Ka ndërruar jetë në moshën 110-vjeçare Abdurrazik Xhilgaf el-Berasi, bashkëluftëtar i Omer Muhtarit, njërit prej figurave heroike të rezistencës libiane gjatë periudhës së okupimit italian të Libisë, i cili njihej me nofkën “luani i shkretëtirës”.
Berasi, i cili i ishte bashkangjitur rezistencës anti-okupatore në moshë të re, ka ndërruar jetë në moshën 110-vjeçare në qytetin El-Bejda.
I lindur në vitin 1907 në qytetin libian El-Bejda, Berasi ishte pjesëtar i fisit Berasi dhe kishte marrëdhënie historike me familjen Senusi, prej nga vinte Idrisi I, i cili mori detyrën si mbreti i parë pas pavarësimit të Libisë në vitin 1951. Berasi ishte pozicionuar në anën e Omer Muhtarit në luftën kundër forcave okupatore të Libisë.
Omer Muhtar ishte kryesues i rezistencës ndaj italianëve në Libi. Ai vullnetarisht iu bashkëngjit rezistencës së filluar nën kryesimin e oficerëve osmanë dhe Ahmed esh-Sherif es-Senusit pas hyrjes së italianëve në Libi në vitin 1911.
Ndërkaq, pas largimit përfundimtar të qeverisjes osmane nga Libia, Muhtar filloi një lëvizje të re kundër politikave kolonialiste të fashistëve që erdhën në pushtet në Itali në vitin 1922, duke organizuar fiset në forca guerile, për t’u shkaktuar humbje të rënda forcave italiane. Rezistenca zgjati deri në vitin 1931.
Muhtar ra në duart e italianëve pasi u plagos në një përplasje më 11 shtator të vitit 1931, ndërsa pas gjykimit në një gjykatë ushtarake, në po të njëjtin vit u ekzekutua në Saluk.