. Me punën, përkushtimin dhe veprat tona madhështore në Ramazan të tërheqim vëmendjen e Zotit të universit dhe vëmendjen e banorëve të qiellit ndaj nesh. Ky është zaten edhe kuptimi i duasë dhe dhikrit në islam. 

Duhet t’i përkushtohemi me shpirt, me trup e me mendje agjërimit të Ramazanit. Secili prej nesh mund ta mate shkallën e imanit me atë sa dhe si e ndjen ardhjen e Ramazanit. Na erdhi muaji i madh i ndryshimeve të mëdha, i shanseve dhe mundësive për një fillim të ri, jetë të re që e ofron i Madhërishmi çdo vit në ditët dhe netët e bekuara të këtij muaji. Ta kuptojmë atë në thelbin e tij dhe t’i përgjigjemi me kompetencë pyetjes përse agjëroj? Përse gjithë kjo sakrificë, vetëmohim deri në shkallen e privimit nga nevojat dhe kërkesat ekzistenciale të trupit dhe organizmit tonë?
Unë agjëroj që t’i afrohem Krijuesit të Gjithësisë. Unë agjëroj që ta kuptoj rolin tim në dynja dhe që të vendosi lidhje me qiellin dhe banorët e tij. Unë agjëroj për ta besuar Gajbin, që kur të shteren energjitë tokësore të kërkoj fuqi shtesë në botën e padukshme. Unë agjëroj që ta zgjoj shpirtin nga letargjia e njëmbëdhjetë muajve të kaluar. Unë e privoj nefsin nga ushqimet e përditshme për t’ia dhënë hedije shpirtit. Në Ramazan, duke agjëruar dëshiroj të rritem shpirtërisht dhe t’i bëjë më të mprehta shqisat dhe intelektin, t’i zhvillojë dhe t’i avancoj kapacitetet e mia shpirtërore dhe intelektuale. Unë agjëroj që ta pastroj qenien time dhe t’ia mundësoj dritës së Zotit (dijes) dhe Kur’anit që të futen në zemrën time për t’i ndriçuar kualitetet e mia. Në Ramazan e kuptoj dhe e paranjoh më mirë kuptimin e jetës në dynja dhe domosdoshmërinë e parapërgatitjes për ahiret. Unë agjëroj që t’ia mundësoj shpirtit (ruhit) të ketë qasje direkte në jetën e dynjasë dhe të merr kontrollin mbi trupin dhe tekat e tij për një muaj të tërë. T’i rregullojë dhe balancojë pasionet dhe kërkesat e sëmuara dhe të tepruara të tij. Të rregullojë ushqimin, pirjen dhe seksualitetin, kërkesa këto ekzistenciale për njeriun që e përcaktojnë në një pjesë të madhe sjelljen njerëzore. Agjërimi vjen që ta qetësojë shpërthimin dhe shfrenimin e veseve të njeriut.
Në planin praktikë, unë agjëroj një muaj ditë me vetëdije, me vetëdëshirë dhe i lirë që të ndjej dhimbjen e atyre që janë të detyruar të agjërojnë tërë jetën. Unë agjëroj që t’i braktisi vesin e gënjeshtrës, përgojimit, bartjes së fjalëve, dëshmisë së rrejshme, shpifjes, lakmisë, zilisë, mashtrimit dhe manipulimit.
Në planin praktik të agjërosh do të thotë të krijosh dhe të zhvillosh vetëdijen kolektive, më shumë solidaritet dhe dhembshuri ndaj të varfërve dhe atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë.

Shkruar nga Muhidin Ahmeti, përcjellë Radio Pendimi.