Namazi i mysafirit

Shembulli i dytë të cilin dua ta ndriçoj është namazi i udhëtarit. Mendimi i shkollës juridike hanefite thotë se shkurtimi i namazit në rrugë është i domosdoshëm (vaxhib), të cilin nëse dikush nuk e respekton bën mëkat.

Ndërsa sa i përket bashkimit të namazeve (xhem’i) mendimi i këtij medhhebi është se ky bashkim lejohet vetëm në Arefat drekën dhe ikindinë në kohë të drekës dhe akshamin me jacinë në Muzdelife në kohë të jacisë dhe atë ekskluzivisht gjatë kohës së haxhxhit.

Ndërkaq, në situata të tjera kjo nuk lejohet. Në bazë të çkahit Ebu Hanife i ka shqiptuar këto qëndrime? Kjo do të jetë tema e ekspozeut tonë. Argumentet në obligueshmërinë (vaxhib) e shkurtimit të namazit të udhëtarit janë:

1. Ajeti kur’anor:

وَ إِذَا ضَرَبْتُمْ فِي الْأَرْضِ فَلَيْسَ عَلَيْكُمْ جُناَحٌ أَنْ تَقْصُرُوا مِنَ الصَّلَوةِ إِنْ خِفْتُمْ أَنْ يَفْتِنَكُمُ الَّذِينَ كَفَرُوا إِنَّ الْكاَفِرِينَ كاَنُوا لَكُمْ عَدُواًّ مُبِيناً .

“Kur të jeni në udhëtim e sipër, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frikoheni se jobesimtarët do të ju sjellin ndonjë të keqe. Jobesimtarët janë armiq juaj të hapët.” (En-Nisa’, 101).

1 – Praktika e Pejgamberit të Allahut është se në të gjitha udhëtimet e ka shkurtuar namazin. Nuk ka asnjë argument të saktë se Alejhiselami ndonjëherë në e ka plotësuar namazin katër rekatesh gjatë udhëtimit. Kurse vazhdimësia e Pejgamberit a.s. në të dëshmon se ajo është obligim. Po mos të ishte fjala për obligueshmëri të shkurtimit, Alejhisselami së paku ndonjë herë gjatë udhëtimit do ta kishte falur të plotë namazin (katër rekatesh). Gjithmonë e ka praktikuar që besimtarëve me shembull t’ua demonstrojë që diçka është obligim apo sunnet. Transmetohet hadithi nga Ibni Omeri i cili ka thënë: “Në shoqërimin tim me Muhammedin a.s. kamë vërejtur se gjatë rrugës asnjëherë nuk i ka falur më tepër se dy rekate, kështu kanë vepruar edhe Ebu Bekri, Omeri dhe Osmani r.a.”
(Muttefekun alejhi -Buhariu dhe Muslimi)

2 – Hadithi të cilin e transmeton Aisheja r.a., gruaja e Pejgamberit a.s.: “Namazi në fillim është urdhëruar nga dy rekate, e pastaj u urdhëruan namazet katër rekateshe, kurse namazi i udhëtarit u la sikurse namazi në formën fillestare”
(Ahmedi dhe Buhariu – ekziston pajtueshmëri mbi saktësinë e këtij hadithi)

3-Transmetimi nga Ibni Omeri, i cili ka thënë: “Namazi i udhëtarit është dy rekate, namazi i bajramit është dy rekate, namazi i bajramit të ramazanit është dy rekate, namazi i xhumasë dy rekate, pa shkurtesë, kjo është shqiptuar nga gjuha e Muhammedit a.s.”
(Ahmedi, Nesaiu dhe Ibni Maxhe)

4-Transmetohet se Ibni Omeri ka thënë: “Kur na ka ardhur Pejgamberi a.s. vërtet kemi qenë në lajthitje dhe ai na ka mësuar. Ndër të tjera, na ka mësuar edhe atë se Allahu i madhërishëm na ka urdhëruar të falim namaz, kur jemi në rrugë nga dy rekate”.
(En-Nesai)

Ndalimin e bashkimit të namazeve medhhebi hanefij e mbështet në argumentet vijuese:

1-Hadithet me të cilat janë të vërtetuara kohët e namazit janë me transmetime mutevatir. Ndërrimi i kohës së një namazi mund të bëhet vetëm nëse kjo dëshmohet me hadith me transmetim të rangut të njëjtë – mutevatir.

2-Ebu Davudi transmeton hadithin në të cilin Ibn Omeri r.a. njofton se Muhammedi a.s. asnjëherë në rrugë nuk e ka bashkuar akshamin me jacinë përveç njëherë. Gjithashtu transmetimi i Ibni Mes’udit r.a. i cili ka thënë: “Pasha Allahun, Muhammedi a.s. asnjëherë nuk e ka falur namazin jashtë kohës së tij përveç dy namazeve që i ka bashkuar në Arefat (drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Muzdelife gjatë kohës së kryerjes së haxhit).
(Buhariu dhe Muslimi)

Këto janë argumentet mbi të cilat Ebu Hanife e themelon qëndrimin e tij mbi çështjet e përmendura. Kjo nuk do të thotë se dijetarët e medhhebeve të tjera nuk disponojnë me argumente ku i themelojnë qëndrimet e tyre të cilat janë të ndryshme nga ato të Ebu Hanifes. Ata që dëshirojnë të merren me këtë problematikë mund të kthehen në vepra kapitale, në të cilat flitet mbi këto tema. Është me rëndësi të përmendet se secili muxhtehid meriton shpërblim nga Allahu xh.sh. për mundin e studimit të tij, qoftë edhe nëse ka shprehur qëndrim që nuk është i drejtë ka një shpërblim, e nëse ka studim të drejtë i ka dy shpërblime. Kurse neve Allahu xh.sh. na ka urdhëruar t’i pyesim dijetarët mbi gjërat që nuk i dijmë:
فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لاَ تَعْلَمُونَ …

“ … pyetni pra dijetarët, nëse ju nuk dini” (En-Nahl, 43.)

ياَ أَيُّهاَ الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللهَ وَ أَطِيعُوا الرَّسُولَ وَ أُوليِ الأَمْرِ مِنْكُمْ …

“O ju që besuat, bindjuni Allahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësit nga ju…” (En-Nisa, 59.)

Nëse iu kthehemi këtyre rekomandimeve të Zotit, shpresojmë se në mes të muslimanëve do të kthehet harmonia dhe pajtimi dhe nuk do të ketë shumë divergjenca dhe ndarje. Sepse deri te divergjencat, ndarja dhe coptimi vjen kur me fe dhe me çështjet fetare fillojnë të merren ata që për të nuk janë të aftë. Te ne ka patur dukuri, ende aktuale në disa vende, kur disa që patën filluar ta lexojnë përkthimin e Kur’anit dhe përkthimin përmbledhjeve të “Buhariut” dhe “Rijadu-s-salihin”, menduan se i kishin përvetësuar të gjitha shkencat islame dhe paraqiten si muxhtehidë. Allahu ua faltë nëse këtë e kanë bërë nga mosdija.

Hapi tjetër ishte t’i vizitojnë imamët dhe ua shtronin gati të njëjtat pyetje duke i testuar kështu cili imam di më shumë, e pastaj krejt këtë e kanë krahasuar me “diturinë e tyre” të përvetësuar nga ato (pak) vepra që i kanë lexuar. Edhe pse e dijmë se në edukatën (bontonin) islam bën pjesë ajo se nuk duhet të bëjmë pyetje për ato gjëra që i dijmë nga dëshira vetëm për të verifikuar diturinë e dikujt.

Kështu u patën formuar grupe të ndryshme dhe u qenë shkaktuar çrregullime të mëdha për unitetin e muslimanëve. Shumica prej tyre as që kanë dëgjuar për shkencën e quajtur “usuli fikh”, e lere më të kenë lexuar diç për të. Kurse pa atë shkencë nuk i lejohet askujt të mundohet të interpretojë dhe të nxjerrë dispozita islame. Le të jetë kjo një përpjekje modeste për vendosjen e gjërave në vendin e vet. Trashëgimia e madhe e fikhut nuk guxon të lëhet pas dore.

Roli i muxhtehidëve, e veçmas i themeluesve të medhhebeve të fikhut ka qenë t’ua përpunojnë dhe thjeshtojnë dispozitat besimtarëve dhe kjo në një masë të madhe është bërë. Pa këtë angazhim muslimanët e sotit në bazë të burimeve të Islamit nuk do të mundnin të vendosnin dispozita prej fillimit. Me gjithë vërejtjen se dyert e ixhtihadit janë të hapura, por ato vetëm për muxhtehidë. Ata që e arrijnë gradën e ixhtihadit drejtpërdrejt nga Kur’ani dhe Sunneti mund të nxjerrin dispozita si dhe të gjejnë zgjidhje për situatat e reja.

Ekzistimi i medhhebit në këtë kuptim është begati për ummetin, e kursesi shkak për ndarje e copëtim. Medhhebet kanë ekzistuar edhe në kohën e Umevijëve, Abasijëve dhe Osmanlinjve, andaj prezenca e tyre nuk e ka dobësuar forcën e shtetit islam. Ndërkaq sot, kur nuk ka shtet islam, nuk ka respekt të medhhebit, ekzistojnë mijëra mendime, ekziston kritika dhe gjykimi i themeluesve të medhhebeve.

Secili e ka interpretimin e vet! Sipas neve njëri prej potezave për shpëtim nga anarkia në aspektin fetar të cilën aktualisht muslimanët janë duke e përjetuar është kthimi i respektit të medhhebeve dhe t’u lehet vetëm muxhtehidëve marrja me çështjet e fesë, sidomos ato çështje të cilat muxhtehidët e mëparshëm nuk i kanë zgjidhur për arsye se ato nuk kanë ekzistuar në kohën e tyre.

Pastaj të mos harxhohet energjia për studim dhe shqyrtim të atyre mes’eleve- çështjeve të fikhut, të cilat janë zgjidhur para më tepër se një mijë vjet. Në këtë kuptim e përmbajmë vështrimin kritik të dijetarëve tonë të njohur ndaj institucioneve arsimore islame të botës së sotme, të cilat në të shumtën e rasteve u japin mundësi studentëve që të njoftohen vetëm me çështje jo të rëndësishme të fikhut. P.sh. është i shpesht rasti kur studentët doktorojnë nga temat e fikhut të hajzit dhe nifasit apo në hulumtimin e senedit nga lëmia e hadithit. Më në fund ka ardhur momenti që t’i hyhet Islamit si një tërësi.

_________________
Pjesë nga libri: “Medh’hebet në islam – novatori apo domosdoshmëri, Prizren, 2000, boton KBI-Prizren. Verzioni elektronik.”

Autor:
Fikret Aranut

Përktheu:
Miftar Ajdini