shi

NAMAZI I KËRKIMIT TË SHIUT (EL ISTISKAJA)

  1. Fjala ‘el istiska’ në gjuhën arabe do të thotë kërkim i ujit, që nënkupton ta kërkosh rënien e shiut mbi vendbanimet dhe robërit e Allahut.

Ndërsa, sipas sheriatit, do të thotë të kërkosh nga Allahu t’i begatojë me shi robërit e Tij kur ata kanë nevojë për të.[1]

  1. Uji është i begatë dhe begatia e tij është e madhe. Prej ujit varet jeta e njeriut, e kafshëve dhe e bimëve dhe ky realitet e bën të domosdoshëm falënderimin e Allahut pa u ndalur dhe në vazhdimësi.

Nëse nuk bie shi apo rënia e tij vonohet apo pakësohet dhe si pasojë e kësaj gjendjeje vjen deri te thatësia, kjo është provë e madhe për krijesat dhe rikujtim për nevojën e madhe që e kanë për Allahun dhe rikujtim për përsosurinë e Allahut në të qenët e Tij Pasanik që s’ka nevojë për asgjë. Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim dhe të Cilin krijesat në tërësi e synojnë për të gjitha nevojat, gjendjet dhe domosdoshmëritë e tyre, dhe kjo e bën të detyrueshëm kthimin e robërve drejt Zotit të tyre me bindje, adhurim, pendim dhe kërkimfalje.

Prandaj, u bë i ligjshëm kërkimi i rënies së shiut, mëshirë për robërit dhe kërkim i ndihmës prej Allahut të Vetmit për të rënë shi, që nuk e posedon dhe nuk mund ta zbresë askush tjetër përveç Allahut të Madhëruar.

  1. Kërkimi i shiut bëhet i ligjshëm, nëse toka thahet, shiu nuk bie, apo ujërat e burimeve dhe puseve harxhohen, lumenjtë thahen apo iu zvogëlohet uji, apo njerëzit dëmtohen nga mosfurnizimi me ujë të bollshëm.[2]
  2. Kërkimi i rënies së shiut nga Allahu bëhet në tri mënyra:

E para: Me lutje dhe dua në çdo kohë, pa falur namaz dhe pa mbajtur hutbe dhe duke mos e ndërlidhur lutjen me përfundimin e ndonjë namazi, secili mund të lutet vetë dhe mundet edhe të tubuar, në xhami apo në vend tjetër.

Kjo mënyrë e kërkimit të shiut është e pëlqyer me konsensus të dijetarëve.[3]

Argument që aludon për këtë mënyrë të kërkimit të shiut është fjala e Allahut: “…e u thashë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, i Cili është Falës i Madh, që Ai t’ju dërgojë shi të bollshëm, t’ju shtojë pasurinë dhe fëmijët tuaj dhe të bëjë për ju kopshte e lumenj!” (Nuh: 10-12)

E dyta: Me lutje për rënien e shiut gjatë mbajtjes së hutbes së xhumasë, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të,[4] apo me lutje pas faljes së namazeve.

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Lejohet kërkimi i rënies së shiut nëpërmjet lutjeve pas faljes së namazeve vullnetare të përcaktuara dhe që janë sunet i fortë (d.m.th. që falen pas farzeve), si dhe në hutben e xhumasë dhe të ngjashme me të, ashtu si veproi Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të.”[5]

E treta: Kërkimi i rënies së shiut në grup, me faljen e dy rekateve dhe me mbajtjen e hutbes. Kjo është mënyra e përsosur dhe më e mira e kërkimit të shiut.

  1. Namazi i kërkimit të shiut është sunet i fortë, i vërtetuar me sunetin (veprimin) e Profetit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, dhe të katër kalifëve të drejtë (Ebu Bekrit, Omerit, Othmanit dhe Aliut), Allahu qoftë i kënaqur prej tyre.[6]

Abdullah ibën Zejd, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Doli Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, për ta falur namazin e kërkimit të shiut, u drejtua kah Kibla të lutej dhe (para se të lutej) e veshi xhyben pasi e kthehu mbrapsht, pastaj i fali dy rekate dhe lexoi me zë.”; me një transmetim tjetër: “Doli për në faltore…”[7]

  1. Pëlqehet njëjtë për të gjithë, banorët e fshatrave dhe qyteteve, luginave dhe udhëtarëve, të dalin për namazin e shiut.[8]
  2. Pëlqehet që për namazin e shiut të dalin pleqtë dhe të dobëtit, fëmijët dhe të pafuqishmit, sepse lidhshmëria e tyre me dynjanë dhe bukuritë e saj është e vogël, kështu që shpresohet të pranohen lutjet e tyre dhe pëlqehet të dalin edhe gratë, por jo të zbukuruara.[9]

Argument për këtë është fjala e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “Ju a nuk ndihmoheni dhe nuk furnizoheni vetëm se për shkak të të dobëtve tuaj.”[10]

Me një transmetim tjetër: “Këtë umet Allahu e ndihmojnë me të dobëtit e saj, me lutjet, namazin dhe sinqeritetin e tyre.”[11]

  1. Falja e namazit të shiut nuk përkufizohet me ndonjë kohë të veçantë, por ligjërohet dhe lejohet të falet në çdo kohë, natën apo ditën, këtu veçohen kohët kur urrehet falja e namazit vullnetar dhe këtu nuk ka mospajtim mes dijetarëve, “sepse koha e faljes së namazit të shiut është e gjerë dhe s’ka nevojë të falet në kohën kur ndalohet falja e namazit vullnetar.”[12]
  2. Namazi i shiut pëlqehet të falet në kohën kur falet namazi i Bajramit, në mëngjes me ngritjen e diellit nga horizonti sa një shtizë, sepse Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli për ta falur namazin e shiut ‘kur dolën rrezet e diellit.’[13]
  3. Pëlqehet për imamin që t’i lajmërojë njerëzit për kohën e faljes së namazit të shiut disa ditë përpara kohës së caktuar, kështu që njerëzit të përgatiten për namaz dhe të motivohen myslimanët për t’u penduar nga mëkatet dhe të largohen nga padrejtësitë, ta japin lëmoshën, të agjërojnë, t’i braktisin armiqësitë dhe grindjet në mes vete, sepse adhurimi është shkak për të sjellë mirësi dhe bereqet, ndërsa mëkatet shkak për të sjellë thatësira dhe ndërprerje të shiut dhe fatkeqësi.
  4. Forma e namazit të shiut është kjo në vijim:

Dalin imami dhe njerëzit për në faltore, imami i fal dy rekate të ngjashme me ato të Bajramit, në rekatin e parë i merr shtatë tekbire dhe në rekatin e dytë i merr pesë tekbire, jashtë tekbirit fillestar dhe tekbirit gjatë ngritjes prej rekatit të parë për në rekatin e dytë.

Në të dy rekatet lexon me zë dhe lexon nga Kurani atë që e lexonte Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në namazin e Bajramit, pra, në rekatin e parë e lexon suren El A’la dhe në rekatin e dytë lexon suren El Gashije, apo suren Kaf dhe suren El Kamer.

Pasi imami e fal namazin, drejtohet ka njerëzit duke ia kthyer shpinën Kibles, e mban vetëm një hutbe, ku në të e shpeshton istigfarin (kërkimfaljen).

Pasi e përfundon hutben, kthehet kah Kibla, e kthen xhyben mbrapsht, duke e kthyer anën e djathtë në anën e majtë dhe anën e majtën në anën e djathtë, në shenjë optimizmi të ndryshimit të gjendjes së tokës, nga tokë e thatë në tokë pjellore.

Pastaj bën lutje sipas asaj që ka ardhur në argumente: “Allahume egithna (O Allahu im, ndihmona dhe na lësho shi)”, “Allahume iskina, Allahume iskina, Allahume iskina (O Allahu im, begatona me ujë -3 herë-)”.

Imami është i vendosur në lutjet e tij dhe gjatë lutjes i ngre duart lart, ndërsa njerëzit pas lutjeve të tij thonë ‘amin (o Zot, pranoje lutjen)’, dhe pasi të përfundojë imami me lutjet, të gjithë shpërndahen dhe shkojnë.

  1. Disa nga dijetarët bazohen në disa hadithe profetike dhe thonë se hutbja mbahet para namazit, kurse disa dijetarë të tjerë thonë se imami zgjedh kur ta mbajë hutben, para apo pas namazit, ‘mirëpo nëse e mban hutben para namazit, atëherë nuk mban hutbe tjetër pas namazit, pra nuk bashkon në mes dy çështjeve, andaj ose e mban hutben para namazit ose e mban hutben pas namazit.”[14]
  2. Namazi i shiut nuk ka ezan dhe as ikamet, dijetarët të gjithë për këtë janë unikë dhe për faljen e tij nuk thirret me fjalët ‘es salate xhamiaten (namazi me xhemat)’[15], sipas mendimit më të saktë, sepse koha e saj më veç është caktuar paraprakisht dhe njerëzit janë të informuar dhe ata më veç janë të përgatitur për ta falur dhe s’ka nevojë për thirrje të posaçme, pasi mjafton tubimi i tyre për ta falur.[16]
  3. Zbukurimi dhe veshja e rrobave të zbukuruara nuk është e arsyeshme për faljen e namazit të shiut, por prej sunetit është të dilet i thjeshtë, i përulur, i nënshtruar, jo të vishen rroba të bukura dhe jo të përdoret parfumi, sepse këto janë nga përsosuria e zbukurimit, kurse kjo ditë është dita e modestisë dhe nënshtrimit, prandaj gjatë ecjes për në faltore dhe gjatë uljes duhet të jetë i thjeshtë, të jetë i nënshtruar dhe i përulur para Allahut dhe ta dojë takimin me Atë.[17]

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, doli për namazin e shiut i thjeshtë, jo me rroba të zbukuruara dhe jo i parfumosur, i përulur, i qetë, i nënshtruar dhe i fali dy rekate …”[18]

  1. Dalja për namazin e shiut pa u zbukuruar dhe pa u parfumosur nuk e ndalon pastrimin, prandaj pëlqehet pastrimi me ujë dhe përdorimi i misvakut dhe i gjërave që e ndalojnë erën e keqe, sepse bëhet fjala për namaz, ku për faljen e tij pëlqehet tubimi dhe mbajtja e hutbes.[19]
  2. Pas faljes së namazit të shiut, nëse myslimanëve Allahu u lëshon shi, ata e falënderojnë dhe e madhërojnë Allahun.

Atyre nuk u ndalohet përsëritja e faljes së namazit të shiut më shumë se një herë, nëse nuk u bie shi pasi e kanë falur namazin, sepse Allahu e do përuljen dhe këmbënguljen e robit për ta arritur atë që e dëshiron. Në esencë, shkaku i faljes së namazit të shiut është nevoja për shi dhe pasi nevoja ende është prezente, lejohet të përsëritet namazi i kërkimit të shiut, duke ia bashkëngjitur edhe shpeshtimin e istigfarit, pendimin dhe lëmoshën. Allahu thotë: “Vetëm sikur të përuleshin kur u erdhi ndëshkimi Ynë! Por zemrat e tyre u bënë gur, ndërsa djalli ua paraqiste si të bukura veprat e tyre të këqija.” (El-Enam: 43)[20]

  1. Nëse ndodh që njerëzit të përgatiten për të dalë për namaz të shiut dhe ndërkohë bie shi para se të dalin, në këtë rast ata nuk dalin për ta falur namazin e shiut, por e falënderojnë Allahun për dhuntinë e Tij dhe kërkojnë që t’u shtojë nga mirësitë e Tij.

Dijetarët e medhhebit shafiitë janë të mendimit, që në këtë rast njerëzit duhet të dalin dhe ta falin namazin në shenjë falënderimi ndaj Allahut dhe të kërkojnë edhe më shumë nga mirësitë e Tij.[21]

  1. Nëse dalin njerëzit nga shtëpia dhe shiu bie para se të fillohet me namaz, në këtë rast e falin namazin në shenjë falënderimi ndaj Allahut dhe Atë e madhërojnë dhe Atij i drejtohen me lutje.[22]
  2. Nëse një tokë nga tokat e myslimanëve preket nga thatësia dhe nuk bie shi, e ligjshme është që myslimanët nga vendet e tjera ta falin namazin e shiut për vëllezërit e tyre, ky është mendimi i shumicës së dijetarëve, prandaj pëlqehet për ata që Allahu i ka begatuar me shi ta falin namazin e shiut për atë vend që e ka përfshirë thatësia apo kanë nevojë për ujë. Kjo është edhe fetvaja e dijetarit Abdulaziz ibën Bazit, Allahu e mëshiroftë.[23]
  3. Prej suneteve kur bie shi është të thuhet: “Allahume sajiben nafian ( O Allahu im, bëje këtë shi të begatshëm dhe të dobishëm).”[24]

Kur bie shi, pëlqehet shpeshtimi i lutjes, sepse kjo është koha e zbritjes së mëshirës. Në një hadith Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë: “Dy lutje nuk kthehen mbrapsht: lutja gjatë thirrjes së ezanit dhe lutja kur bie shi.”[25]

  1. Nëse pasi të falet namazi i shiut, shiu bie në sasi të mëdha derisa të dëmtohen njerëzit apo të kenë frikë se do të dëmtohen, në këtë rast pëlqehet lutja që shiu të pakësohet dhe dëmi i tij të largohet dhe shiu të bjerë në vende ku bën dobi e jo dëm. Lutja bëhet ashtu si e bëri Profeti, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, i cili tha: “O Allahu im, le të bjerë shiu përreth nesh dhe jo mbi ne, o Allahu im, le të bjerë mbi kodra e male, mbi pyje e rrafshnalta dhe mbi lugina e vende ku rriten pemët.”[26]

Nuk është e ligjshme të falet namaz për t’i thënë këto lutje, sepse Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, në këtë rast u lut pa falur namaz.”[27]

 

O Allahu im, na lësho shi, na jep ujë neve dhe jepu ujë robërve të Tu, të lutem na lësho shi që na e largon nevojën, shi të këndshëm dhe që tokën e bën pjellore, shi të dobishëm e jo të dëmshëm, të menjëhershëm e jo të vonuar dhe shpërndaje mëshirën Tënde, o Zot i botëve!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

 

[1] Shih: El Mexhmua të imam Neveviut (5/64), Lisanul Arab (14/393), El Meusua el Fik’hije (3/304).

[2] Shih: El Mugni, Ibën Kudame (3/334), El Mexhmua (5/64).

[3] Shih: Et Temhid, Ibën Abdulber (17/172), El Mexhmua (5/64).

[4] Buhariu (933), Muslimi (897).

[5] Mexhmual Fetava (24/32).

[6] Shih: El Mugni, Ibën Kudame (3/334), El Mexhmua (5/63).

[7] Buhariu (1024, 6343), Muslimi (894).

[8] Shih: El Mugni, Ibën Kudame (3/346), El Mexhmua (5/63).

[9] Shih: El Mugni (3/335).

[10] Buhariu (2896).

[11] Nesaiu (3178), shejh Albani e vlerësoi hadithin të saktë,

[12] El Mugni (3/337), dhe shih: El Mexhmua (5/77).

[13] Ebu Davudi (1173), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

[14] Esh Sherh el Mumtia, Ibën Uthejmin (5/216).

[15] Kuptimi i fjalëve është tubohuni për namaz apo tani do të falet namaz me xhemat jashtë namazit farz. (sh.p.).

[16] Shih: El Mugni (3/337), Sherh El Umde, Ibën Tejmije (fq. 100 – kaptina e namazit), Esh Sherh el Mumtia, Ibën Uthejmin (5/223).

[17] Shih: El Mugni (3/334), El Mexhmua (5/66).

[18] Nesaiu (1521), Ibën Maxhe (1266), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

[19] Shih: El Mugni (3/334), El Mexhmua (5/66).

[20] Shih: El Mugni (3/348), El Mexhmua (5/88), El Meusua el Fikhije (3/306).

[21] Shih: El Mugni (3/337), El Mexhmua (5/89), Esh Sherh el Mumtia, Ibën Uthejmin (5/221).

[22] Shih: El Mugni (3/347).

[23] Shih: El Mexhmua (5/64), El Meusua el Fikhije (3/306), Mexhmua fetava Ibën Baz (13/65).

[24] Buhariu (974).

[25] Hakimi (2/124), dhe hadithi është Sahih el Xhami’ (3078).

[26] Buhariu (1013), Muslimi (897).

[27] Shih: El Mugni (3/349), El Mexhmua (5/95).

 

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Pjesë e librit “UDHËZIME DHE DISPOZITA PËR NDODHITË E NDRYSHME GJATË VITIT”