NATO ndërpret mbështetjen për autoritetet afgane

NATO njoftoi pezullimin e të gjithë mbështetjes për autoritetet afgane dhe bëri thirrje për “respektim të normave dhe standardeve ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare në të gjitha rrethanat”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s u takuan për të diskutuar “ngjarjet e rënda në Afganistan”, ndërsa pas takimi lëshuan një deklaratë të përbashkët duke u kërkuar autoriteteve në vendin e shkatërruar nga lufta të “respektojnë dhe lehtësojnë” largimin e sigurt dhe të rregullt të “qytetarëve tanë, shtetasve të vendeve partnere, si dhe afganëve në rrezik ”.

Ministrat gjithashtu u zotuan të mbajnë “koordinim të ngushtë operacional” gjatë përpjekjeve të evakuimit në aeroportin e Kabulit.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve në Afganistan të punojnë me mirëbesim për të krijuar një qeveri përfshirëse dhe përfaqësuese, përfshirë edhe me pjesëmarrjen kuptimplote të grave dhe grupeve të pakicave”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, në deklaratë nxiten autoritetet “të mbrojnë të drejtat e njeriut të të gjithë afganëve, veçanërisht grave, fëmijëve dhe pakicave” në vend.

Mbështetja e sundimit të ligjit dhe lejimi i qasjes së papenguar humanitare janë gjithashtu ndër detyrimet ndërkombëtare të Afganistanit, vunë në dukje ministrat.

Talebanët morën kontrollin e Afganistanit pasi morën Kabulin më 15 gusht, duke detyruar presidentin dhe zyrtarë të tjerë të lartë të largoheshin nga vendi.

Pushtimi i papritur ka shkaktuar një nxitim për të ikur nga Afganistani, përfshirë civilët që ndihmuan ushtarët ose grupet e huaja dhe tani kanë frikë nga hakmarrja e talebanëve.