salah-hiba-1068x712

NAMAZI I NATËS DHE NAMAZI I TERAVIVE

  1. Fjala ‘Kijamul lejl’[1] do të thotë zgjohet natën për t’u falur, para se të bjerë në gjumë ose pasi të zgjohet nga gjumi.

Kurse fjala ‘Et-tehexhud’ është namazi që falet natën pasi zgjohet nga gjumi.

‘Hexhede er-rexhulu’ do të thotë fle natën.

Fjala ‘Hexhede’ do të thotë falet natën.

Kurse ‘El-Mutehexhid’ është ai që zgjohet nga gjumi natën për t’u falur.[2]

  1. Namazi i natës është sunet i vërtetuar (i fortë), i vërtetuar me Kuran, me Sunet dhe me unitetin e umetit.

Allahu, kur i përshkruan cilësitë e robërve të të Gjithëmëshirshmit, thotë: “…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë;” (El-Furkan: 64)

Allahu në Kuran i lavdëroi të devotshmit me fjalët e Tij: “Pa dyshim, ata që i frikësohen Allahut, do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë kanë qenë punëmbarë. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 15-18)

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

“A mund të krahasohet ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij (me jobesimtarin)?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Ez-Zumer: 9)

Ka edhe shumë ajete të tjera ku në to Allahu i lavdëroi të devotshmit.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Agjërimi më i mirë pas agjërimit të Ramazanit, është agjërimi i muajit Muharrem. Namazi më i mirë pas namazit farz, është namazi i natës.”[3]

  1. Disa dijetarë, bazuar në hadithin e lartpërmendur, thanë që namazi i natës, në mënyrë absolute, është namazi më i vlefshëm pas namazit farz. Në anën tjetër, shumica e dijetarëve thanë që namazi i natës është namazi më i vlefshëm pas namazit farz dhe pas suneteve të vazhdueshme (të forta që falen para dhe pas namazit farz), ndërsa për hadithin e lartpërmendur thanë që për qëllim është se namazi i natës është më i mirë se çdo namaz vullnetar i përgjithshëm, pa i përfshirë këtu sunetet e vazhdueshme.

Dijetarët janë unikë se namazi vullnetar gjatë natës është më i vlefshëm se namazi vullnetar gjatë ditës. Po ashtu, istigfari (kërkimfalja) në kohën e agimit është më i vlefshëm se në kohët e tjera.

  1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e fusin njeriun në Xhenet dhe i ngrihen shkallët në të. Pejgamberi ﷺ thotë: “Në Xhenet ka dhoma, pjesa e jashtme e tyre duket nga brenda dhe pjesa e brendshme e tyre duket nga jashtë… Allahu i ka përgatitur për atë që flet mirë, jep ushqim, agjëron dhe falet natën kur njerëzit janë në gjumë.”[4]

Fjalët e para që Pejgamberi ﷺ i tha kur hyri në Medine ishin: “O ju njerëz, përhapeni selamin, jepni ushqim, faluni natën kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni me paqe në Xhenet.”[5]

  1. Namazi i natës është një nga shkaqet që e shpëtojnë njeriun nga ndëshkimi i zjarrit.

Rrëfehet për Abdullah ibën Omerin k se kishte parë në ëndërr dy melekë që e morën dhe e çuan te zjarri. Abdullahu filloi të thoshte: “Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga zjarri!” Më pas Abdullahu thotë që e takuam edhe një melek tjetër, i cili më tha: “Mos u friko, nuk do të dëmtohesh.” Kur i treguan Pejgamberit ﷺ për ëndrrën tha: “Sa njeri i mirë që është Abdullah ibën Omeri, sikur të falej edhe natën.” Pas kësaj Abdullah ibën Omeri më nuk flinte natën, përveçse pak.[6]

Dijetarët thonë: “Nga dobitë e hadithit është paraqitja e vlerës së namazit të natës dhe ai është shkak që njeriun e shpëton nga zjarri.

Abdullah ibën Omerit i thanë: ‘Mos u friko, nuk do të dëmtohesh’, për shkak se ishte njeri i mirë dhe punëmirë, përveçse nuk falte namaz nate shumë; e sikur të falej natën, nuk do ta çonin te zjarri dhe s’kishte për ta parë atë.

Prej atëherë që Abdullahu e pa në ëndërr se si dukej zjarri i Xhehenemit, nuk e la më namazin e natës.

Po ashtu, nga dobitë e hadithit është se ai që falet natën përshkruhet si ‘burrë i mirë’.”[7]

  1. Namazi i natës është praktikë e njerëzve të mirë, zakoni dhe emblema e të devotshmëve, medreseja e besimtarit dhe Xheneti i tij në dynja.

Allahu në Kuran i lavdëroi robërit e Tij të devotshëm me fjalët: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

“Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

“…dhe ata që e kalojnë natën duke iu falur Zotit të tyre në sexhde dhe në këmbë.” (El-Furkan: 64)

Pejgamberi ﷺ thotë: “Faleni namazin e natës, sepse ai është praktikë e njerëzve të mirë para jush, shkak që t’i afroheni Zotit tuaj dhe që t’ju falen mëkatet. Namazi i natës e ndalon të keqen dhe e largon sëmundjen prej trupit.”[8]

  1. Prishja e gjumit, braktisja e shtratit të ngrohtë dhe ngritja për namazin e natës janë sebepe që Allahu ta dojë robin dhe ta lavdërojë veprën e tij.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Zoti ynë çuditet me dy persona: Njeriu që ngrihet prej shtratit dhe familjes e shkon në namaz. Atëherë Allahu thotë: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim si është ngritur për namaz, e ka lënë shtratin dhe familjen dhe ka ardhur në namaz, nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë’.

Dhe me tjetrin që doli të luftonte në rrugë të Allahut, bashkëluftëtarët e tij e humbën betejën, ndërsa ky mbeti të vendoste në mes ikjes dhe qëndrimit, e dinte shpërblimin e çdonjërës vepër, prandaj u kthye në betejë derisa u derdh gjaku i tij. Allahu u tha melekëve: ‘O ju melekët e Mi, shikojeni robin Tim, u kthye nga dëshira dhe malli që ta fitojë atë që është tek Unë, derisa u derdh gjaku i tij’.”[9]

I pari prej tyre e la shtratin për Allahun, i dha përparësi veprës që e do Allahu para veprës që e do shpirti i tij, u ngrit dhe i radhiti këmbët për namaz për Zotin e tij, e shpërblimi ishte përjetësi në kopshtet e begata të Xhenetit, ashtu siç Allahu thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre me frikë e shpresë dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne. Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ta (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë.” (Es-Sexhde: 16-17)

Muhamed El-Kuredhij, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ata e fshehën veprën (u falën natën kur nuk i shihte askush) dhe si shpërblim Allahu e fshehu për ata sevapin (në jetën tjetër). U ngritën natën, e synuan Allahun, andaj u gëzuan sytë dhe shpirtrat e tyre.”[10]

Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Medito se si Allahu i shpërbleu për fshehjen e namazit të natës; me shpërblime që askush nuk di se çfarë janë fshehur për ata (në jetën tjetër). Dhe medito se si Allahu i shpërbleu për mërzinë, frikën dhe mallëngjimin që e kishin në shtrat dhe zgjoheshin për namaz nate; i shpërbleu me gëzimin e syve dhe shpirtrave të tyre në Xhenet.”[11]

Ai që natën e prish gjumin dhe e lë shtratin e ngrohtë është nga të devotshmit që për ta Allahu thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

  1. Namazi i natës është nder për besimtarin, shkak për ngritjen e pozitës së tij.

Përcillet me një hadith se i erdhi një ditë Xhibrili Pejgamberit ﷺ dhe i tha: “O Muhamed, dije se lartësimi i besimtarit arrihet me namazin e natës dhe krenaria e tij është duke mos pasur nevojë për njerëzit.”[12]

  1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është thesar i madh, nga leximi i tij privohen veç i shkujdesuri.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i lexon dhjetë ajete në namazin e natës, nuk shkruhet nga të pakujdesshmit; kush i lexon njëqind ajete në namazin e natës, shkruhet nga të devotshmit; kush i lexon një mijë ajete në namazin e natës shkruhet nga pronarët me pasuri të panumërt.”[13]

Pejgamberi ﷺ u tha shokëve të tij: “A dëshironi që kur të ktheheni te familjet tuaja t’i gjeni tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha?” I thanë: “Po.” Ai u tha: “Kush i lexon në namaz tri ajete, për të janë më të mira se tri deve me bark (shtatzëna), të mëdha dhe të shëndosha.”[14]

  1. Leximi i Kuranit në namazin e natës është mirësi e madhe, myslimanët njëri me tjetrin duhet që të garojnë në këtë fushë, si dhe t’ua kenë lakminë atyre që e lexojnë.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Zilia nuk lejohet, përveç në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu që Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe gjatë ditës. Dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i dha pasuri dhe atë e shpenzon në rrugë të drejtë gjatë ditës dhe gjatë natës.”[15]

Zilia e përmendur në këtë hadith nuk e ka për qëllim zilinë që ndalohet, sepse ai lakmon t’i posedojë ato begati sikurse tjetri dhe të veprojë me to sikurse vepron tjetri, por nuk e dëshiron largimin e tyre prej pronarit. Kjo lloj zilie është e pëlqyer në fushën e ibadetit. Kurse, zilia e cila ndalohet është ajo kur njeriu e dëshiron largimin e begative nga tjetri dhe zhdukjen e tyre. Kuptimi i përgjithshëm është që nuk ka zili që pëlqehet, përveç këtyre dy cilësive dhe të ngjashmeve me to në kuptim.[16]

  1. Namazi i natës është një nga format e falënderimit të Allahut për mirësinë trupore që ia dha njeriut.

Pejgamberi ﷺ falej natën derisa i ënjteshin këmbët e tij, e i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Allahu t’i ka falur të gjitha gjynahet e mëhershme dhe të mëvonshme!” Tha: “A të mos jem rob falënderues?!”[17]

Në Pejgamberin e Allahut ﷺ ne e kemi shëmbëlltyrën më të mirë.

Abdullah ibën Revaha h për Pejgamberin e Allahut tha:

“Në mesin tonë e kemi Pejgamberin e Allahut, na lexon librin e Allahut;

Kur çelet dita në agim me shkëlqimin e saj;

Ai na e mësoi udhëzimin me të pasi ishim të verbër;

Zemrat të bindura plotësisht se atë që e tregon (Pejgamberi ﷺ) është e vërtetë dhe do të ndodhë;

Kalon natën dhe trupi i tij nuk e prek shtratin;

Kur jobesimtarët në shtrat thellohen në gjumë.”[18]

  1. Namazi i natës fillon pas namazit të jacisë e deri në lindjen e sabahut (imsakut). Namazi i natës lejohet të falet në fillim, në mes ose në fund të natës.

Koha më e mirë për namaz është pjesa e tretë e natës. Në këtë kohë zbret Allahu në qiellin e dynjasë.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Koha, kur Zoti është më afër robit të Tij, është në pjesën e fundit të natës. Nëse ke mundësi të jesh nga ata që e përmendin Allahun në këtë kohë, bëhu prej tyre.”[19]

Me një hadith tjetër: “Namazi më i dashur për Allahun është namazi i Davudit ndhe agjërimi më i dashur për Allahun është agjërimi i Davudit n. Ai flinte në gjysmën e parë të natës, falej në një të tretën tjetër dhe përsëri flinte në një të gjashtën që mbetej nga nata. Agjërimi i tij ishte një ditë po dhe një ditë jo.”[20]

Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[21]

  1. Namazi i natës nuk ka numër të kufizuar të rekateve, mund të falen më shumë ose më pak, edhe pse shkurtimi në njëmbëdhjetë rekate është më i mirë, nga fakti që kështu veproi Pejgamberi ﷺ .

Pejgamberi ﷺ thotë: “Namazi i natës është dy nga dy. Nëse dikush nga ju frikësohet për humbjen e namazit të sabahut, le ta falë vitrin një rekat, që t’i përfundojë me tek namazet që i ka falur gjatë ditës.”[22]

Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ në Ramazan dhe jashtë Ramazanit, në namazin e natës nuk shtonte më shumë se njëmbëdhjetë rekate.[23]

  1. Myslimani, para se të bjerë të flejë, është mirë që ta bëjë nijetin të zgjohet natën për t’u falur. Nijeti i tij duhet të jetë i prerë dhe i vendosur, ndërsa për gjumin që e bën ta bëjë nijetin të forcohet për ibadet, që ta fitojë shpërblimin e gjumit dhe të namazit të natës.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush e ka zakon të zgjohet për namazin e natës, por e zë gjumi (ndonjë natë), Allahu ia shkruan atij shpërblimin e namazit (sikurse të kishte falur), kurse gjumi i tij i shkruhet lëmoshë.”[24]

  1. Për atë që zgjohet natën për t’u falur pëlqehet:

– Të fërkojë me duar fytyrën që ta largojë gjumin.

– T’i lexojë lutjet e zgjimit nga gjumi.

– Ta përdorë misvakun.

– T’i lexojë ajetet e fundit të sures Ali Imran: “Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët…” e deri në fund të sures (Ali Imran: 190-200).

– Namazin ta hapë me faljen e dy rekateve të lehta, e pastaj të falet sa të dojë dhe pas faljes së çdo dy rekateve të japë selam.

– Namazin ta përfundojë me faljen e vitrit. Falja e vitrit në fund të natës është më mirë.

  1. Sipas disa dijetarëve, namazi në të cilin qëndrohet më gjatë në këmbë, është më i mirë se namazi ku në të qëndrohet më gjatë në ruku dhe sexhde dhe numri i rekateve është më i madh. Për bazë e marrin hadithin: “Namazi më i mirë është ai namaz në të cilin qëndrohet gjatë në këmbë.”[25]

Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, mendon se qëndrimi i gjatë në këmbë, në ruku dhe në sexhde në namaz është më i mirë se namazi që ka më shumë rekate, ruku dhe sexhde. Po ashtu, tha që sexhdja është më e mirë se qëndrimi në këmbë.[26]

Ndoshta më afër së vërtetës është që kjo çështje varet nga gjendja e namazfalësit, andaj secili le të falet sipas ambicies dhe vitalitetit të tij, përuljes dhe kënaqësisë që e ndien në namaz, mundësisë dhe takatit që Allahu ia jep për namaz. Kush e zgjat qëndrimin në këmbë, le ta zgjasë rukunë dhe sexhden. Kush e shkurton qëndrimin në këmbë, le ta shkurtojë rukunë dhe sexhden. Kush i ndryshon mënyrat herë pas here dhe falet herë ashtu e herë ashtu, kjo është më e mirë.

  1. Nga rregullat e leximit të Kuranit në namazin e natës janë:

Pëlqehet që Kuranin ta lexojë rrjedhshëm dhe ngadalë që kjo t’i ndihmojë në kuptimin dhe përsiatjen e tij, të kujdeset për rregullat e texhvidit dhe të leximit, ta zbukurojë zërin gjatë leximit, të mos e ngrejë zërin shumë e as të mos e ulë shumë, por niveli i zërit të jetë mesatar.

Gjatë leximit të ndalet te kuptimi i ajeteve, t’i lexojë me përulje, t’i rrënqethet lëkura gjatë dëgjimit të tyre dhe t’i lotojnë sytë nga ndikimi i tyre në zemrën e tij.

Gjatë leximit të ndalet tek ajetet dhe t’i meditojë; kur të kalojë tek ajeti ku përmendet lavdërimi i Allahut, pëlqehet të thotë subhanallah, kur të kalojë tek ajeti ku përmendet mëshira, pëlqehet të ndalet dhe ta kërkojë mirësinë nga Allahu. Kur të kalojë tek ajeti ku kërkohet mbrojtje ose tek ajeti ku përmendet ndëshkimi i Allahut, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut. Tek ajetet ku përmenden begatitë e Allahut dhe Xheneti, pëlqehet t’i kërkojë ato nga Allahu, ndërsa tek ajetet e ndëshkimit dhe zjarrit, pëlqehet të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga zjarri i Xhehenemit.

Nuk ka pengesë për besimtarin i cili nuk është hafëz që të lexojë nga mus’hafi në namaz.

  1. Pëlqehet, për atë që zgjohet për t’u falur natën, ta zgjojë gruan e vet për namaz dhe, po ashtu, gruaja ta zgjojë burrin e saj për namaz e, nëse jo për namaz nate, burri le ta zgjojë gruan për ta falur vitrin.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Allahu e mëshiroftë burrin që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon gruan e vet dhe ajo falet e, nëse ajo refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë. Allahu e mëshiroftë gruan që ngrihet natën për t’u falur, pastaj e zgjon burrin e saj dhe ai falet e, nëse ai refuzon të ngrihet, e stërpik me ujë në fytyrë.”[27]

Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz dhe e zgjon gruan e vet, i falin nga dy rekate, të dy shkruhen nga ata dhe ato që shumë e përmendin Allahun.”[28]

Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ falej natën, pasi e falte vitrin, më zgjonte nga gjumi dhe më thoshte: “Zgjohu Aishe dhe fale vitrin.”[29]

  1. Nuk ka pengesë nganjëherë që namazi i natës të falet me xhemat jashtë Ramazanit. Pejgamberi ﷺ e fali një herë bashkë me Ibën Abasin, e një herë me Ibën Mesudin, e një herë tjetër me Hudhejfen, në shtëpinë e vet. Megjithatë namazin e natës me xhemat nuk e veproi vazhdimisht, por herë pas here, si dhe nuk e falte në xhami, prandaj nuk llogaritet që është sunet i vazhdueshëm, por, nëse falet ndonjëherë, nuk është problem.[30]
  2. Kush ndien që i flihet në namaz, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi.

Pejgamberi ﷺ tha: “Kur ndonjëri nga ju është duke u falur dhe atij i flihet, le (të dalë nga namazi) të shtrihet që të flejë derisa t’i largohet gjumi, sepse, nëse ndonjëri nga ju falet i përgjumur, në vend se të kërkojë falje për veten e tij, ndodh që të lutet kundër vetes së tij.”[31]

Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën për namaz, (dhe për shkak që i flihet) lexon Kuran me paqartësi dhe nuk e di se çfarë lexon, le të shtrihet që të flejë.”[32]

Me një hadith tjetër: “Kur të jeni aktivë, faluni, kurse, kur të ndieni plogështi dhe lodhje, pushoni.”[33]

  1. Pëlqehet të shpeshtohen lutjet dhe istigfari (kërkimfalja) gjatë tërë natës e, në veçanti, në pjesën e tretë të natës, ndërsa koha më e mirë për istigfar është në agim.

Allahu thotë: “…dhe që kërkojnë faljen e gjynaheve para agimit.” (Ali Imran: 17)

Dhe thotë: “Ata flinin pak natën, ndërsa në agim kërkonin falje (nga Allahu).” (Edh-Dharijat: 17-18)

Pejgamberi ﷺ thotë: “Natën është një kohë, nëse myslimani ia qëllon dhe e lut Allahun në këtë kohë për mirësi nga çështja e dynjasë dhe e ahiretit, vetëm se do t’i jepet atij. Kjo kohë është për çdo natë.”[34]

Me një hadith tjetër: “Zbret Allahu i Madhërishëm për çdo natë në qiellin e dynjasë kur mbetet një e treta e fundit prej saj dhe thotë: “Kush më lutet që t’i përgjigjem? Kush kërkon prej Meje që t’i jap? Kush kërkon falje që ta fal atë?”[35]

  1. Për atë që dëshiron të zgjohet për t’u falur, pëlqehet që kjo vepër e tij të jetë e vazhdueshme dhe pa ndërprerje. Ai duhet t’i mendojë dhe krahasojë mirë rrethanat e tij që ta shohë se sa mund të falet gjatë natës, kështu që namazi i tij të jetë i vazhdueshëm dhe mos ta braktisë më asnjëherë deri në fund të jetës së tij, përveç në raste domosdoshmërie. Bile, kur është me takat më të fortë, të shtojë më shumë, kurse, kur është me angazhime, të pakësojë nga namazi. Nëse i ikën namazi i natës, preferohet që ta kompensojë.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Veproni sa të mundeni, sepse Allahu nuk lodhet (duke ju shpërblyer) derisa ju nuk lodheni dhe mërziteni (të punoni). Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që nuk ndalet, edhe nëse është e vogël.”[36]

Aisha i përcjell që Pejgamberi ﷺ kur e bënte një vepër të mirë, e përforconte atë (nuk e braktiste atë). Nëse nuk zgjohej natën ose sëmurej, namazin e natës e kompensonte gjatë ditës me faljen e dymbëdhjetë rekateve.”[37]

Pejgamberi ﷺ thotë: “Atë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet për ta lexuar pjesën e caktuar të Kuranit (që e lexon rregullisht), ose një pjesë të tij, pastaj atë e lexon në mes namazit të sabahut dhe namazit të drekës, i shkruhet atij sikurse ta ketë lexuar natën.”[38]

Pejgamberi ﷺ e porositi Abdullah ibën Amru h dhe i tha: “O Abdullah, mos u bëj si filani i cili ngrihej natën e pastaj e braktisi namazin e natës.”[39]

  1. Nga shkaqet që ndihmojnë të zgjohemi natën për namaz janë: nijeti dhe vendosmëria e prerë, gjumi i hershëm, mosteprimi me ushqim para gjumit, moslodhja e tepërt me punë të rënda të padobishme gjatë ditës, bërja gjumë pas namazit të drekës (kajlule), respektimi i etikës së gjumit, si: marrja e abdesit para gjumit, bërja e lutjeve të gjumit, rikujtimi i vlerës së namazit të natës dhe i atyre që falen natën për pozitën që e fitojnë tek Allahu, rikujtimi i armiqësisë së shejtanit kundrejt njeriut dhe përpjekja e tij që ta pengojë njeriun të zgjohet për namaz nate, leximi i historisë së lavdishme të të parëve tanë të ndershëm dhe njerëzve të mirë që e kishin në raport me namazin e natës.
  2. Namazi i teravive, në fakt, është namazi i natës në Ramazan. Është quajtur me këtë emër ‘teravi’ (fjalë arabe që d.m.th. pushim, rehati), sepse kur u grumbulluan herën e parë për ta falur në kohën e Omerit h pushonin disa çaste pas çdo dy rekateve, ose pas katër rekateve, për shkak se e zgjatnin namazin dhe lexonin gjatë Kuran në namaz.
  3. Namazi i teravive është sunet, e veproi Pejgamberi ﷺ e vepruan sahabët, dhe pas tyre këtë traditë e vazhdoi umeti brez pas brezi.
  4. Shpërblimi për faljen e namazit të teravive është i madh dhe është shkak për faljen e gjynaheve. Vlera e tij vërtetohet edhe më shumë në dhjetëshin e fundit ku preferohet të falet që të kërkohet Nata e Kadrit.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[40]

Me një hadith tjetër: “Kush ngrihet natën e Kadrit me besim dhe llogarit në shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet e mëhershme.”[41]

“Me besim” d.m.th. me bindje të plotë që kjo është e vërtetë dhe adhurim dhe se Allahu është Ai që e bëri të ligjshëm agjërimin dhe namazin e natës dhe nxiti për në ta.

“Llogarit në shpërblimin e Allahut” d.m.th. e kërkon shpërblimin nga Allahu, prandaj me vullnet agjëron dhe falet natën dhe e shpreson shpërblimin e Allahut, me shpirtmirësi dhe kënaqësi në shpirt, nuk e llogarit të rëndë dhe të mundimshëm agjërimin dhe namazin e tij dhe ato i kryen me sinqeritet vetëm për Allahun.

  1. Ata që shkojnë në umre gjatë Ramazanit, është mirë të përkujdesen që mos t’u ikën namazi i natës dhe namazi i teravive në Qabe dhe në xhaminë e Pejgamberit ﷺ në Medine. Falja e namazit në këto dy xhami është e shumëfishuar.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Falja e namazit në xhaminë time është më e vlefshme se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç namazit në Qabe. Falja e namazit në Qabe është më e vlefshme se njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera.”[42]

  1. Dijetari Ibën Rexheb, Allahu e mëshiroftë, tha: “Në muajin Ramazan besimtari ballafaqohet me dy lloje të xhihadit (përpjekjes): xhihadit gjatë ditës me agjërim dhe xhihadit gjatë natës me namaz nate.

Ai që i bashkon këto dy lloje të xhihadit (përpjekjes), ua jep hakun dhe bën durim në to, e merr shpërblimin e tij pa masë.”[43]

  1. Teravitë lejohet të falen në shtëpi, sepse janë sunet. Po ashtu, lejohet të falen në xhami dhe falja e tyre me xhemat është më e vlefshme. Në këtë mënyrë myslimani e ndjek rrugën e Pejgamberit ﷺ dhe të sahabëve.
  2. Namazi i gruas në shtëpi është më i vlefshëm se namazi i saj në xhami, qoftë sunet apo farz, teravi apo ndonjë namaz tjetër. Mirëpo, nuk ka pengesë që ajo të shkojë në xhami me lejen e burrit të saj, me kusht që të mos dalë e zbukuruar dhe e parfumosur, të ketë siguri dhe të jetë e mbrojtur nga fitnetë.
  3. Grave u lejohet që të tubohen në një shtëpi për t’i falur teravitë. Njëra nga to del imam dhe u paraprin në namaz, ajo qëndron në mes të safit dhe nuk del përpara sikurse del imami te burrat. E ngre zërin në namaz sikurse e ngrenë zërin burrat në namazet me zë, por, me kusht që zëri i saj të mos dëgjohet nga burrat, përveç nëse janë mahremat e saj.
  4. Falja e njëmbëdhjetë rekateve në namazin e teravive është më e mirë. Kështu vepronte Pejgamberi ﷺ, por nuk ka pengesë që numri i tyre të shtohet. Çështja është e gjerë dhe ka hapësirë të veprohet.
  5. Ajo që e veprojnë disa imamë në namazin e teravive, duke u falur shumë shpejt, është e kundërta e asaj që e kërkon sheriati.

Nëse namazit i mungon qetësia dhe rehatia, rukuja dhe sexhdja kanë mangësi, atëherë namazi nuk pranohet.

  1. Ai që teravitë i fal në xhami, për të më e vlefshme është që t’i përfundojë bashkë me imamin dhe t’i shkruhet si të jetë falur tërë natën.

Pejgamberi ﷺ thotë: “Kush i fal teravitë me imam derisa t’i përfundojë, i shkruhet atij si të jetë falur tërë natën.”[44]

Nëse imamët ndërrohen në një xhami, njëri i fal disa rekate pastaj tjetri i vazhdon të tjerat, llogaritet si t’i kishte falur një imam.

  1. Pëlqehet që në fillim të çdo dy rekateve të teravive të lexohet duaja e hapjes së namazit[45], sepse çdo dy rekate janë namaz në vete dhe nuk lidhen me rekatet që falen para tyre. Lutja është e njëjtë, nuk dallon si në farz ashtu edhe në sunet.
  2. Nuk ka pengesë që imami të lexojë nga mus’hafi në namazin e teravive kurse, nëse dikush nga xhemati e përcjell imamin me mus’hafin në dorë, pa nevojë, më e mirë është të mos e bëjë këtë, sepse kjo i bëhet pengesë që të arrijë përuljen dhe t’i veprojë disa sunete të namazit.
  3. Nuk ka pengesë që të ketë më shumë se një imam dhe ata të ndërrohen, qoftë në Harem (Qabe) apo në xhamitë e tjera. Namazfalësi duhet t’u lidhet imamëve në namaz deri në fund, edhe pse ata ndërrohen në mes vete. Kur imamët janë më shumë në numër dhe ndërrohen për teravi, llogariten si të ishin një imam.[46]
  4. Kush dëshiron që vitrin ta falë në pjesën e fundit të natës, kur t’i falë teravitë me imamin, e bën nijetin që kur imami ta falë vitrin dhe të japë selam, të ngrihet vetë dhe ta falë edhe një rekat që numri i rekateve të jetë çift. Do të thotë që nuk e fal vitrin me imamin, por e fal atë vetë në pjesën e fundit të natës (edhe pse më e mira është që ta përfundojë namazin me imamin deri në fund).
  5. Ai që i fal teravitë dhe vitrin me imam, pastaj natën dëshiron që t’i falë edhe disa rekate shtesë, nuk është problem, mund të falet sa të dojë, nga dy rekate dhe vitrin nuk e përsërit.
  6. Kujt i ikën namazi i jacisë me xhemat, ndërkohë imami ka nisur t’i falë teravitë, i lejohet që t’i lidhet imamit me nijetin e jacisë. Kur imami jep selam pas dy rekateve, ai ngrihet i plotëson edhe dy rekate të tjera.
  7. Kujt i ikën namazi i teravive me xhemat, i lejohet t’i falë individualisht apo me xhemat tjetër.
  8. Falja e teravive në Qabe me imam është më e vlefshme sesa të bëhet tavaf vullnetar rreth Qabes në kohën e teravive; namazi i teravive e ka kohën e përkufizuar, me përfundimin e kohës përfundon edhe e falja e tyre, kurse tavafi mund të bëhet në çdo kohë.
  9. Kush është duke e bërë tavafin rreth Qabesë dhe në atë kohë fillojnë teravitë, le ta përfundojë tavafin, sepse teravitë janë sunet; në krahasim me namazin farz, ku domosdo duhet të ndërpritet tavafi dhe të falet namazi e, pas faljes së namazit, vazhdohet me tavafin aty ku është ndërprerë.
  10. Pëlqehet bërja e duasë së kunutit në namazin e vitrit. Imami dhe xhemati ligjërohet t’i ngrenë duart në lutjen e kunutit dhe t’i luten Allahut.
  11. Nuk ka ndalesë që të bëhet dua në teravi me rastin e përfundimit të hatmes së Kuranit. Në këtë rast imami e bën duanë në vitër, ndërsa xhemati e përcjell atë duke thënë amin (o Zot, pranoje lutjen). Shumë nga të parët tanë të mirë përcillet që e kanë vepruar këtë.
  12. Falja e teravive fillon natën e parë të Ramazanit, me pamjen e hënës së re, pra nata që i paraprin ditës së parë të Ramazanit.
  13. Natën e Bajramit nuk falet namazi i teravive, sepse teravitë ligjërohen në Ramazan e, kur të vërtetohet që muaji ka përfunduar, teravitë nuk falen. Ndërsa, ai që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, mund të falë namaz nate individualisht në shtëpinë e vet.
  14. Nuk lejohet që nata e Bajramit kundrejt netëve të tjera të veçohet me namaz nate, përveç atij që e ka pasur traditë të falë namaz nate jashtë Ramazanit, ai mund të ngrihet natën e Bajramit për t’u falur.

Kurse hadithet që kanë ardhur për ngjalljen e natës së Bajramit me ibadet, nuk janë të vërteta dhe nuk mund të merren si argument.

E lusim Allahun që të na e pranojë agjërimin, teravitë, leximin e Kuranit dhe të na ndihmojë në ibadetin ndaj Tij dhe të na bëjë nga fitimtarët e Ramazanit! Amin!

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve!

Dr. Muhamed Salih el-Munexhid

Pjesë e librit : “Udhërrëfyes për muajin e Ramazanit”

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

 

[1] Kijamul lejl dhe Et-Tehexhud janë fjalë arabe që për qëllim e kanë namazin e natës. (sh. p)

[2] Shih: Lisanul Arab, Ibën Mendhur (3/432), El-Mexhmua, imam Neveviu (4/43).

[3] Muslimi (1163).

[4] Tirmidhiu (2527), shejh Albani hadithin e vlerësoi të mirë.

[5] Tirmidhiu (2485), Ibën Maxhe (1234), shejh Albani e saktësoi në Es-Sahiha (569).

[6] Sahih El-Buharij (1121), Muslimi (2479).

[7] Sherh Sahih El-Buharij, Ibën Batali (3/111), Et-Teudih li sherh El-Xhami’ Es-Sahih, Ibën El-Mulekkin (9/27), Fet’hul Barij, Ibën Haxheri (3/6).

[8] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në El-Irva (452).

[9] Ibën Hibani (2557), Ebu Davud (2536) Xhumletul Gazij, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Talikat El-Hisan.

[10] Mustedrek El-Hakim (2/448), Ed-Dur El-Menthur, Sujutij (11/696).

[11] Hadij El-Ervah ila biladil Efrah (fq. 278).

[12] Hakimi (1/451), në zinxhirin e tij ka dobësi, shejh Albani e vlerësoi të mirë në Sahih El-Xhami’ (73).

[13] Ebu Davudi (1398), shejh Albani e saktësoi.

[14] Muslimi (102).

[15] Buhariu (7529), Muslimi (815).

[16] Shih: Sherh En-Nevevij ala sahih Muslim (6/97).

[17]  Buhariu (4836), Muslimi (2819).

[18] Buhariu (1155).

[19] Tirmidhiu (3579), Nesaiu (572), hadithi është në Sahih El-Xhami’ (1173).

[20] Buhariu (1131), Muslimi (1159).

[21] Buhariu (1145), Muslimi (758).

[22] Buhariu (990), Muslimi (749).

[23] Buhariu (1147), Muslimi (738).

[24] Nesaiu (1784), shejh Albani e saktësoi.

[25] Muslimi (756).

[26] Shih: Mexhmual Fetava (23/69, 71).

[27] Ebu Davudi (1308), Nesaiu (1601), Ibën Maxhe (1336), shejh Albani e saktësoi.

[28] Ebu Davudi (1451), Ibën Maxhe (1335), shejh Albani e saktësoi.

[29] Buhariu (512), Muslimi (744).

[30] Esh-Sherh El-Mumti’, Ibën Uthejmin (4/60).

[31] Buhariu (212), Muslimi (786).

[32] Muslimi (787).

[33] Buhariu (1150), Muslimi (784).

[34] Muslimi (757).

[35] Buhariu (1145), Muslimi (758).

[36] Buhariu (5862), Muslimi (782).

[37] Muslimi (746).

[38] Muslimi (747).

[39] Buhariu (1152), Muslimi (1159).

[40] Buhariu (37), Muslimi (760).

[41] Buhariu (2014), Muslimi (760).

[42] Imam Ahmedi (14847), shejh Albani e saktësoi në El-Irva (971).

[43] Letaif El-Mearif (fq. 171).

[44] Ebu Davudi (1375), Tirmidhiu (806), Nesaiu (1364), Ibën Maxhe (1327), shejh Albani e saktësoi.

[45] D.m.th. teravitë nëse i fal nga dy rekate, në fillim të çdo dy rekateve pëlqehet ta fillosh me ‘Subhaneke Allahume…’, pra, lutja e njohur që e bëjmë në fillim të namazit. (sh.p.)

[46] Fetava Ibën Uthejmin (14/190).