renga është një gjendje e rëndë shpirtërore e cila formohet te njeriu në momentin kur ndodhet para një problemi të madh, të cilin mendon se nuk mund t’a zgjidhë. Kjo njëherësh është faza e parë e tronditjes psiqike që ndikon në strukturën e personalitetit.
Borxhi shkakton një gjendje të tendosur psikofizike tek njeriu. Nuk ka brengosje më të madhe për njeriun se borxhi, sepse nuk e lë të qetë as ditë as natë.
Tregohet se një herë Muhammedi, paqja dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, në xhami kishte takuar një njeri të quajtur Ebu Umame.
– Prej nga ti në xhami, pasi ende nuk është koha e namazit? E pyeti Muhammei a.s.
– Më kanë kapluar brengat dhe borxhet – u përgjigj Ebu Umame.
– A dëshiron të t’i mësojë disa fjalë, të cilat, kur t’i shqiptosh, do të të shpëtojnë nga brenga dhe t’i paguash borxhet tua? E pyeti Muhammedi a.s.
– Dëshirojë o i Dërguari i Zotit, tha Ebu Umame.
– Kur të zgjohesh dhe kur të biesh, thuaj:
“O Zot, po të lutem (të më mbrosh) nga brenga dhe pikëllimi, nga pamundësia dhe përtacia, nga koprracia dhe frika, nga ajo që të më pushtojë borxhi dhe të më mbisundojnë njerëzit!”
Ebu Umame më tutje rrëfen:
“Unë e thoja këtë dhe Zoti më shpëtoi nga brenga dhe lava borxhin”.
Nga rrëfimi i lartëpërmendur kuptohet se Muhammedi a.s. e udhëzoi Ebu Umamen t’i thotë fjalët e përmendura si lutje të sinqertë drejtuar Zotit të madhërishëm, për ta lehtësuar dhe liruar nga brenga dhe borxhi. Duhet theksuar se lutjet e Muhammedit a.s. nuk janë vetëm lutje të rëndomta, por në to shprehet realiteti, esenca e jetës dhe rruga e përkryerjes njerëzore.
Andaj, lutjet e të Dërguarit të Zotit duhet kuptuar, analizuar me themel, duke medituar rreth përmbajtjes së tyre dhe njëherit duke vepruar dhe jetuar sipas tyre.
Konkretisht, nëse analizojmë me vëmendje, Muhammedi a.s. nuk e ka mësuar kot njeriun e zhytur në borxh që t’i lutet Zotit të gjithfuqishëm për ta ruajtur nga përtacia dhe pasiviteti. Me këtë Muhammedi a.s. tërheqë vërejtjen se njeriu shpëton prej borxheve, brengave dhe peripetive jetësore me punë të vrullshme, të ndershme e të palodhshme dhe duke iu drejtuar Zotit të gjithmëshirshëm për ndihmë të vijueshme.
Nga thënja e cituar e Muhammedit a.s. e cila është tejet aktuale në kohën tonë kur shumica e njerëzve janë të zhytur në brenga dhe borxhe, kuptohet se në radhë të parë duhet t’i drejtohemi Zotit të madhërishëm me lutje të sinqertë, që buron nga zemra dhe shpirti, për të na shpëtuar nga brenga dhe dëshpërimi.
Dëshpërimi apo mërzia është faza e dytë e brengës. Është gjendje më e rëndë shpirtërore, me efekte të dukshme në sferën psiqike.
Dëshpërimi nëse nuk parandalohet mund ta kaplojë tërësisht njeriun, duke shkaktuar tek ai depression të thellë psiqik dhe duke paralizuar tërë aktivitetin e tij.
Shkenca bashkëkohore vërteton se depresionet e rënda psiqike shkaktojnë lirimin e substancave kancerogjene në sistemin nervor qëndror dhe favorizojnë sëmundjet kancerogjene si dhe rënjen e proceseve imunobiologjike.
Ilaçi më efikas kundër dëshpërimit sipas religjionit është durimi.
Besimtari në momentet më të vështira të jetës kur vihet në sprovë duhet të gjejë forcë për të bërë durim. Ai duhet ta bëjë durimin si shokun më të ngushtë, sepse Zoti është me durimtarët, siç bën aluzion verseti vijues i Kur’anit famëmadh:
Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve.
Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”!
Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë”.
(El Bekare, 155-157)
Dy veti të tjera negative, për të cilat duhet kërkuar mbrojtje nga Zoti, janë pasiviteti dhe përtacia.
Psaivitet do të thotë t’ia kthesh shpinën problemeve. Kjo është veti e dëmshme si për individin ashtu edhe për shoqërinë njerëzore. Në mjerimin tonë të tanishëm nuk kemi të drejtë të lavdërohemi me formën e dikurshme të islamit, porn e duhet të kuptojmë se pikërisht pasiviteti dhe koprracia e ka shkaktuar dekadencën tonë të tanishme, sepse islami nuk ka qenë kurrë pengesë e progresit, e punës dhe e shkencës.
Ai i çmon aktivitetet intelektuale të njeriut gjer në atë shkallë, sa që ato i vë mbi engjëjt.
Përtacia dhe pasiviteti janë pengesë e progresit njerëzor.
Çdo besimtar në zemrën e tij bart të gjitha mundësitë e suksesit apo të dështimit. Për këtë Zoti i madhërishëm thotë:
“atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi”
(El Bekare, 286)
“Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar”.
(En Nexhm, 39)
Fjala e Profetit a.s. e shprehë shumë bukur besimin e punës kur thotë:
“Pranë Muhammedit a.s. kaloi një njeri me nxitim. Shokët e Muhammedit a.s. thanë:
“ O i Dërguar i Zotit sa mirë do të ishte sikur ky njeri të nxitonte me këtë energji në rrugën e Zotit”
Muhammedi a.s. u përgjigj:
“Në qoftëse nxiton për të fituar kafshatën për fëmijët e tij, ai është në rrugën e Zotit; nëqoftëse nxiton për të siguruar kafshatën për prindërit e tij të moshuar, ai është në rrugën e Zotit; në qoftëse nxiton në punë për të siguruar veten më nderë, ai është në rrugën e Zotit, por nëqoftëse është duke nxituar që të mburret dhe të lavdërohet, ai është në rrugën e djallit”
Më tejë Muhammedi a.s. na këshillon t’i lutimi Zotit të madhërishëm të na ruajë nga frika dhe koprracia.
Edhe frika si fenomen psikologjik ndikon në paraqitjen e sëmundjeve nervore dhe kardiovaskulare.
Situata të cilën e përjetuam nga lufta dhe që po e përjetojmë tani është e mbushur me ankth dhe frikë të pandërprerë.
Muhammedi a.s. ka thënë se lutja:
“Neve na mjafton Zoti, Ai është mbrojtësi më i mirë” është siguria më e mirë për çdo frikë.
Sëmundje tjetër e rëndë është kopracia. Për këtë na e tërheq vërejtjen Kur’ani famëmadh:
“Ata, të cilët bëjnë koprraci me atë që nga të mirat e veta u dha All-llahu, të mos mendojnë kurrsesi se ajo është në dobi të tyre. Jo, ajo është në dëm të tyre”.
(Ali Imran, 180)
Njeriu koprrac nuk e shpenzon pasurinë e vet as për vete, as për të tjerët. Ai mendon se lumturia më e madhe është grumbullimi i pasurisë, prandaj nuk ua shpërndan të varfërve dhe nevojtarëve. Koprraci është gjithnjë në gjendje frike dhe stresi nga shkaku të mos e humbë apo mos do t’i pakësohet pasuria. Ai gjithnjë ankohet se “nuk ka”, se “jeta është e shtrenjtë” se po “vijnë ditë të vështira” se “skamja po troket në dyert tona”etj.
Për këtë Muhammedi a.s. ka thënë:
“Te besimtari nuk mund të gjinden dy veti: Koprracia dhe moral i keq”
Më tej Muhammedi a.s. na këshillon t’i lutemi Zotit të madhërishëm të na ruaj nga borxhi, ngase të huazosh prej dikujt diçka është një gjë e rëndë. Këtë e vërtetojnë shumë thënje të Muhammedit a.s.:
“I lutem Zotit të më ruaj nga mosbesimi dhe borxhi”
“Ruajuni nga borxhi, ngase ky është natën brengë e ditën turp”
“Borxhi shkon në dëm të fesë, dinjitetit njerëzorë dhe nderit”.
“Kush e merr pasurinë e huaj me qëllim që t’ia kthejë, Zoti do t’ia mundësojë që ta kthejë me të vërtetë, e kush merr pasurinë e huaj me qëllim që ta keqpërdorë, Zoti do ta shkatërrojë atë”.
“Shehidit do t’i falet çdo mëkat e lëshim, përveç borxhit.”
Dhe nga pjesa e fundit e thënjës së Muhammedit a.s. Në fillim i lutemi Zotit të plotëfuqishëm të na mbrojë nga çdo armik dhe mbisundim i Tij.
Në fund mund të konkludojmë se për sëmundjet e cituara, parandalimi dhe shërimi i tyre me terapinë religjioze zë vend të veçantë.
Prim.dr sci.med. Ali Iljazi.